Gropa e ekonomisë më keq se më ‘97, mbyllen 95 mijë biznese

Blerina HOXHA

Ka kaluar më shumë se një vit që kur qeveria nisi një aksion masiv kundër evazionit fiskal, me qëllim kryesor rritjen e të ardhurave për arkën e shtetit dhe sigurisht, tani ka ardhur koha të analizohet se nga anon bilanci.
Për fat të keq, rezultatet dhe ngjarjet që kanë ndodhur gjatë një viti qartësisht peshojnë nga efektet negative. Më e rënda është humbja e besimit te politikat e qeverisë. Presioni psikologjik që në kohët e sotme është po aq i rëndësishëm sa edhe vendimet sasiore, e ka goditur në atë masë biznesin vendas dhe investitorët e huaj, sa do të duhen vite që institucionet të rifitojnë betejën me besimin e humbur.
Tani pas një viti, të ardhurat për arkën e shtetit, jo vetëm që nuk i sollën 300 milionë eurot që ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani tha se do t’i merrte në tre muajt e parë të aksionit (tetor-dhjetor 2015), por përkundrazi performanca fiskale e vendit u përkeqësua edhe më shumë gjatë vitit të kaluar, kur ritmet e rritjes së të ardhurave buxhetore ranë në 3.7% nga më shumë 14% që ishin më 2014, viti i parë i qeverisjes së socialistëve pas rotacionit të 2013-s.
Për shkak se aksioni u konceptua si shantazh deri në burgosje, kryesisht ndaj bizneseve ambulante dhe atyre të vogla për moslëshimin e kuponit tatimor, në një periudhë kur ekonomia po vuante nga pasojat e krizës dhe konsumit të dobët, mijëra biznese panë falimentin. Pas formalizimit të 37 mijë bizneseve në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, 90 mijë biznese të tjera kaluan në status pasiv, ndërsa borxhi tatimor vetëm në vitin 2015 u rrit me 100 milionë euro, ritmi i lartë vjetor që kur institucioni taksambledhës (tatimet) nisën të arkivojnë borxhet që u ka biznesi. Një sondazh i “Monitor” publikuar javën e kaluar me 300 biznese, në një kampion të përzgjedhur nga rreth 3 mijë sipërmarrje që kishin kërkuar të çregjistroheshin në Tiranë në 8 muajt e parë të vitit gjeti se 62% e tyre fajësonin krizën, gjobat dhe taksat, që i kishin detyruar të mbyllnin aktivitetin. Shumë biznese treguan se gjobat e vëna i kishin shtyrë ata në vendimin drastik të kërkesës për çregjistrim, në pamundësi për të paguar.
Pasojat e aksionit u bënë më të rënda kur Ligji i ri i Procedurave Tatimore që u miratua dhe u shfuqizua brenda 2015-s, që në themel kishte 10-fishimin e gjobave për shkeljet e lehta, i traumatizoi bizneset, të cilat ngrinë planet e investimeve dhe pushuan kërkesën për kredi. Situata e krijuar mbajti larg investitorët e huaj që kishin plane ambicioze për investime në Shqipëri, teksa kompanitë më të mëdha në vend (Tirana Airport Partners dhe Bankers Petroleum) dolën në shitje.
Për pasojë, Shqipëria pa rënien më të madhe në Indeksin e Bankës Botërore se si të Bësh Biznes, që nga viti 1997, duke u zhvendosur 35 vende në renditjen e 2016-s. Në sfond, pasojat sociale kanë qenë edhe më të rënda. Rreth 67 mijë shqiptarë të pasigurt për të ardhmen në vendin e tyre ishin të dytët pas sirianëve si azilkërkues në Gjermani dhe vendet e tjera të BE-së.
Përtej pasojave negative, aksioni i dha disa efekte. Gjatë vitit 2015 janë futur në skemën e tatimeve 37,371 biznese të reja më shumë sesa në vitin 2014. Më shumë se 60 mijë kontribues të rinj u përfshinë në skemën e sigurimeve dhe 28,704 kasa të reja u instaluan në biznese.
Por, pasi aksioni antievazion bëri autogol në portën e qeverisë, ka nisur kthesa. Dështimi i nismës u pranua indirekt nga qeveria, e cila ka bërë gati një draft për procedurat tatimore, ku hiqet dorë nga penaliteti ndaj biznesit, duke i çuar ato në nivele edhe më të ulëta se ligji i vitit 2013. Por politikat ekstreme fiskale të pamenduara mirë dhe të pabazuara në studime paraprake ka gjasa të përkeqësojnë kontributin që ekonomia duhet të japë për arkën e përbashkët, buxhetin e shtetit.

Aksioni në drejtim të gabuar nuk prodhoi të ardhura

Teksa aksioni antievazion shkoi derë më derë te bizneset e vogla, porta e doganave u hap për kontrabandën më 2015. Të ardhurat nga akciza ranë me 4.6%, teksa zhdoganimet e cigareve prekën fundin, duke pësuar rënie vjetore me më shumë se 20%, teksa evazorët e mëdhenj u lanë në “rehatinë” e tyre. Sot e kësaj dite, arka e shtetit po vuan pasojat e aksionit jo të menduar mirë. Edhe për vitin 2016, të ardhurat në 8-mujorin e 2016 arritën në 265.7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 7.2% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky ritëm është më i ulët se ai i vitit 2014 dhe për tepër vjen si rezultat i disa faktorëve specifikë që nuk lidhen shumë me performancën e mirë të tatimeve, por me përmirësimin e bilanceve të kompanive shtetërore të energjetikës. Ecurinë më të mirë e kanë pasur të ardhurat nga tatimfitimi që janë zgjeruar me 18.8%, në krahasim me 2015-n, kryesisht si rrjedhojë e këstit mujor që derdhte Bankers Petroleum, por që nuk do ta paguajë më, pasi auditori i dha të drejtë kompanisë në konfliktin me tatimet, si dhe performancës së mirë të shoqërive energjetike, si OSHEE apo KESH nga grumbullimi më i mirë i faturave të energjisë dhe rënia e çmimit të energjisë në bursat ndërkombëtare këtë vit.
Por teksa qeveria e drejtoi aksionin te kuponi dhe biznesi i vogël për pajisjet fiskale, Shqipëria e ka informalitetin në drejtime të tjera. Vendi ynë mbledh kontribute sa gjysma e rajonit, me vetëm 4% të PBB-së, në një kohë që Serbia mbledh 10.3% të PBB, Maqedonia 9,8% të PBB, Mali i Zi 10.7% të PBB dhe Bullgaria 10% të PBB. Siç shihet nga ky krahasim, Shqipëria ka hapësira për të dyfishuar të ardhurat nga kontributet. Tatimi mbi të ardhurat personale ka ende hapësira. Shqipëria grumbullon 2% të PBB nga Tatimi mbi të Ardhurat, ndërkohë që Bullgaria grumbullon 4% të PBB-së, Serbia 4.4% të PBB-së, 2.3% Maqedonia dhe mbi këtë nivel grumbullojnë edhe vendet e tjera të rajonit.
Referuar një studimi të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC-2013), kostoja e përmbushjes së detyrimeve tatimore paraqet një peshë më të rëndë për firmat më të vogla, duke përbërë 4.7% të totalit të të ardhurave për kompanitë mikro, 3.9% për kompanitë e vogla, 1.4% për kompanitë mesatare dhe 0.3% për kompanitë e mëdha. Raporti i Bankës Botërore, Doing Business 2016, ka konkluduar se, “Shqipëria renditet e 142-ta në Treguesin e Pagimit të Taksave dhe një firmë mesatarisht duhet të bëjë 34 pagesa taksash në vit dhe të harxhojë 357 orë për përgatitje dhe të paguajë një total të taksave në 36.5% të fitimit”.

Klima e biznesit preku fundin

Indekset që masin klimën e biznesit shënuan përkeqësim të dukshëm gjatë dy viteve të fundit. Treguesi i Indeksit të Besimit të Dhomës amerikane (ABI) për vitin 2015 ka shënuar rënie të ndjeshme, me 4.83 pikë përqindjeje. Kjo është hera e parë që ky indeks shënon rënie, që nga 2012-a, që është viti i parë kur u mat ky indeks. Ai mat elemente të rëndësishme, të tilla si politikat e qeverisë, niveli i taksave, korrupsioni, informaliteti, zbatimi i ligjit dhe gjithashtu elemente lidhur me performancën e bizneseve dhe ekonomisë shqiptare.
Gjithashtu Indeksi i Dhomës gjermane të Tregtisë e renditi Shqipërinë si vendin e fundit në rajon, ku gjermanët do të donin të investonin. Gjatë prezantimit nga Dhoma gjermane, mbi vëzhgimin e kryer në ecurinë ekonomike të vitit 2016 në Shqipëri, u bë e njohur se 56% e bizneseve të anketuara e vlerësojnë situatën negative më 2016-n.
Ndërsa diplomacia ekonomike është vënë në alarm për klimën e rënduar të investimeve që është krijuar në vendin tonë, aq sa disa prej dhomave të huaja të tregtisë, më të rëndësishmet në vend, i kanë orientuar investitorët të mos futen në Shqipëri. Pasiguria juridike me kontratat aktuale, mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe korrupsioni duket se janë arsyet themelore.

Borxhi tatimor arrin 100 mld lekë

Gati gjysma e bizneseve në vend kanë rezultuar me statusin pasiv sipas një selektimi që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë në regjistrin e tatimpaguesve në pranverë të këtij viti.
Në kuadër të luftës ndaj informalitetit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar listën e tatimpaguesve me status pasiv, nga i cili rezulton se janë rreth 95 mijë biznese me këtë status në fillim të muajit korrik. Nga ky selektim i DPT rezulton që vetëm 50% e bizneseve të regjistruara (rreth 180 mijë biznese) janë aktualisht aktive. Ministria e Financave ka sqaruar se këto biznese datojnë që prej vitit 1991 dhe ka pasur qindra parregullsi në regjistrimin e bizneseve pasive ndër vite. Shumë prej tyre kanë falimentuar, por nuk kanë bërë procedurën e falimentit, të tjerë janë mbyllur dhe nuk kanë bërë procesin e mbylljes; shumë kanë kaluar në pasivitet ligjor dhe nuk janë pastruar kurrë nga regjistrat.
Lista e bizneseve pasive që nisi të jetë transparente në pranverë të këtij viti është shtuar edhe me rreth 4000 biznese të tjera në dy muaj. Në fillim të majit, lista e bizneseve që kanë deklaruar në tatime pezullimin e aktivitetit ishte rreth 91 mijë biznese, ndërsa më 21 korrik, kur shënohet edhe azhurnimi i fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, numri i bizneseve pasive arriti në 95,089 biznese.
KLSH ka vërejtur se, treguesit e borxhit tatimor janë përkeqësuar në krahasim me periudhën e mëparshme. Në vitin 2015, në krahasim me vitin 2014, është evidentuar shtim i numrit të subjekteve debitore me 6408 subjekte dhe në nivelin e detyrimeve tatimore të pashlyera me 12.6 miliardë lekë më shumë. Në fund të vitit 2015, borxhi tatimor rezultoi në vlerën 100.4 miliardë lekë (rreth 720 milionë euro), nga 87. 7 miliardë lekë, që ishte në fund të vitit 2014, duke u rritur me 14.4%. Lajmin e dha Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) pas një auditimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të ushtruar së fundmi. Teksa administrata tatimore kishte shtuar aksionin në terren ndaj bizneseve, nuk ishte përkujdesur për arkëtimin e borxhit tatimor.

“Monitor”

Exit mobile version