Gropa tek tatimet, qershori me 35 milionë dollarë më pak

Suksesi i shumëtrumbetuar nga qeveria i aksionit kundër informalitetit po shndërrohet me shpejtësi në një flluskë. Të dhënat paraprake nga Ministria e Financave tregojnë se në muajin qershor, qeveria mblodhi gati 10 milionë dollarë më pak të ardhura se sa qershori i vitit të kaluar. Sipas shifrave të raportuara nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj gjatë një konference për shtyp, rezulton se në qershor të këtij viti u mblodhën vetëm 29.75 miliardë lekë të ardhura në buxhet nga 30.8 miliardë lekë që u mblodhën në qershorin e 2015-ës. Por rënia është edhe më e madhe në raport me planin. Sipas shifrave, për muajin e kaluar qeveria kishte parashikuar të mblidhte 34 miliardë lekë në buxhet, por mblodhi 4.2 miliardë lekë më pak ose rreth 35 milionë dollarë.

Përkeqësimi nuk ndalet

Viti 2016 nisi me entuziazëm fiskal, pasi të ardhurat në buxhet u rritën fort, veçanërisht gjatë muajve të parë. Në dy muajt e parë të vitit, të ardhurat u rritën me mbi 20 për qind krahasuar me vjet. Por kjo rritje ishte rezultat edhe i nivelit të ulët të të ardhurave në dymujorin e parë të 2015-ës, për shkak të problemeve që u hasën me sistemin e ri online dhe uljes së importeve të mallrave të akcizës, teksa ato u importuan ndjeshëm më shumë në dhjetor 2014, në pritje të rritjes së taksave. Me kalimin e muajve ky efekt është zhbërë dhe rritja e të ardhurave është përkeqësuar me ritme të ndjeshme. Më konkretisht nëse deri në maj, në total si 5-mujor, të ardhurat ishin 8.1 për qind më të larta se vjet, rënia e qershorit e uli rritjen kumulative në vetëm 5.8 për qind si gjashtëmujor, krahasuar me një vit më parë. Qeveria ka parashikuar që këtë vit të grumbullojë rreth 38 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Por për gjashtë muajt e parë, të ardhurat janë 4.45 miliardë lekë më të ulëta se sa plani dhe situata po vjen duke u përkeqësuar nga muaji në muaj.

Artikulli paraprakKosovë, vazhdojnë tarifat e zbritura të automjeteve për diasporën
Artikulli tjetërVjedhja me ushqimet në burgje, 4 kompani fituan mbi 6 milionë dollarë në 12 muaj