Kreu i Departamentit të Politikës së Jashtme në PD, Kreshnik Çollaku ironizoi dje vizitën e Ramës në Beograd. Përmes një deklarate për mediat, Çollaku i cilësoi qëndrimet e Ramës si një groteskt të hidhur diplomatik. “Sot është një ditë kur kërcet shëmtuar shija bajate e sjelljes groteske e kryeministrit të Shqipërisë në një aktivitet jashtë vendit. Shumica e shqiptarëve zgjedhin ta përqeshin e përçmojnë me neveri këtë shfaqje megallomane protagonizmi naiv dhe delirant. Por ka disa gjëra që nuk mund të kalojnë thjesht duke përçmuar banalitetin. Sot është dita të kujtojmë se individi që tregohet me gisht nga e gjithë bota për kriminalizimin e shtetit, për kthimin e Shqipërisë në hambar e dispeçeri ndërkombëtare drogë guxon të jepte leksione demokracie. Njeriu që dhunon me harbutëri parimet themelore të demokracisë, të drejtën e lirinë e votës, lirinë e të drejtën e fjalës, njeriu që shtyp median e lirë, drejtësinë, njeriu që rekruton ose shtyp çdo qelizë të opinionit dhe shoqërisë civile, guxon t’i japë mësim Evropës se si duhet të sillet e trajtojë refugjatët. Miku i afërt e sponsori politik i Elvis Roshit ofendon kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban. Miku i Arben Nokës tallet e ironizon Johanes Hahn. Kolegu i Armando Prengës e Mark Frrokut përqesh Greqinë. Avokati i Arben Frokut, Balilajt, Habilajt nuk mund të flasë përfaqësojë vullnetin e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Europës. Evropa i hedh tej mbetjet dhe ortakët e krimit. Çatuesi i orëve të vona i Vuçiç nuk mund të flasë në emër të Kosovës e të shpallë në emër të Shqiptarisë zgjidhjen e çështjeve madhore kombëtare. Nuk mund të përbetohesh për euroatlantizëm ditën e natën të lobosh për takim të nivelit të lartë në Moskë. Asnjë shfaqje prej komiku apo servili në Evropë apo arrogant katundi në Shqipëri nuk e shpëton as rehabiliton qeverinë dhe historinë e tij në qeverisje të shqiptarëve. Shqiptarët dhe miqtë e saj në botë do ta mbajnë mend si qeverinë më të paaftë e mediokre të kohrave dhe me të zhyturën e të ndoturën me mafien. Shqiptarët do tia japin vendin e merituar në formën e merituar dhe miqtë perëndimore po ashtu, dhe kjo ditë është afër” u shpreh Çollaku.