Grupi i Avdylajve, si dolën nga burgu patronazhistët që trafikonin kokainë dhe blinin vota për Ramën në Shijak

Lirimi nga burgu i Astrit Avdylajt, Jasin Kala dhe Fatos Llavdiut, të tre të akuzuar për trafik droge, rikthen në vëmëndje shërbimin që i bënë këta Partisë Socialiste në Shijak për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. I konsideruar si një ndër personazhet kryesorë të grupit kriminal të Shijakut, Astrit Avdylaj ishte në rolin e patronazhistit të PS-së sipas vetë drejtuesve të kësaj partie.

Por kur policia goditi grupet kriminale me operacionin “Vol-Vo 4”, u zbulua se linjat e trafikut që nisnin nga Amerika Latine apo nga Turqia bashkoheshin në qytezën e vogël të Shijakut, nën kontrollin e Avdylajve dhe prej andej shpërndaheshin mes grupeve të tjera kriminale brenda dhe jashtë vendit.

“Veprimtaria kriminale ishte me qendër dhe pikë grumbullimi në qytetin e Shijakut, me referentë kryesorë vëllezërit Avdyli…strumbullarë të furnizimit me drogëra të forta, kryesisht heroinë dhe kokainë në të gjithë territorin kombëtar,” thuhej në dosjen e prokurorëve Dritan Prençi dhe Vladimir Mara që hetuan për një periudhë kohe Avdylajt.

Dako e prezantoi Astrit Avdylajn si patronazhist të PS

Para se të zbulohej keqpërdorimi i të dhënave personale të qytetarëve për të monitoruar bindjet politike, socialistët e pranonin hapur se pjesë e skemës së patronazhit, mund të bëhej kushdo, edhe njerëz me rekorde të rënda kriminale.

I tillë ishte rasti i Avdylajve në Shijak, vëllezërve që u rekrutuan nga Vangjush Dako për të mbledhur vota, pavarësisht përfshirjes në trafik droge, vrasje, shfrytëzim prostitucioni etj.

Ish kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, e prezantoi Astrit Avdylajn si pjesë të skemës së patronazhit, siç duket në videon më poshtë e marrë nga një intervistë në Report Tv

Vangjush Dako: Patronazhimi apo censusi që i themi ne, është një detyrë që e ka Partia Socialiste dhe e ka çdo organizatë e saj, e cila merr listën e qytetarëve që jetojnë në atë zonë dhe e çmonton,”ky është refugjat”, “ky tjetri nuk vjen në votim”, “ky voton PS” “ky për PD” “ky me pikëpyetje” “këtë nuk e di” etj etj.

Gazetari: Deri këtu është në rregull. Edhe kur e bën PS. Po pse duhet ta bëjë Astrit Avdylaj këtë?Ky është momenti kompromentues.
Dako: Ai është vetëfutur dhe është duke punuar për fushatë për të ndihmuar Partinë Socialiste. Po punon. Po punon si një militant i thjeshtë. Në Shijak dhe në shumë qytete të vogla të Republikës së Shqipërisë, kjo është forma e fushatës. Njerëz që ty nuk ta merr mendja që merren me fushatë, janë njerëz marrin taksinë, marrin veturën e vet ose marrin furgonin hipin qytetarët dhe i sjellin tek qendrat e votimit. Punojnë më shumë se një militant i Partisë”. Lapsi.al

Exit mobile version