Grupi i të pafytyrëve…

Erl KODRA

“Kur plaçkitja bëhet një mënyrë jetese për një grup njerëzish në shoqëri, gjatë gjithë kohës ata krijojnë vetë sistemin ligjor që i autorizon dhe një kod moral që i glorifikon”.

Claude-Frédéric Bastiat (29 qershor 1801 – 24 dhjetor 1850) ekonomist, shkrimtar dhe anëtar i shquar i Shkollës Liberale Franceze

Projektojeni me mendje 30 Qershorin e Vitit 2019. Zëreni se punët nuk ndryshojnë, domethënë, gjithçka mbetet siç është. Edi Rama në krye të një Grupi pa Fytyrë shkon triumfalisht drejt formalizimit të një maskarade të padëgjuar ndonjëherë. Fitorja është absolute, edhe nëse nëpër Qendrat e Votimit shfaqet vetëm kandidati i caktuar nga Grupi. Ka mundësi që “të Bindurit” të marrin ndonjë trohë, si macet nën sofër.

Në anën tjetër, fuqia e rrevoltës shpërthen si një vullkan. Njerëzit normal, tashmë të mësuar me liri, nuk pranojnë rilindjen e një kohe të errët, ku jeta e gjithkujt varej në fije të perit. Atë që e fituan 30 vite më parë, lirinë politike dhe ekonomike, nuk mund ta humbasin përsëri.

Përplasja do të jetë fatale. Me siguri atë ditë do të jenë Policët e Sandër Lleshajt me Antarët e Grupit nga njëra anë, përballë një shumice absolute në përpjekje për të mbrojtur…

Këtu duhet të ndalojmë. Domethënë, për të mbrojtur çfarë, nga kush? Cili është ai armik i pabesë që po i rilindë Zobiet e një epoke të errët? Ku e gjenë fuqinë ky përbindësh të poshtërojë një popull, duke ua shkërmoqur para syve çdo alternativë për të ndërtuar një shoqëri normale, në kohë paqe? Si mundet të shkatërrohet kaq paturpësisht themeli mbi të cilin funksionin gjithë shoqëria njerëzore?

A mund të vrasësh kaq paqësisht të drejtën dhe mënyrën e jetesës? A mund të pranohet një krim i përmasave të tilla, teksa ndodhë brutalisht, në kohët më moderne që ka bota ka njohur?

***

Takimi me historinë ndodhë rrallë. Zakonisht, ngjarjet e mëdha nuk ndodhin përditë. Por kur ndodhin, ato përmbysin epoka. Me gjasë, një ngjarje e përmasave të tilla po afrohet. Është pragu ku njerëzia nuk mund të pranojë poshtërimin. Liria dhe dinjiteti njerëzor për shumicën e qytetarëve shqiptar janë të panegociueshme. Prandaj nuk mund të ketë dyshime se kjo do të jetë përplasja finale mes të mirës dhe të keqes.

***

Shikojini me vëmendje se kush është Grupi i të Pafytyrëve. Çfarë thonë, çfarë bëjnë, çfarë ndërtojnë, çfarë shembin? Zakonisht, përgjatë viteve të fundit kemi parë të bien njëra pas tjetrës institucionet kryesore të Republikës nga përçudnia dhe pafytyrësia e të Pafytyrëve. Cinizmi i pashoq u shpërfaqet në fytyrën e Pafytyrë, ndërsa plaçkisin qetësisht para cash, prona, pasuri, jetë njerëzore dhe shtëpi shqiptarësh. Me sa duket, disa gjallesa të kësaj bote kështu janë gatuar dhe ekzistojnë vetëm për të shpërfaqur ligësi. Njëlloj lukunie hienash që nuk di të ndalet.

Ky është Grupi i të Pafytyrëve.

Në krye të Grupit është i Pafytyri i Madh.

Në fillim të këtij teksti kam cituar shkrimtarin francez të shekullit të 19-të, Frédéric Bastiat. Me sa duket, ka dy lloje mënyrash jetese; ata që jetojnë duke plaçkitur të tjerët dhe ata që përpiqen të jetojnë me liri dhe dinjitet. Qartësisht, ata që jetojnë duke plaçkitur të tjerët janë një grup i vogël maskarenjësh të pafytyrë dhe pa moral. Që në zyrat e shtetit kanë ndërtuar Shtetin e Mafias. Që shembin dhe ndërtojnë ligje dhe ndërtesa sipas shijeve dhe interesave të Grupit. Që glorifikojnë mënyrën e tyre të jetesës nëpërmjet plaçkës. Që përqeshin viktimat në fytyrë. Që vrasin të pamundurit, i poshtërojnë dhe i përzënë nga Atdheu.

***

E shikoni më qartë 30 Qershorin e Vitit 2019?
E kuptoni se çfarë po na vjen përballë?
A mundemi ne të pranojmë përsëri nënshtrimin?

Exit mobile version