Hetimet për grupin kriminal që trafikonte kokainë nga Amerika Latine në Europë po vazhdojnë intensivisht pas goditjes të realizuar dy muaj më parë. Burime nga grupi hetimor i tregojnë për Report TV se droga importohej nga vende të ndryshme të Amerikës Latine, si Ekuador, Venezuelë, Kolumbi, Brazili dhe Republika Domenikane. Kokaina dyshohet të ketë hyrë në Shqipëri përmes Portit të Durrësit, një nga pikat kryesore të hyrjes së drogës në vend.
Një grup prokurorësh të posaçëm, përfshirë Altin Dumanin dhe Adnan Xholin, janë angazhuar në hetimet lidhur me këtë trafik, dhe në fillim të nëntorit ata realizuan një vizitë në Brazil për të verifikuar burimet e drogës. Sipas burimeve, kokaina ka kaluar në Shqipëri përmes porteve të kontenierëve, ndërsa hetuesit po analizojnë dokumentet dhe itineraret e anijeve që kanë sjellë drogen në vend.
Grupi hetimor po punon për të përcaktuar gjithashtu se ku është blerë droga, ku është ngarkuar dhe kalimi i mundshëm i saj nëpër portet dhe pikat e tjera të tranzitit përpara se të arrinte në Shqipëri. Hetimet kanë si qëllim zbardhjen e tërësishme të rrjetit ndërkombëtar që ka përdorur Shqipërinë si pikë përpunimi dhe shpërndarje të kokainës drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Për më shumë, autoritetet po ndjekin gjithashtu dyshimet se ky grup mund të ketë pasur lidhje të ngushta me struktura të fuqishme kriminale në rajon, të cilat janë të përfshira në trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave. Hetimi i thelluar është ende në zhvillim dhe priten zhvillime të tjera në këtë çështje.