Nga Ben Andoni
Burgimi i Salianjit ka mobilizuar si pak herë në vitet e fundit PD-në për të kundërvepruar. Kuptohet se argumenti është ndaj qeverisjes Rama dhe përpjekja e PD-së shkon për të sjellë një qeveri teknike, e cila do të menaxhojë zgjedhjet dhe do mundësojnë një rotacion. Nga artikullshkrues të ndryshëm, por më shumë nga zyrtarë të Berishës po flitet për skenarë bllokimi të rrugëve, për vazhdimësi protestash dhe përplasje të pamëshira me regjimin e Edi Ramës. Ndërkohë, siç ndodh në kohën e sotme, ku lajmi me ngjyresë frike dhe tmerri lexohet më shumë, po zë vend një gjendje se: do të ketë përplasje dhe ashpërsi.
Bash, ky është edhe problemi më i madh i PD-së. Është dashur shumë ndër vite nga pak personazhe të PD-së për të hequr këtë ngarkesë frike dhe alarmi, që u sjellin njerëzve, e para për të harruar “vitin e largët” 1997 dhe e dyta: Janarin e dy viteve më parë, kur PD u kthye në origjinë me përplasjen që bëri në vetë familjen e vet. Se çfarë ndodhi më pas e dimë. U desh ndihma e policisë t’i ndihte që të qetësonin gjakrat që i trazuan vetë. Kaluan javë e muaj me ofendime dhe përplasje, ku vetë Salianji u tregoi hurin kolegëve, apo të tjerë që mbronin respektivisht Bashën, që tregonin mbrojtjen dhe nga ana tjetër mësymësit e pafatë të Berishës.
Paçka përpjekjeve 12 vjeçare plot tollovi të PD-së, Edi Rama vazhdon të jetë në pushtet, kurse refreni i tij është bajagi i njohur: Shikoni, këta doni që të rikthehen në pushtet! Nga ana tjetër, lodhja me qeverisjen e mirë dhe me rritjen e nivelit të shqiptarëve, që japin njerëzit e tij, po bëhet subjekt humori. Kjo nuk bën më përshtypje, sepse rrëfimi i orëve të fundit për forcën është ajo që zë më shumë vend në interesin publik dhe ia heq “qytetarinë” dhe gënjeshtrës politike, që tashmë është normë në vendin tonë. Këtë e ndjen jo pak herë në artikulimet e maxhorancës së sotme, që menaxhon vendin.
Strategjia e PD-së në këtë protestë është “e panjohur”, por shumëkush e di, që nuk do të ketë ndonjë gjë më të madhe se protestat të tjera, që vërtetë e kanë shqetësuar pushtetin e Ramës. Aman, frika që duan të ngjallin është ajo që të shqetëson sa i përket vizionit dhe faktit sesi strategjistët e PD-së nuk e kuptojnë se ato i sjellin ndërmend publikut 8 Janarin dhe vitin 1997, momente që PD-ja e bëri dhe e pësoi vetë keq.
Më shumë akoma, për fatin e keq të saj dhe me vetë vullnetin e saj. Shkrimtarët na ndihmojnë edhe këtu. Solzhenicini e shpjegoi shumë më thjeshtë: “Dhuna mund të fshihet vetëm me një gënjeshtër dhe, gënjeshtra mund të mbahet vetëm me dhunë”.