Grusht shteti i mazhorancës, kundër zbatimit të Kushtetueses, nuk dorëzon dy deputetët

Mazhoranca nuk ka lejuar dje dorëzimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të dy deputetëve, të cilët në shkelje të hapur të ligjit të konfliktit të interesit kanë përfituar fonde publike. PS dhe LSI edhe dje kanë bllokuar dorëzimin e deputetit Suli në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo ka sjellë një reagim të ashpër të opozitës, e cila ka bllokuar foltoren e Kuvendit duke mos lejuar zhvillimin e seancës.
E gjithë seanca parlamentare ka vijuar përmes tensionit dhe bllokimit dhe nuk ka zgjatur më shumë se 60 minuta. Deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren e Kuvendit dhe nuk kanë lejuar zhvillimin e seancës deri në zbatimin e ligjit dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Deputeti Halimi e konsideroi si fund të parlamentarizmit dhe grusht shteti, bllokimin e kërkesës legjitime të opozitës për deputetë në konflikt interesi që ata të mos dorëzohen në Gjykatën Kushtetuese. Halimi tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i lë asnjë hapësirë për interpretim Parlamentit, por kërkon dorëzimin në atë gjykatë të kërkesës së opozitës.
“Në seancën e kaluar ku mazhoranca në abuzim të plotë të pushtetit, rrëzoi kërkesën e PD për të çuar para drejtësisë dy deputetë, të cilët dyshohen se kanë përfituar fonde publike, është akti më i rëndë, pas mbajtjes dhe futjes në Parlament të deputetëve me rekorde të tmerrshme kriminale. Injorimi me arrogancë i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që nuk i lë asnjë hapësirë Parlamentit, por kërkon që të gjithë deputetët që dyshohen se kanë përfituar fonde publike të shkojnë para drejtësisë, është padyshim grusht shteti ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe është një fund i parlamentarizmit dhe funksionimit të një demokracie parlamentare”, tha Halimi.
“Abuzimi me pushtetin duke mbrojtur një vit më parë deputetin Kokëdhima na detyroi që t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese duke e pyetur, në interpretim të Kushtetutës. Se çfarë ndodh kur Kryeministri mbron deputetët kur akuzohen për marrje fondesh me leje të tij? Çfarë ndodh me deputetët që marrin para me leje të Kryeministrit? A bëhen të paprekshëm për drejtësinë se Kryeministri nuk i lëshon, nuk ia dërgon drejtësisë? Pa as më të voglin dyshim mburoja kryeministrore për deputetët për t’i bërë të paprekshëm është abuzive, është vrastare për Kushtetutën, është vrastare për shtetin ligjor, është vrastare për demokracinë, për Parlamentin dhe pa dyshim për Gjykatën Kushtetuese.
Qeveria që qeveris jashtë normave dhe kornizave ligjore dhe kushtetuese është tirani. Shkruhet kështu në muret e Kongresit amerikan. Një qeveri që e bën zero Gjykatën Kushtetuese e injoron me arrogancë atë, nuk ka asnjë sjellje tjetër përveçse një sjellje prej grushti shteti. Prania e opozitës brenda Parlamentit është elementi më i rëndësishëm për një demokraci funksionale. Detyra e opozitës është të sigurojë transparencën në vendimmarrjen politike. Ndaj pyetëm Gjykatën Kushtetuese. Çfarë ndodh kur Kryeministri me arrogancë kërkon t’i mbrojë e t’i bëjë të paprekshëm deputetët e tij kur ata dyshohen se kanë abuzuar me fonde publike? Gjykata Kushtetuese, një vit më vonë, pak muaj më parë, foli dhe nxori këtë vendim. Vendimi nr. 7, dt. 24.02.2006, që flet për z. Kokëdhima, por bën edhe interpretimin e Kushtetutës, gjë që sipas Kushtetutës është e njëjtë me normën kushtetuese. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është kthyer në normë kushtetuese. Dhe ky vendim i Gjykatës Kushtetuese thotë se Kryeministri, mazhoranca nuk mund të bëhet mburojë. Nuk mund t’i kthejë deputetët në të paprekshëm ndaj sistemit të drejtësisë. Detyra e opozitës, thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në paragrafin 13 të tij është të bëjë transparencë për procesin e qeverisë. Detyra e opozitës është të kërkojë llogari. Detyra e opozitës është të bëjë denoncime. Për denoncimet e opozitës nuk është mazhoranca që vendos, është drejtësia. Këtë thotë Gjykata Kushtetuese.
Në vendimet e Gjykatës Kushtetuese ishte një nga tre pikat për të cilat u bë marrëveshja e 24 dhjetorit. Dhe ja ku është vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili u injorua dhe u shkel me arrogancë vetëm e vetëm për të mbrojtur nga drejtësia të paprekshmit, ata që kanë përfituar fonde publike me leje personale të Kryeministrit dhe duke ushtruar pushtetin e shumicës”.

Exit mobile version