Grushti i Trump ndaj “CNN”

Presidenti i SHBA, Donald Trump ka shkaktuar zemërim te gazetarët, me një video të manipuluar dhe të postuar prej tij, në të cilën ai duket që godet me grushte logon e stacionit televiziv “CNN”. Edhe vetë radiostacioni dhe disa media të mëdha të tjera si “Washington Post” e dënuan videon si thirrje për dhunë.
Organizata amerikane “Reporters Committee for Freedom of the Press” (“Komiteti i reporterëve për lirinë e shtypit”) deklaroi:
“Ky tweet është nën dinjitetin e postit të Presidentit. Por është e trishtueshme, që nuk është nën dinjitetin e këtij Presidenti. Askush nuk duhet të kërcënohet me dhunë për shkak të punës që kryen (…). Liria e shtypit është një piketë e demokracisë sonë”.
“Committee to Protect Journalists” (Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve) paralajmëroi që të mos vihen në shënjestër gazetarë të veçantë apo media të veçanta, pasi kjo “ushqen një ambient, në të cilin kuptohen si të pranueshme ngacmimet e tjera dhe madje sulmet fizike”. Shprehjet e Trumpit mund “të inkurajojnë udhëheqësit autoritarë në të gjithë botën”, citon “New York Times” Courtney Radsch nga kjo organizatë amerikane.
Trumpi ka kohë që ka zënka me mediat dhe ditët e fundit i ka shtuar sulmet e tij. Veçanërisht ai ka goditur së fundi dy moderatorë të “MSNBC” – Mika Brzezinski dhe Joe Scarbarough, si dhe “CNN”-in. Këtë stacion ai e akuzoi për “gazetari për plehra” dhe dërgoi me Twitter të dielën videon – versionin e manipuluar të një regjistrimi, i cili tregon debutimin e tij në një show Wrestling.

Sulm i simuluar në “luftën e miliarderëve”
Në video, Trumpi rrëzon në tokë në kuadër të një ndeshjeje Wrestling një burrë dhe e rreh – por fytyra e viktimës megjithatë nuk shihet, në vend të fytyrës duket logoja e stacionit televiziv amerikan, “CNN”. Në fund të videos, në të cilën përsëritet disa herë skena e rrahjes, shfaqet logoja FNN dhe karakterizimi “Fraud News Network” (Rrjeti i Lajmeve të Mashtruesve).
Videoja origjinale nuk e përmbante logon e “CNN” dhe është xhiruar 10 vjet më parë. Videoja është xhiruar në kohën kur Trumpi qe rregullisht mysafir i njohur në lojëra spektakolare mundjeje. Viktima e supozuar është miku i Trumpit Vince McMahon, një organizator miliarder i aktiviteteve të famshme të Wrestling. Sulmi i simuluar u bë në kuadër të “Luftës së miliarderëve”, në të cilën dy mundës luftuan në ring në vend të Trumpit dhe McMahonit.

“Përpjekje për ta bërë armë skepticizmin”
Këshilltari i Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, Tom Bossert, e mbrojti videon. Ajo, sipas tij, flet për aftësinë e Presidentit për të komunikuar me njerëzit. Trumpi “rrihet” nga kanalet kabllore televizive dhe ka të drejtën që të reagojë ndaj sulmeve, tha Bossert. Senatori republikan, Ben Sasse e pa këtë ndryshe: në “CNN” tha ai, ka një dallim midis një përgjigjeje të përshtatshme ndaj kritikave dhe “përpjekjes, për ta kthyer në armë skepticizmin”.

Artikulli paraprakArrestohet baroni i drogës në Brazil
Artikulli tjetërStani: Interesa të pista pas sulmeve personale