Pep Guardiola ishte i kënaqur me performancën e Manchester City-t në Basel, në mbrëmjen që i vë “qytetarët” në shortin e çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, më 16 mars. Manchester City fitoi 4-0 në Basel, që do të thoshte se duhet një mrekulli në stadiumin “Etihad”, më 7 mars, që të besuarit e Guardiolës të mos arrijnë në çerekfinale për herë të dytë në historinë e klubit. Tani, “qytetarët” mund të përqendrohen në ndeshjet e tyre të tjera në mars, duke përfshirë dy sfida kundër Arsenalit, në pesë ditë dhe një përballje e ethshme në Premier League, me Chelsea, në stadiumin “Etihad”, më 4 mars. “Është një rezultat i mrekullueshëm në këtë raund të këtij kompeticioni, tha Guardiola. Sidoqoftë, një raund në Ligën e Kampionëve zgjat 180 minuta. Të presim, edhe pse jemi pothuajse aty, në çerekfinale. Unë nuk jam duke thënë se gjithçka është bërë, sepse në futboll çdo gjë mund të ndodhë, por është një rezultat i mahnitshëm. Jam i kënaqur dhe tani do të përgatitemi për Wigan”.
Guardiola tha se nuk ishte aspak pritshmëri e tij që Manchester City ta vriste kualifikimin që në ndeshjen e parë: “Nuk isha duke menduar për këtë. Në përvojën time, kur luani në 1/8 finale të Champions-it, gjithmonë ka një ndeshje të dytë. Hapi i parë është të bëhet më mirë se sezonin e kaluar (kur Manchester City u eliminua në këtë fazë, nga Monako), pastaj është tjetër gjë mënyra se si arrijmë në çerekfinale”.
FC Basel është dukur i pashpresë teksa Manchester City i ka shkatërruar me rezultatin 4-0 në St. Jakob-Park duke mos i lënë asgjë fatit për ndeshjen e kthimit. Skuadra e Pep Guardiola-s është 99% në çerekfinale me rezultatin e djeshëm, me një Basel që asnjëherë nuk e vuri në vështirësi kundërshtarin megjithëse luante në fushën e tij.
City-t i duheshin vetëm 14’ minuta për të kaluar në avantazh me golin e Ilkay Gundogan dhe që nga ai moment kishte vetëm një ekip në fushë. Skuadra e Guardiola-s sundoi në Zvicër dhe shënoi edhe dy gola të tjerë brenda 10 minutave. Në fillim ishte Bernardo Silva dhe më pas Sergio Aguero me një goditje fantastike në hyrje të zonës.
Pas pushimit Guardiola vendosi të pushonte yjet e ekipit, teksa me kalimin e minutave ai nxori nga loja Sterling, De Bruyne dhe në fund fare Aguero. Por jo përpara se Gundogan të kompletonte dopietën e tij në minutën e 53’ duke mbyllur përfundimisht ndeshjen. Ajo e kthimit do të jetë një shëtitje në “Etihad” dhe me siguri pritet që trajneri spanjoll të lerë pushim disa prej yjeve të tij në pritje të kundërshtarit të radhës në çerekfinalen e Champions League.