Pep Guardiola është mrekulluar nga kushtet sportive dhe financiare që i ka ofruar Mançester Siti. Trajneri spanjoll pohon se këto kushte nuk i ka pasur as në Barcelonë dhe as te Bajerni. Teksa korri suksese të mëdha si në Katalunjë dhe Mynih, strategu spanjoll u ka bërë presion lojtarëve të tij që stërviten në kushte moderne dhe që janë ndër më të paguarit në Europë dhe botë.
“Në Mançester kemi të gjitha kushtet optimale për të punuar. Lojtarët nuk kanë arsye të ankohen. Ata vërtet kanë gjithçka duhet për të dhënë rezultat në fushë”, nënvizoi Guardiola për gazetën angleze “Daily Mail”, duke shtuar më tej. “Nuk kam parë kurrë kushte të tilla stërvitore, as në Barcelonë dhe as në Mynih. Më duhet të përgëzoj presidentin dhe bashkëpunëtorët në Abu Dabi. Të gjithë janë çuditur nga projekti dhe planimetria që ofron Mançester Siti. Është bërë një investim kolosal dhe mjaft cilësor”.
Si te Barcelona, edhe te Bajerni, Guardiolës nuk i pëlqen të gjejë justifikime në rast dështimi dhe për këtë ka vënë nën presion lojtarët. “Natyrisht mund të humbësh një ndeshje kur kundërshtari luan më mirë, por nuk ka justifikime. Nuk na falet të gjejmë alibi, pasi kemi potencialin e duhur për të fituar titullin dhe fituar ndeshjet e nevojshme.
Premier Liga është shumë e fortë dhe konkurrenca është rritur së tepërmi, por kjo nuk na bën të jemi inferiorë. Përkundrazi, po përpiqemi të ndërtojmë një ekip konkurrues dhe të denjë për të fituar titullin. Duke treguar kujdes dhe maturi në fushë, nuk ka pse të hedhim hapa falsë”, deklaroi trajneri spanjoll i Mançester Sitit.
Kujtojmë që sheikët e Sitit kanë investuar 240 milionë euro për ndërtimin e kampusit “Edihad”, ku ka një komplet stërvitor me 16 fusha futbolli, 3 studio fitnesi, 6 pishina, si dhe një teknologji të avancuar mjekësore.
Lipi sulmon Federatën Italiane: U ka ikur mendja
Trajneri i njohur italian, Marçelo Lipi, i cili e shpalli kombëtaren e shtetit të tij kampione bote në 2006, ka sulmuar ashpër Federatën Italiane të Futbollit pikërisht në ditën e ndeshjes hapëse të kualifikueseve të Botërorit, atë në transfertë ndaj Izraelit. Ai i akuzon ata si të papërgjegjshëm për shkak se i kishin premtuar rikthimin për të punuar në Federatë dhe nuk e kishin mbajtur fjalën.
“Ne prisnim emërimin e Venturës si trajner që më pas të shpallnim pozicionimin tim si drejtor teknik i kombëtares. Punova për dy muaj në Federatë, fola vetë me Montelën dhe pretendentë të tjerë për t’u bërë trajner të kombëtares, dhe në fund zgjodhëm Venturën. Më pas, një ditë para prezantimit të tij, presidenti dhe drejtori i përgjithshëm, me të cilët kisha folur për projektet e së ardhmes, më informojnë që para 1 viti e gjysëm ishte ndryshuar një pikë në rregullore që nuk lejonte të afërm të menaxherëve të lojtarëve të punonin në Federatë. U ka ikur mendja”, ka thënë Lipi për mikrofonat e RAI-t.
Brazil, tifozët çmenden pas Neymar
Një pushtim i vërtetë fushe u regjistrua në stërvitjen e Brazilit në Manaus, kur një grup tifozësh kaluan murin e sigurisë për të përqafuar idhujt e tyre të Selesaos. Tifozët, duke qenë të shumtë çoroditën jo pak rojet e sigurisë, duke arritur madje t’i shmangen dhe ndërhyrjes së tyre aq sa arritën të përqafojnë dhe futbollistin e Barcelonës, Neymar, që pavarësisht se u rrëzua nga ana e tifozëve e kaloi me të qeshura këtë episod. Gjithsesi, tifozët nuk u mjaftuan me kaq, madje përqafuan dhe lojtarin e ri të Man.City-t, Gabriel Jesus, ndërsa në fund dhe rojeve të sigurisë i shpëtoi nga një buzëqeshje me veprimin e tifozëve nga qyteti që shtrihet në mes të pyjeve të Amazonës.