Pavarësisht se Pep Guardiola është një “lider i lindur”, paratë në dispozicion kanë patur një rol vendimtar në sukseset e tij. Është Hristo Stoichkov, një ish-shoku i tij i skuadrës nga kohët e Barcelonës, ai që ka bërë këtë përcaktim konsiderues për trajnerin aktual të Manchester City. Të dy kanë luajtur bashkë në “Camp Nou” nga 1990 deri në 1995, duke fituar Kupën e Kampionëve në 1992, pas përballjes në finale me Sampdoria.
“Ishin të gjithë të lidhur me atë në fushë, për shkak të pozicionit të tij në qendër të mesfushës. Çdo aksion niste prej tij. Ronald Koeman i besonte topin dhe Guardiola bënte gjithçka tjetër. U bë menjëherë një lider, ndonëse ishte shumë i ri. Madje pati edhe një karrierë të gjatë në Spanjë. Është normale që kur je trajner, kur ke paratë në dispozicion, mund të marrësh futbollistët më të mirë që janë në qarkullim. Kështu ishte te Barcelona dhe e njëjta gjë ndodhi më pas te Bayern Munich dhe tashmë sërish te Manchester City në Premier League”, deklaroi Stoichkov për Guardiola.
“Ai ka qenë gjithmonë trajner, edhe pse ishin të paktë ata që e dinin. Asaj kohe kishte një pozicion special, shkruante gjithçka që çdo futbollist kishte bërë ose jo, gjatë stërvitjes. Më pas shkonte te Robson dhe i sqaronte gjithçka. Ja pse është një prej trajnerëve më të mëdhenj në botë. Ishte gjithmonë një hap përpara”, tregoi bullgari për Jose Mourinho, për kohët kur portugezi ishte zëvendëstrajner te Barcelona.