Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, e ka bërë Eden Hazard përparësinë e tij absolute në merkaton e kësaj vere, thotë “Daily Star”. Pavarësisht fitores së titullit të Premier League në sezonin 2017-2018, trajneri është i gatshëm të përforcojë sulmin e tij me yllin e Chelsea.
Por, Hazard nuk do të jetë i lirë, por kushton 100 milionë euro dhe pagë javore 300.000 euro, çka duhet për të hyrë në negociata me “Blues” dhe vetë belgun ndërkombëtar. Nëse kjo ndodh, atëherë do të thyhej rekordi i transferimeve në Premier League.
Hazard ka edhe dy vite të mbetura në kontratën e tij me Chelsea dhe ka qenë i lidhur ngushtë me një lëvizje drejt Real Madridit, por edhe PSG është në gjueti për të. Por, ish-trajneri i Barcelonës, Guardiola, dëshiron t’i mundë rivalët e tij të vjetër në këtë rast, duke e kthyer Hazardin në kryetransferimin e verës.
Belgu ishte në formë mahnitëse për të ndihmuar ekipin e tij, që të mundë Manchester Unitedin në “Wembley”, të shtunën, për të fituar “FA Cup”. Ai shënoi golin e fitores me një penallti. Por, 27 vjeçari ka refuzuar të zotohet për të ardhmen e tij afatgjatë te “Blues”, pas një sezoni kryesisht frustrues në “Stamford Bridge”.
Vetë ai është në dijeni të interesit të fortë të Guardiolës. Guardiola nuk ka ndërmend të bëjë përforcime me shumicë këtë verë, ndaj u ka thënë bosëve të klubit se dëshiron dy lojtarë të klasit botëror. Hazard është një prej tyre, me Guardiolën duke e parë atë si zëvendësim afatgjatë për David Silva.