Pep Guardiola dhe Manchester City janë në vitin e dytë të bashkëpunimit mes tyre, me trajnerin spanjoll që ka një kontratë 3-vjeçare me “qytetarët”. Drejtuesit e Manchesterit janë shumë të kënaqur me punën e bërë nga trajneri dhe nga paraqitja e skuadrës në kampionat dhe janë gati t’i rinovojnë pa afat kontratën Guardiola, por ky i fundit ka refuzuar. Të paktën për momentin, pasi trajneri spanjoll pret fundin e sezonit për ta bërë këtë gjë. Trajneri ka frikë se çdo marrëveshje e re mund të prishë ekuilibrat dhe të përmbysë një sezon që ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, me Manchester City, që dominon si në Premier League ashtu dhe në Champions League.
Ish-trajneri i Barcelonës dhe Bayern Mynih është i lumtur në Manchester, duke e kthyer këtë skuadër në një makinë golash dhe që po dominon në kampionat. Por dështimi i sezonit të kaluar, ku City nuk fitoi asnjë trofe, duket se ka stepur Guardiola që të rinivojë kontratën. Manchester City është shkëputur 5 pikë nga ndjekësit dhe sot mund të sigurojë matematikisht kualifikimin në turin tjetër të Champions League, nëse merr 1 pikë në ndeshjen ndaj Napolit. Kjo paraqitje e mirë ka bërë që drejtuesit e klubit të nisin që tani negociatat me trajnerin 46-vjeçar, për t’i shtyrë kontratën. Por Guardiola pret fundin e sezonit dhe rezultatet konkrete para se të firmosë, teksa po sheh se më në fund investimet e bëra po japin frytet e duhura.