Guardiola: Ronaldo është absolutisht i pazëvendësueshëm te Real Madridi

Ish-trajneri i blaugranëve u intervistua nga një ish-mik i tij, Hristo Stoichkov, për televizionin meksikan “Univisión”. Tema kryesore e bashkëbisedimit ishte “El Clasico” e së dielës, më 28 tetor, në “Camp Nou”, Barcelona-Real Madrid.
Pep Guardiola, trajneri i Manchester City, kishte pasur parasysh mungesën e njëkohshme të Messit (të lënduar) dhe Cristiano Ronaldos (transferuar te Juventusi), kur analizoi përplasjen epike mes dy gjigantëve të La Liga-s:
“Real Madridi pati një fillim të mirë të sezonit, ndërsa tani ka pasur një rënie minimale, por do të vazhdojë të jetë në krye. Futbolli spanjoll ka qenë me fat të mjaftueshëm për të pasur në gjirin e vet dy lojtarë të pabesueshëm, Cristiano Ronaldo dhe Messi. Ata, për një dekadë e kanë ndihmuar La Liga-n të rritet.
Kjo është një përplasje e veçantë, ku nuk shoh asnjërin ekip të favorizuar, edhe pse në çdo rast, fakti që Barcelona luan në shtëpi, është për t’u marrë parasysh. Real Madridi? Me ose pa Cristiano Ronaldon mbetet një ekip i nivelit të lartë në botë, por me largimin e portugezit ka humbur jo pak, por 50, ose 60 gola në sezon.
Ronaldo është një lojtar i jashtëzakonshëm, jo vetëm për golat, por sepse e ka ndihmuar ish-ekipin e tij në momentet e rëndësishme. Kjo gjë është absolutisht e pazëvendësueshme te Real Madridi”.

Exit mobile version