As mirë dhe as keq, mjafton të mos flitet. Mund të sintetizohet kështu me ironi, pretendimi i Federatës Angleze, duke nisur nga sezoni aktual futbollistik anglez. Referimi është në mënyrë absolute për trajnerët dhe ultimatumin ndaj tyre për komentet e ndaluara në publik ndaj arbitrave, apo të performancës së tyre në drejtimin e ndeshjeve. Embargo nuk përfshin vetëm kritika eventuale.
Mund të pyesni trajnerin e Newcastle Rafa Benitez, i penalizuar me një gjobë prej 70.000 euro disa javë më parë, për shkak se artikuloi disa fjalë elozhe në adresë të arbitrit Andrew Marriner, para ndeshjes kundër Crystal Palace, dhe tashmë i njëjti fat mund të presë edhe Pep Guardiola, sikurse raporton “Sport”.
Trajneri katalanas, në një intervistë para ndeshjes për “BBC” i ka uruar punë të mbarë arbitrit Anthony Taylor, gjyqtar i zgjedhur për të drejtuar derbin e Manchester, të fituar nga City me rezultatin 3-1. “Ne duhet të përqendrohemi te loja jonë, jam i sigurtë se zotëria Taylor, do të bëjë më të mirën e mundshme, sikurse rajnerët dhe futbollistët që do të zbresin në fushë.
I uroj fat të mbarë, e gjithë Europa do të na shohë”, ishin fjalët e Guardiolas para ndeshjes, asgjë special por FA ka ndaluar rreptësisht referimin te arbitrat. Një gjobë e majme në horizont për Guardiolan, që do të gjykohet deri më datë 16 nëntor.