“Guardiola shkatërroi futbollin italian”

Giorgio Chiellini ka folur për “Daily Mail”. Mbrojtësi i Juventusit dhe i kombëtares së Italisë ka dhënë mendimin e tij në lidhje me mospjesëmarrjen në Kupën e Botës: “Do të jetë e dhembshme ta shohim Botërorin nga shtëpia. Nuk arrij ta imagjinosh, do të jetë një muaj shumë i vështirë”.
Italiani ka folur edhe për Pep Guardiola-n: “Dikur kishim Baresi, Bergomi, Scirea dhe shumë të tjerë… tani nuk prodhojmë më mbrojtës. Guardiola ka rrënuar futbollin tonë. Në 10 vitet e fundit, trajnerët tanë kanë kërkuar ta imitojnë pa pasur aftësitë e tij dhe kanë humbur identitetin e tyre”.
“Nuk nxjerrim më mbrojtës të nivelit të lartë prej dhjetë vitesh, me përjashtim të Bonucci-t. Shpresoj që tani të kthehet vëmendja te futbolli italian. Mospjesëmarrja në Rusi 2018 është vetëm një provë e një problemi të dukshëm”, ka thënë mbrojtësi i Juventus-it.
Giorgio Chiellini zbulon se lojtarët ndiheshin “të vdekur’ pas stërvitjes me Antonio Conte-n. Ky i fundit është nën presion në “Stamford Bridge” pas dy humbjeve radhazi në Premier League ku Chelsea renditet në vendin e katërt.
48-vjeçari ka shpezuar tre sezone te Juventus-i duke fituar po aq trofe të Serie A (2011-2014), për të marrë më pas drejtimin e Italisë më 2014-2016-ën. Chiellini e njeh mirë Conte-n, të cilin e ka patur trajner si te “Zonja e Vjetër” ashtu edhe tek Italia.
“Nuk ndodh vetëm në ndeshje me Conte-n. Çdo ditë është njësoj, çdo seancë stërvitore, ai është si një rreshter. Nën drejtimin e tij atmosfera ishte e veçantë, tre vjet me të te Juventus-i dhe dy të tjerë te skuadra kombëtare. Kur mbaron stërvitjen me Conte-n, ndihesh i vdekur. Jo i lodhur, por i vdekur”, tha mbrojtësi bardhezi për “Daily Mail”.
Megjithatë, 33-vjeçari shpjegon se lojtarët ishin të gatshëm të përballonin gjithçka pasi ata kishin besim të madh tek metodat e Conte-s. “E përballon, sepse ke besim tek ajo që ai bën. Ne ishim 40 ditë në Francë dhe ishim 100% me të. Conte krijon një atmosferë ku gjithsecili transmeton energji. Nuk ka asnjë dyshim që ai është një nga trajnerët më të mirë”, përfundoi Chiellini. Ndërkohë Conte dhe Chelsea e tij do të rikthehen në fushë të hënën kundër West Brom në javën e 27 të Premier League.

Exit mobile version