Ilkay Gundogan është blerja e parë e Manchester Cityt pas mbërritjes në stol të Pep Guardiolës. Citizens i kanë bërë kështu dhuratën e parë trajnerit spanjoll, duke firmosur një kontratë 4- vjeçare me 25-vjeçarin, për të cilin do t’i paguajë Borussias së Dortmundit rreth 30 milionë Paund plus bonuset. Në këtë mënyrë, skuadra angleze ka fituar garën me Juventusin dhe Barcelonën që ishin në ndjekje të mesfushorit, duke hedhur poshtë përfundimisht edhe dyshimet në lidhje me gjendjen fizike të Gundogan që u dëmtua në kupën e gjurit majin e kaluar, dëmtim ky që e detyroi të humbasë dhe Euro 2016 me Gjermaninë. Gundogan që tani do të vazhdojë karrierën në “Etihad Stadium” deklaroi për faqen zyrtare të Citizens:
“Jam shumë i entuziazmuar që firmosa me Manchester City-n, kur mësova për interesimin e Man City zemra më tha që të vija këtu dhe gjërat u realizuan shumë shpejt. Kam shijuar kohën time me Borusian e Dortmundit dhe do të doja të falënderoja klubin dhe tifozët për vitet e shkëlqyer që kalova aty. Ata më dhanë mundësinë për të luajtur dhe unë u bëra një futbollist më i mirë prej besimit dhe durimit që ata treguan me mua. Tani kam një sfidë të re për të fituar gjëra të mëdha me City-n. Mezi po e pres mundësinë për të punuar me një trajner si Pep Guardiola dhe jam i lumtur që jam blerja e parë e Manchester Cityt për këtë verë. Mund t’ju premtoj tifozëve se do të jap gjithcka për të fituar si në Angli ashtu dhe në Champions League. Kam vitet e mia më të mira përpara dhe besoj se mund të bëjmë gjëra të mëdha së bashku”.
Manchester City e shikonte Gundogan si një blerje thelbësore për merkaton e verës dhe veproi shpejt për të bërë të tijin mesfushorin që ashtu si Europianin do të humbasë dhe fazën parastërvitore me City-n për shkak të dëmtimit që pësoi në gju muajin e kaluar. 25-vjeçari bëhet kështu lojtari i dytë i rëndësishëm që lë Borusian e Dortmundit këtë vit, pasi dhe qendërsulmuesi Mats Hummels firmosi për Bajernin e Mynihut.