“Gungëngrehina 2”

Dr. Fatmir TERZIU

Nuk ishte e thënë të qëllonte si në rrëfenjat e pleqve të moshuar. Sipas gjasave një gozhdë, një litar dhe një shpatë e atillë e mprehtë, ishte mospërputhje e qëlluar. Ndërsa ardhësit e pajtuar shënonin me imtësi detajet e tre gjërave të rrëfyera ngutshëm, ikësit e pakuptimtë grisnin fletët e shënimeve të tyre. Eh, gozhda kishte ndoshta arsye tjetër të ngulej në atë vend ku bashkë me litarin mbante në ajër të vrarë nga errësira, atë shpatë tek e cila shkruhej e fshihej e panjohura. Gjithsesi, të dy palët ishin mesorja e duhur e asaj strehëze të zymtë, ku dukej se rrëfenjat ishin shpirtëzuar dhe silleshin anekënd asaj skute për të bërë lojën shpirttrazuar. Loja kishte kohë që kishte nisur. Si të gjithë lojërat, ajo në fillim kishte emocione, dhe më pas ishte kthyer në një përplasje të paimagjinuar. Loja kishte në vend të një mjeti të zakonshëm, një nga këto tre gjëra të rrëfyera nga të vjetrit dhe kjo ishte “sorda” e tipit të fundit. Ishte projektuar, pikturuar dhe gatuar nga një dorë. Ajo dorë, që kishte projektuar mjaft të tjera, kishte shansin e saj historik të ripërsëriste ato veti, të cilat i kishte dëgjuar në kohë tjetër nga të afërmit e saj, babai dhe ata që metonin kohërave të tilla lojëra. Dhe thuajse vetë rrëfenjëzat e shpirtëzuara habiteshin. Krejt rastësisht ndodhte të përshpirteshin me veten. Të silleshin si të tromaksura. Të mos besonin në sytë e veshët e tyre. “Të ngrihej xhelati i asaj “sorde” e të bënte këtë dhuratë për viktimat e tij?!” Si rrethanë, tre gjërat vetërrethsilleshin rreth shpirtngjallmjes së rrëfenjave dhe prandjenja udhëkryqej vetvetiu.
Dilnin herë pas here, merrnin pak ajër të pastër, dhe prapë shkonin e strukeshin aty, ku mjerisht mosbesimi kishte vdekur, dhe ishte ngjallur pikërisht alibia. Diçka vazhdonte të mbetej si në ëndërr. Gozhda e njohur e Krishtit, litari lënë buzë varrit dhe “sorda” e kasaphanës gjysëmshekullore, si në korr nisën të thërrisnin “Rruajna o Zot mendtë e kresë!”, “O Zot i madh çfarë po ndodh me ne?!” Pingulthënia e asaj lutjeje bëhej më e fortë kur rrëfenjëzat e shpirtëzuara graviteshin mes asaj zhurme të lebetitshme. Kjo ishte e pathëna dhe e pashkruara që sillej në atë kockëzim të sheqerosur nga fjalët e sordëbërësit. Dhe dukej se qasja e shpirttrazuar sillej në vetvete si një shkulje e nëndheshme e tërë asaj gungëngrehine që kishte bazament një ndërrmarje të strukur nga shkatërrimi masiv. E gjitha në fakt strukej mbi dhe nën shkatërrim. Ngrihej dhe ulej brenda një nate. Ulej dhe ngrihej brenda një dite. Në njëzetë e katër orët e para të fjalëve prekëse të sordabërësit gungëngrehina ishte premtuar të bënte art. Dhe kjo ishte një komedi më vete. Në fillim nisi me një akt. E pastaj iu shtua akti i dytë, ndaj dhe mori edhe emrin “Gungëngrehina 2”. Nga brendësia e saj vetë ai mjeshtër, ai projektues i gjallë, solli kombinimin e të gjallës me të vdekurën, duke rikrijuar kështu vetë atë që kishin premtuar Klasikët e Mëdhenj, madje jo vetëm ata katër të njohurit, dhe ai i pesti mes tyre. Dhe pastaj silleshin si në një paradë të madhe mode libra të mëdhenj e me kapakë të trashë, ku thuhej se ishte vetë shpirti i padalë i të tre gjërave që bekonin gungëngrehinën e radhës.
Dhe goxha punë u dilte kalemxhinjve të artit. Ata më të përmendurit, ndoshta jashtë treshes, dhe ata që kufinjtë i risollën me treshe të tjera, shkrimbërësit e kohërave me diell të lirë, shkrimtarët e fisit të ri, kërkonin me ngulm të paktën fatin e ri të shpirtngjallmjes së këtyre shpirtrave të lënë në këtë gungëngrehinë. Aty ishte gracka. Një grackë ku pandehshëm ranë të gjithë. Gungëngrehina nisi të fliste. Nuk ishte thjesht kockërri. Nuk ishte vetëm çimentim. Ishte goja vetë. Goja e asaj sorde që varrej në atë litar dhe që mbahej nga ajo gozhdë. Goja e tillë sapo kishte dalë nga Panairi i radhës, ku vetëm libri mungonte, dhe fliste pa libër për nënë, babë, farë e fis, se kishte fatin të ripërsëriste ato të cilat i kishte vetë libri i saj i lexuar hershëm. Posi një zonjë e rëndë, me përkëdhelitë e shumta të xhentëlmenëve modernë, të zyrambajtësve të sotëm e të djeshëm, goja si gojë hynte papandehur kudo e ngado në gojëra të tjera. Dhe ashtu gojë më gojë nisi të rrëfente rrëfenjëza të reja, të reja e më të bukura. Rrëfenjëza të strukura nën shkulma e prishje të maramendshme nën dhe mbi gungëngrehinë. Të gjitha ishin premtuar nga goja-gojës se edhe kështu bënin dhe tejçonin art. Dhe me atë art thuhej se luhej një lojë tjetër dhe atje lart.
Ajo lojë kishte qëllim më vete. Në fillim projektonte perde të holla dhe pastaj padukshëm ua qepte retinave të atyre që silleshin si të hutuar rrugëve të vendit e Botës e pastaj atyre që shtriqnin e shtriqnin duart e tyre rrugëve e rrugicave afër vetë gungëngrehinës artsjellëse. Dhe loja e atjetejshme, e gatuar nga lartësia i shihte këta duar e sy që endeshin në rrjedhën e gungëngrehinës art teksa kërkonin bukë, punë, pak ajër të pastër. Pastaj mundoheshin të shkundeshin nga të tjera gjëra: “Në gjashtëmujorin e parë, lindshmëria pësoi rënien më të madhe që nga viti 1990. Ulja me 29% e lindshmërisë së bebeve në raport me fundin e vitit të kaluar, është një episod i frikshëm për zhvillimet demografike në vend. Bashkë me emigracionin e lartë, rënia e lindshmërisë në nivelet më të larta historike është tregues i qartë se, shoqëria po përjeton një fazë depresioni. Demografët shpjegojnë arsyet që kanë çuar në këtë situatë, duke sugjeruar disa “receta”. Bizneset e arsimit parashkollor shumë shpejt do të vihen në vështirësi dhe tregu do të përballet me humbjen e forcës së aftë të punës…” Kjo nuk ishte në atë gungëngrehinë. Ishte në një “Monitor” ku fjalë të tjera përziheshin e shpirtrazoheshin deri në dhimbje me rrëfenjat e pleqve të moshuar. Sipas fakteve një gozhdë, një litar dhe një shpatë e atillë e mprehtë, ishte tejpërputhje e qëlluar. Ndërsa ardhësit e pajtuar grisnin me imtësi detajet e tre gjërave të rrëfyera ngutshëm, ikësit e pakuptimtë groposnin fletët e shënimeve të tyre. E gjitha thuhej se ishte art, atje poshtë dhe atje lart tek “Gungëngrehina 2”.

Artikulli paraprakKolonja
Artikulli tjetërAksident i rëndë në mes të Tiranës, dy të vdekur