Gustav Meyer, shkencëtari gjerman që ia kushtoi jetën gjuhës shqipe! Veprat më të rëndësishme

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi dje në përvjetorin e ndarjes nga jeta, albanologun e shquar Gustav Meyer, i cili u lind më 25 nëntor të vitit 1850 në Gros – Stechlitz të Austrisë.

 

Gjatë viteve 1860-1867 vijoi gjimnazin prej nga filloi të shfaqte interesimin e tij për gjuhësinë. Në vitin 1874 shpërngulet në Pragë, ku në vitin 1875 si docent privat ka mbajtur ligjërata në Universitetin e Pragës. Më 5 prill 1881 emërohet profesor i jashtëm dhe më 24 maj profesor zyrtar për sanskritishte dhe gjuhësi krahasimtare në Universitetin e Gracit. Gustav Meyer i kushtoi vëmendje veçanërisht greqishtes së vjetër dhe shqipes, sidomos etimologjisë dhe etnografisë. Veprat e tij më të rëndësishme për gjuhën shqipe janë “Albanesische Studien I”, (1882); “Etimologische Ëörterbuch der albanesischen Sprache”, Strassburg 1891; “Kurzgefasste albanesische Grammatik”, Leipzig, 1888; “Zum indogermanischen – Perfectum auf die albanesische Formenlehre”, botuar në “Miscellanea di filologia e linguistica in memoriam di Napoleone Caix e Angelo Canello, Firenze, 1886; “Die lateinischen Elemente im Albanesischen”, botuar në Gröbers Grundriss, I, I. Auflage (1888) etj. Më 1897 për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore e përfundoi punën e tij si ligjërues. Ndërroi jetë në vitin 1900.

Gustav Meyer do të mbahet mend si gjuhëtari, i cili provoi shkencërisht se gjuha shqipe i përkiste familjes indo-europiane. Gjatë jetës mbajti një korrespondencë të gjatë me Jeronim De Radën, figurë kyçe e Rilindjes Kombëtare. Gustav Meyer është një nga përfaqësuesit më të shquar të shkollës gjuhësore austriake, profesor në Universitetin e Gracit dhe është cilësuar si albanologu më i madh i kohës së tij. Ai filloi të studionte për shqiptarët, për gjuhën shqipe dhe historinë e saj në fillim të viteve ’80 të shek. XIX. Ai u njoh me shqipen jo vetëm nëpërmjet studimeve e burimeve të shkruara të kohës, por edhe duke mbledhur vetë leksik dialektor në ngulimet shqiptare. Më 1800, ai ndërmori një udhëtim në Sicili dhe vizitoi ngulimet arbëreshe, ku mblodhi edhe lëndë gjuhësore nga këto të folme të shqipes.

Meyer pati letërkëmbim me dijetarë shqiptarë dhe arbëreshë të kohës, me Kostandin Kristoforidhin, Jeronim De Radën, Thimi Mitkon, Dhimitër Kamardën. Më 1883-1897 botoi gjashtë vëllime me studime shqiptare, ku trajtoi probleme të shumta të fonetikës dhe të gramatikës historike të shqipes, të etimologjisë dhe të leksikut, të marrëdhënieve të shqipes me gjuhë të tjera etj.. Siç e thekson edhe Seit Mansaku në parathënien e Fjalorit Etimologjik të Gjuhës Shqipe, përkthyer nga studiuesja e historisë së gjuhës dhe njohësja e disa gjuhëve të huaja, Anila Omari, veçanërisht i rëndësishëm për fonetikën historike të gjuhës shqipe dhe për studimet etimologjike të saj, është vëll. III (1892) ku janë paraqitur zhvillimet e tingujve të indoevropianishtes në gjuhën shqipe, duke hedhur kështu themelet e fonetikës historike të shqipes për periudhën e hershme të saj. Përfundimet e parashtruara në këtë vëllim kanë pasur ndikim të fuqishëm në kërkimet e mëpastajme në këto fusha studimesh.

Më 1883 G. Meyeri botoi artikullin Vendi i shqipes në rrethin e gjuhëve indogjermane, ku saktëson më tej përfundimet që kishte arritur F. Boppi për lidhjet e afrisë së shqipes me gjuhët e tjera indoevropiane. Në ndarjen e madhe të gjuhëve indoevropiane, Meyeri shqipen e përfshin në grupin e gjuhëve satem. Nga ana tjetër, në bazë të reflektimit të O-së së shkurtër indoevropiane, e afroi shqipen me gjuhët veriore. Lidhur me prejardhjen e shqiptarëve dhe autoktoninë e tyre, Meyeri besonte se “shqiptarët kanë banuar në Shqipëri që nga kohët shumë të vjetra; ata e kanë prejardhjen nga ilirët… T’i quash shqiptarët me emrin ilirët e rinj, është po aq e drejtë sa të quash grekë të rinj, grekët e sotëm”. Më 1888 G. Meyer botoi një gramatikë të shkurtër të gjuhës shqipe.

Vepra themelore e G. Meyerit është Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe, në të cilin janë sintetizuar të gjitha arritjet e tij në fushën e studimit historik të shqipes. Akademia franceze i dha çmimin “Verner”. Faik Konica në revistën “Albania” nr. 8 shkruan: “Albanologu i ndritur ka një famë universale në botën e dijetarëve. Që nga botimi i të parave studime shqiptare të tij, ai u shfaq si një nga filologët më të thellë të kohës sonë”. Meyer ka botuar dy punime për ndikimin latin në gjuhën shqipe: “Ndikimi i latinishtes në morfologjinë e shqipes” (1886) dhe “Elementet latine në shqipe” (1888), në të cilat autori kishte arritur në përfundimin se gjuha shqipe kishte pësuar një ndikim të fortë latin jo vetëm në leksik, por edhe në strukturën gramatikore dhe në fjalëformim. Meyeri u mbështet në fjalorë dygjuhësh, siç ishte “Fjalori Latinisht-Shqip” i F. Bardhit (1635), në dy fjalorët “Italisht-Shqip” (1866) dhe “Shqip-Italisht” (1875) të Francesco Rossit, në Fjalorthin e G. Von Hahnit në “Studime shqiptare” (1854), në glosarin e “Noctes pelasgicae” të K. Reinholdit dhe në atë të August Dozonit në fund të “Manualit” të tij për shqipen (1879), si edhe në tekste të mbledhura vetë dhe nga të tjerë në të folmet shqipe të Italisë e të Greqisë.

Tekstet e vjetra të shekujve XVI-XVII, përveç Fjalorit të F. Bardhit, duket se nuk ka mundur t’i shfrytëzojë plotësisht. Çabej me të drejtë pohon se “G. Meyeri s’pati mundësi ta rrokte gjuhën shqipe prej trungu, po e rroku prej degësh. Nuk ka dyshim se po ta njihte pasurinë gjuhësore që njihet sot, kryesisht nëpërmjet fjalorëve e botimeve të tjera të shek. XX e të kish njohur veprat e letërsisë së vjetër, statistika e tij do të dilte ndryshe”. Çabej ka arritur të zbërthejë etimologjinë e shumë fjalëve, të cilat G. Meyeri i kishte lënë pa shpjegim etimologjik, duke bërë realitet një dëshirë të vetme të Meyerit, i cili në parathënien e “Fjalorit” uronte që pasardhës më të mprehtë e më të përgatitur se ai, ta zvogëlonin sa më shumë numrin e fjalëve të cilave ai nuk qe në gjendje t’u jepte shpjegim etimologjik. Parathënien e fjalorit të tij (1890) Meyeri e ka mbyllur: “Por në qoftë se unë, sipas një tradite do t’i jepja librit një urim që do ta merrte me vete gjatë rrugës, ky do të ishte: Le të qëndrojë ai krahas punimeve të dijetarëve të mëdhenj, të cilëve u kushtohet, si një ndihmesë jo krejt e padenjë për studimin e gjuhës shqipe”. Në nder të kontributit që Gustav Meyeri ka dhënë për gjuhën shqipe, në Tiranë një shkollë mban emrin e tij.

Exit mobile version