Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko ka kërkuar nga bankat e nivelit të dytë që të financojnë ato projekte që janë fizibël, duke lënë të kuptohet se bëhej fjalë për koncesionet e qeverisë. Përfaqësuesit e bankave janë shprehur se do të ishte e udhës të shikojnë me kujdes projektet që paraqiten në lidhje me koncesionet, duke mos iu përgjigjur direkt pozitivisht kërkesës së Guvernatorit.
Në konferencën ‘Bankat dhe rritja ekonomike në Shqipëri”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka bërë me dije se një ndër problemet në portofolin e bankave, ai i kredive të këqija, ka pësuar ulje me 10 pikë përqindje, krahasuar me kulmin e vitit 2010.
“Treguesi i kredive me probleme është ulur vazhdimisht me 10 pikë përqindje më të ulët se kulmi në vitin 2010. Sistemi bankar është më i qëndrueshëm me likuid në gjendje më të shëndoshë”, tha Sejko.
Guvernatori tregoi më tej se bankat janë më të gatshme të japin kredi.
“Bilancet e bankave janë pastruar dhe gjendja e tyre është e shëndetshme. BSH kërkon që bankat të studiojnë kërkesat fizibël për kredi. Ka ardhur koha që kreditimi të zërë vendin që i takon në ekonomi”, vijon të deklarojë në fjalën e tij Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Nga ana tjetër, thekson Guvernatori Sejko, evidentohet një rritje të kërkesës për kredi, siç ka treguar vrojtimi i aktivitetit kreditues të BSH.
Guvernatori Sejko iu drejtua bizneseve, duke iu thënë që të shfrytëzojnë mundësi për plane biznesi të mbështetura me financim.
“Pikërisht për këtë arsye, ne si Bankë Qendrore kërkojmë që brenda niveleve të logjikshme të prudencës, të shfrytëzoni çdo mundësi dhe hapësirë për të identifikuar projekte dhe plane biznesi që meritojnë të mbështeten. Ka ardhur momenti që kredidhënia të zërë vendin që i takon në mbështetjen e ekonomisë, dhe kjo kërkon profesionalizëm, energji, integritet dhe përkushtim. Industria bankare disponon një sërë instrumentesh dhe përkrah nevojës për rigjallërimin e kreditimit, si ndër më të rëndësishmin prej tyre, në vijim dua të prek edhe disa tregues të tjerë si, shkallën e zhvillimit të sistemit financiar dhe përfshirjen e edukimit financiar. Këto përbëjnë disa elementë të tjera, mjaft të rëndësishme dhe me ndikim në aktivitetin ekonomik të vendit”, tha Sejko.
Revolucioni teknologjik, sipas guvernatorit, ka hequr barrierat, ka lehtësuar aksesin në sistemin bankar, si dhe ka rritur cilësinë e shërbimeve, duke ulur kostot. Sistemet financiare të pazhvilluara janë të ekspozuara drejt rreziqeve të natyrës sistemike dhe krijojnë çrregullime e sfida për efektivitetin e politikës monetare dhe stabilitetin financiar të vendit, theksoi Sejko.
“Fatmirësisht, jetojmë në një kohë kur inovacioni financiar ka sjellë risi të shumta në modelet e biznesit, si në procese ashtu dhe në produkte. Edhe në Shqipëri, ne duhet t’i përqafojmë ato. Revolucioni i madh teknologjik ka eliminuar barrierat fizike, duke bërë gjithnjë e më të lehtë aksesin e individëve në tregun financiar, pavarësisht vendndodhjes gjeografike, moshës, kualifikimit, formimit kulturor apo traditës. Përveç aksesit më të lehtë, edhe kostot dhe shpejtësia në kryerjen e shërbimeve janë përmirësuar dukshëm. Të gjitha këto janë elementë që sistemi ynë bankar duhet jo vetëm t’i shfrytëzojë, por edhe t’i zhvillojë më tej”, tha Guvernatori.
Guvernatori Sejko, në vijim të fjalës së tij, duke theksuar elementin e përfshirjes në sistemin bankar, tregoi se shqiptarët janë ende mbrapa me vendet e tjera të OECD lidhur me pajisjen me llogari bankare, me kartë debiti, si dhe krediti.
“Në vitin 2014, vetëm 38% e popullatës kishte një llogari në sistemin financiar të licensuar, ndërkohë që 22% e të rriturve zotëronin kartë debiti dhe vetëm 6% e tyre kartë krediti. Kjo tregon një hendek të madh mes nesh dhe vendeve të OECD-së, ku 92% e popullatës ka një llogari financiare, ndërkohë që 80% e të rriturve kanë kartë debiti dhe 40% kanë kartë krediti. Roli i bankave është mjaft i rëndësishëm dhe deri-diku i pazëvendësueshëm edhe përsa i përket edukimit financiar. Thellimi dhe zgjerimi i njohurive financiare të klientëve tuaj jo vetëm që ka një impakt social të lartë, por njëkohësisht u shërben edhe vetë bankave, për të rritur më tej një potencial, i cili do të jetë konsumatori i produkteve dhe shërbimeve bankare”, tha guvernatori.
Së fundmi, Guvernatori i BSH u ndal edhe tek kontributi i sektorit bankar në luftën kundër informalitetit, i cili mund të konsiderohet një rrezik serioz për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit.
“Edhe në këtë drejtim, roli i sistemit bankar është tejet i rëndësishëm. Përdorimi i të dhënave të çertifikuara nga autoritetet, si përsa i takon bilanceve të kompanive, ashtu edhe aktorëve të tjerë ekonomikë, është kthyer në një domosdoshmëri. Mbi të gjitha, ato janë masa prudenciale, të cilat rrisin nivelin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë, veçanërisht në fushën e kredidhënies. Reforma ndaj informalitetit është ndër më prioritaret për autoritetet shqiptare dhe sektori bankar, – me rrjetin e tij, ekspertizën dhe njohuritë që shumë prej jush i mbartin me vete nga vendet e origjinës të grupit bankar, të cilit i përkasin, – duhet të ofrojë ndihmesën e tij në këtë qëllim të përbashkët. Thënë sa më sipër, ju ftoj që debati apo analizat tuaja në këtë konferencë njëditore të përqendrohen në këto linja, duke shpresuar që ky takim të krijojë një konvergim idesh dhe konkluzionesh në lidhje me gjallërimin e mëtejshëm të aktivitetit ekonomik. Mbështetja e Bankës së Shqipërisë do të jetë e pakushtëzuar në këtë drejtim. Ashtu si në të kaluarën, ne vazhdimisht do të jemi në kërkim për të adoptuar strategji dhe rregulla që synojnë një sistem bankar të shëndetshëm financiarisht dhe të aftë të mbështesë zhvillimin ekonomik të vendit. Jam besimplotë se bashkëpunimi në të ardhmen mes të gjithë aktorëve: industrisë bankare, ekzekutivit shqiptar dhe Bankës së Shqipërisë, do të thellohet më tej, në të mirë të prosperitetit ekonomik dhe financiar të vendit”, tha në fund Guvernatori Sejko.