Gysi i Ramës tek tritoli ndaj Dervishit në Kryeministri

Në dhjetor të vitit 2013, makina tip Peugeot në pronësi të ish-Prefektit të Vlorës Besnik Dervishi u konstatua se kishte lëndë plasëse në pjesën e poshtme. Rasti u zbulua përpara godinës së Kryeministrisë, kur Besnik Dervishi po shkonte të takonte Kryeministrin Edi Rama. Gardisti i Kryeministrisë që kontrolloi automjetin dhe zbuloi tritolin, ka treguar ngjarjen duke denoncuar tek Facebook-u i ish-Kryeministrit Sali Berisha. Sipas gardistit, makina nuk ishte në pronësi të Besnik Dervishit, por të drejtorit të Antikorrupsionit në Kryeministri, Ergys Hoxha. Por, emri i këtij të fundit nuk u përmend në procesverbalet e hetimit. “Gardisti dixhital denoncon Mashtrimin publik që Rama dhe Tahiri bënë për tritolin në të ndenjurat e Besnik Dervishit! Makina që publikut iu paraqit si e Besnik Dervishit, nuk kishte asnjë lidhje me Dervishin, por ishte e drejtorit të Antikorrupsionit, njeriut të vizave të Edi Ramës, Ergys Hoxhës. Ndëshkimi i gardistit që me shkrim njoftoi të vërtetën për pronësinë e veturës dhe kërcënimet që ai të hiqte dorë nga dëshmia e tij” shkruan Berisha në postimin e tij.

Denoncimi i plotë i Gardistit:

“Jam një gazetar me banim në Suedi, pjesë e Reporters Without Borders në Suedi dhe pak ditë mora këtë e-mail, të cilin paditësi nuk dëshironte t’ua dërgonte vetë direkt, por ndërmjet meje për arsye moszbulimi të mundshëm të adreses IP të e-mail-it dhe adresës së banesës nga kundërshtarët tuaj politikë apo të prekurit nga ky e-mail.
Përshëndetje! Unë që po ju shkruaj quhem Zamir Brahimi. Ish-efektiv i Gardës së Republikës për periudhën prill 2011-qershor 2014 në pozicion si përgjegjës sigurie për aktivitetet e kryetares së Kuvendit, nga korriku 2013 përgjegjës sigurie pranë godinës së Kryeministrisë (ruajtje e jashtme).
E-mail-i konstaton në një ngjarje për mua të rëndësisë së veçantë dhe mendova ta ndaj me Ju duke pasur bindjen dhe besimin e plotë se do të marrë vëmendjen e duhur nga ana juaj për të kërkuar me të detaje dhe vënë para përgjegjësisë ‘kompozuesit’ e këtij skandali.
Më lejoni të futem në detaje pa u zgjatur.
Më 13.12.2013 (siç edhe jeni në dijeni) në ambientet e jashtme të Kryeministrisë gjatë kryerjes së shërbimit në orën 08:40 pas kontrollit rutinë konstatova dhe ndalova një makinë të dyshuar me lëndë plasëse, e cila pas verifikimeve të kryera nga ekspertët u vërtetua se mjeti kishte lëndë plasëse C4 të lidhur me telefon. Grupi i xhenierëve më pas kreu edhe neutralizimin e lëndës plasëse.
Siç u publika në mediat vizive dhe të shkruara makina i përkiste ish-Prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, informacion i pavërtetë dhe i servirur nga Policia e Shtetit me tendencën për të fshehur të vërtetën, e cila është se makina e tipit ‘Peugeot’ me targë TR 5066 N përdorej nga vetë drejtori i Antikorrupsionit pranë Kryeministrit, z. Ergys Hoxha. Lidhur me lëvizjet hyrëse-dalëse të mjetit në fjalë ekzistonte një urdhër lejimi nga ana e Sek. të Përgjith., z. Engjëll Agasi. Gjithashtu gjurmë të lëvizjeve të makinës në fjalë gjenden edhe librat e hyrje-daljeve të mbajtur dhe protokolluar nga Garda e Republikës.
Veprimet e mia që nga momenti i evidentimit të lëndës plasëse në makinë janë si më poshtë, kronologjia:
1- Lajmërimi i lëndës operative të GRSH.
2- Krijimi i perimetrit të sigurisë.
3- Vendosja e rojeve siç e parashikon plani i emergjencave për të tilla raste.
I pari në vendngjarje ishte min. Tahiri (kjo vërtetohet edhe me pamjet filmike të mediave), i cili mori dhe drejtimin e operacionit në fjalë. Ministri solli në vendngjarje forcat xheniere, por jo ambulancat dhe zjarrfikëset (siç e parashikon rregullorja për rastet e emergjencave). Sakaq nuk u lejua evakuimi i Kryeministrisë, po prapë me urdhër të ministrit në funksionin e drejtuesit të operacionit njëkohësisht.
Po të njëjtën ditë, rreth orës 13:15 jam paraqitur pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë për të dhënë deklaratën time lidhur me ngjarjen në fjalë. Para se të futem në zyrat e Drejtorisë së Policisë jam ndaluar nga vetë z. Ergys Hoxha, i cili më ka thënë shprehimisht: Mos guxo të përmendësh emrin tim.
Nuk i jam përgjigjur, por kam vijuar rrugën për në zyrat në fjalë. Në deklaratën e kryer në prani të oficerëve të Policisë Gjyqësore kam përmendur edhe zotërinë në fjalë, pasi doja t’i përmbahesha vetëm të vërtetës.
Kur u paraqita në Prokurorinë e Krimeve të Rënda u njoha me deklaratën, të cilën kisha dhënë pak muaj më parë për OPGJ. Aty mësova se emri i z. Hoxha ishte hequr dhe si rrjedhojë nuk ishte pjesë e hetimit. Veprim, i cili ndryshoi rrjedhën e hetimeve dhe komplet të ngjarjes.
Do të doja të nënvizoj edhe një fakt tjetër. Më datë 15.12.2013, rreth orës 21:30 në ambientet e jashtme të Kryeministrisë është paraqitur z. Gani Hoxha (siç më vonë mësova se quhej) i cili më ka thënë: Jam MIK i ministrit dhe Komandantit të Gardës, ke bërë një gabim, i cili s’do të të kushtojë vetëm uniformën.
Menjëherë kam mbajt raport për ngjarjen dhe kam lajmëruar forcat e policisë.
Gani Hoxha u shoqërua në ambientet e Rajonit Nr. 1 edhe u la i lirë pas pak orësh. Ndërkohë raporti im i shërbimit u injorua totalisht dhe nuk u analizua apo hetuar kurrë, për të bërë lidhje me ngjarjen dhe personin.
Si rezultat i “paprekshmërisë” (siç unë mendoj) personi Gani Hoxha paraqitet përsëri në ambientet e jashtme të Kryeministrisë dhe thotë: Do të takohemi pasi të të heq uniformën se tani e di se jam Mik i Ministrit.
Kam kryer raportin e shërbimit dhe këtë herë kisha edhe kolegët dëshmitarë, të cilët firmosën dhe raportuan, por përsëri u injorua edhe kjo ngjarje. Kam kërkuar edhe ndihmën e policisë pasi bëhej fjalë për ngjarje të përsëritur nga i njëjti person, nuk kam marrë asnjë ndihmë.
Kam kërkuar shpjegim nga drejtues të analizës së GRSH se përse nuk ndiqet dhe më është thënë: Ndiqe privatisht, bëj ç’të duash se s’ka lidhje me ne.
Në muajin maj 2014 jam pezulluar pa arsye 1 muaj dhe në muajin qershor 2014 u lirova nga detyra për shkelje betimi. Informacion i dhënë me gojë dhe kurrë me dokumentet përkatëse apo shpjegimet përkatëse”.

Exit mobile version