“MeridioNews”
Në brigjet e Ballkanit, në kohën e ngarkimit të drogës, organizata e drejtuar nga Moisi Habilaj, kushëri i ish-ministrit shqiptar, ka pasur bashkëpunimin e policisë. Ndërsa destinacionet e plazheve zgjidheshin pas inspektimeve të kujdesshme, duke përfshirë Riposto, Acireale dhe Sirakuze.
“A e pe furgonin e policisë që kaloi?”. “Atë me dritat e bardha? A është i yni?”. “Të gjithë janë tanët këtu!”. Është nata e 6 majit të vitit 2015 dhe përballë bregdetit shqiptar, në brigjet e Porto Palermos, anija e peshkimit “Fatima” është gati për të ngarkuar një ngarkesë të rëndësishme me marijuanë që do të transportohet në Siçili. Në bord është Moisi Habilaj, kushëri i ish-ministrit të Brendshëm shqiptar që konsiderohet nga hetuesit italianë kreu i grupit kriminal që organizonte trafikun e drogës, përpiqet të qetësojë Rosario Giuliano, pronari i varkës që është nisur nga Riposto për të marrë 880 kilogramë drogë. Habilaj hip tek “Fatima” dhe jep urdhra, me saktësi dhe qetësi. Një qetësi që, duke iu referuar përgjimeve të bëra nga Guardia di Financa siçiliane, lind nga vetëdija se policët shqiptarë, të cilët duhet të kontrollojnë janë bashkëpunëtorët e tij. Burri, në veçanti, paralajmëron Giuliano-n mbi rrugën që duhet të ndjekë pa shkelur në Greqinë fqinje. “Më thirri polici, i cili më shpjegoi, që të mos iu afrohesh ujërave greke … duhet të shkosh gjithnjë drejt, pas 6-7 milje nuk duken më dritat, duhet të ecësh edhe 2-3 milje, pastaj hyn. Nuk duhet të gabosh, vëllai im”.
Biznesi në boshtin Shqipëri-Siçili shkonte kështu: një vajtje-ardhje e vazhdueshme midis vendit ballkanik dhe juglindjes së ishullit nga ana e Habilajve dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit. Takime me blerës nga Katania dhe Raguza, si Antonio Riela dhe Angelo Busacca. I pari ishte përfaqësues në Katania për disa familje mafioze të interesuara në blerjen e marijuanës. I dyti është një tregtar për fruta-perime me shumicë në tregun e Vittorias, i arrestuar muajt e shkuar pasi ka shfrytëzuar punëtorët në serrat e tij. Dhe është pikërisht në mes të Katanias, Lentinit, Augustas, Modikas dhe Vittorias që lëvizin subjektet që u arrestuan dy ditë më parë nga Gico e Guardia di Finanza e Katanias, me urdhër të prokurorit siçilian.
Një biznes në lulëzim, i cili është vënë në krizë nga sekuestrimet e vazhdueshme nga ana e policisë italiane. Është vetë Moisi Habilaj, që në një pikë, është duke bërë llogaritë e të ardhurave dhe shpenzimeve. Paratë që pret prej katanezëve arrijnë shifrën e 1 milion e 670 mijë euro, ndërsa borxhet që duhet të shlyejë në Shqipëri, arrijnë në 600 mijë euro. Dhe midis atyre që quhen më “problematikë” janë “Renato dhe shteti”. I pari është një nga furnizuesit shqiptarë. Por është mbi të gjitha në të dytën që u fokusua kureshtja e hetuesve, sipas të cilëve, pas fjalës “shtet” janë fshehur forcat e policisë shqiptare të paguar nga Habilajt.
Por ka edhe më shumë. Gjithnjë duke shfletuar borxhet që duhet të paguhen, udhëheqësi i dyshuar i organizatës përmend emrin e Saimirit. “Tridhjetë, thotë Habilaj, duhet t’ia shpie Saimirit”. Magjistratët italianë theksojnë se aludohet me shumë mundësi për kushëririn e tij Saimir Bashkim Tahiri, ish-ministër i Brendshëm dhe deputet. Një emër i rëndësishëm që rikthehet edhe në një tjetër pasazh të çështjes, kur kujtohet një nga udhëtimet e Habilajt, në shoqërinë e mikut të ngushtë Sabaudin Çelaj, midis Shqipërisë dhe Siçilisë që është bërë në bordin e një “Audi A8” në emër të vetë Tahirit, kur ishte ministër. E njëjta akuzë ishte ngritur në të kaluarën e afërt në Shqipëri, për një udhëtim të trafikantëve në Greqi dhe në atë rast politikani pohoi se ai vetë ia kishte shitur makinën në të zezë kushëririt të tij.
Vizitat e përsëritura në Siçili, përveç takimeve për të negociuar (që zhvillohen kryesisht në parkingun e spitalit në Lentini, në tregun e Vittorias, në Modika dhe në lagjen Pigno të Katanias), janë përdorur për të bërë inspektime të dobishme për të gjetur plazhet dhe portet më të mira ku të zbarkonin. Një shqetësim i ardhur nga dështimi i dërgesës që arrin në Augusta, në natën e 25 tetorit të 2013. Një gomone me në bord katër burra duhet të shkarkojë 1.650 kile marijuanë në plazhin e quajtur Baia del Silenzio (Gjiri i Heshtur), midis Brukolit e Agnone Bagni. Por për të prishur planet e shqiptarëve vijnë karabinierët, të cilët janë njoftuar nga një sinjalizim. Nis një arratisje midis shkëmbinjve që i kushton një prej trafikantëve, Çelaj, plagosjen në një nga këmbët dhe orë të gjata fshehjeje për të mos u arrestuar. Për ta ndihmuar, sipas rindërtimit të përgjimeve, është roja i një pallati, mik i një prej blerësve katanezë të drogës, që për të evituar arrestimin e merr në makinën e tij. “Ma çoi Zoti atë burrë, thotë Çelaj pasi ka shpëtuar, jam fshehur gjatë gjithë natës, pastaj kur u larguan, kapërceva kangjellat dhe jam lënduar, bëra dy-tre hapa dhe erdha këtu”. Në këtë rast Habilaj ankohet për interesin e paktë të katanezëve për organizimin e ngarkesës. “Nëse do të kisha një kallashnikov do t’i kisha vrarë të gjithë, bam bam bam”, thotë duke iu referuar karabinierëve.
Kjo është arsyeja pse, për ngarkesën e ardhshme, inspektimet janë më të kujdesshme: Monitorohen portet e Pozzillo-s, Santa Maria La Scala, Santa Tecla dhe Riposto, por edhe plazhet e Praiola-s dhe ajo e Sant’Anna-s, gjithnjë në Riposto.
Deri në muajt e parë të vitit 2017, kur organizata, vepronte ende në elementet kryesore të saj, pavarësisht sekuestrimeve të pësuara, përpiqet që të organizojë një ngarkesë të re nga deti që duhej të mbërrinte në Portopalo të Capo Passero, ku droga duhej të ruhej në një magazinë që pastaj t’iu shitej katanezëve. Një plan, i cili u prish nga arrestimet e operacionit “Rosa dei venti” që shkaktoi një tërmet të vërtetë politik në Shqipëri, ku opozita bën thirrje për arrestimin e ish-ministrit Tahiri, ndërsa kryeministri Edi Rama siguron: “Shqiptarët kanë nevojë të dinë të vërtetën, drejtësia duhet t’i shkojë deri në fund”.