Habilaj sa mbërrinte në Raguza e linte “Audin” e Tahirit në garazh

Në dosjen e Prokurorisë së Katanias, në një episod të veçantë thuhet se, Moisi Habilaj sapo mbërrinte në Raguza me makinën “Audi” AA 003 GB, e parkonte në parkingun e Anxhelo Buzaka, një tjetër trafikant i arrestuar. Habilaj linte makinën në garazh dhe lëvizte në Raguza me një makinë të dorës së dytë. Makina “Audi” e Tahirit përdorej nga Habilajt për të transportuar droga të forta në Itali dhe shërbente si imunitet.
Nga përgjimet e dokumentuara në hetimet e Prokurorisë së Katanias, rezulton se pjesëtarë të bandës kriminale, kishin një konsideratë të veçantë për liderin Moisi Habilaj. Kjo zbulohet në bisedat që bëjnë mes tyre anëtarët e grupit, të marra nga përgjimet ambientale.
Më dalë 06.01.2014, rreth orës 00:13, Maridjan Sulaj dhe Mariglen Alimuçaj, i njohur si Geni, ndodhen në territorin shqiptar, në bordin e makinës BMW 320 me targë BZ 140 RJ.
“… Geni vijon duke thënë se ka shumë besim te Moisiu, sepse është një njeri i fjalës, dhe për të do të shkonte deri në hënë, nëse do t’ia kërkonte, ndërsa për sa i përket Lolos, absolutisht jo, edhe pse megjithatë e ndihmon se është vëllai i Moisiut…”, thuhet në dosjen e depozituar në Gjykatën e Katanaias.
Hetimet sqarojnë se atë natë të dy kishin konsumuar drogë, duke e “thithur me hundë”, madje dyshja tregohet e kujdesshme që Moisiu të mos e marrë vesh këtë. Madje, Alimuçaj dhe Sulaj konsumojnë sërish drogë fill pas bisedës së sipërpërmendur. Në një tjetër përgjim ambiental në tetor 2013 në territorin italian, Maridjan Sulaj shprehet se është me fat që ka takuar Moisi Habilajn.

Artikulli paraprakFamilja shqiptare arrestohet në Itali për shpërndarje droge
Artikulli tjetërMë 31 tetor seanca e parë gjyqësore e bandës së Habilajve në Katania