U zhvillua dje në selinë e Gjykatës së Katanias në Rajonin e Siçilisë, seanca e parë gjyqësore ndaj anëtarëve të arrestuar të bandës italo-shqiptare të drejtuar nga Moisi Habilaj. Seanca zgjati rreth dy orë dhe u zhvillua me dyer të mbyllura. Ishin të pranishëm të gjithë të arrestuarit shqiptarë me avokatët e tyre si dhe të arrestuarit italianë me përjashtim të Antonino Riella, avokati i të cilit kish hequr dorë nga kërkesa e ankimit.
Avokatët e të arrestuarve kanë paraqitur pranë tupit gjykues kërkesat e tyre për rekurse ndaj vendimit të Gjykatës për arrest me burg. Pothuajse të gjithë avokatët kanë kërkuar masa alternative ndaj klientëve të tyre siç është masa e arrestit shtëpiak.
I pranishëm në sallën e gjyqit ishte dhe Moisi Habilaj i konsideruar kreu i kësaj organizate të strukturuar kriminale që merrej me trafikun e lëndës narkotike si dhe me trafikun e armëve. Avokati i Moisi Habilajt, Maurizio Katalano pas mbarimit të seancës ka deklaruar se hetimet nuk janë mbyllur ende, duke pretenduar se klienti i tij, Moisi Habilaj “nuk është kreu drejtues i këtij grupi kriminal trafikantësh droge e armësh”.
Sipas mediave italiane, Moisi Habilaj është paraqitur i fundit përpara gjyqtarëve, ndërsa avokati i tij Biagio Maurizio Catalano, i ka mohuar akuzat. “Prokuroria kërkoi që të konfirmohet urdhëri për mbajtjen e tyre në burg. Ndërsa ne kërkuam anulimin për mungesë provash. Kjo është pikënisja ndaj s’mund të themi saktësisht se si do të shkojnë gjërat. Vetë urdhëri i ndalimit, për të cilin besoj se jeni në dijeni, sepse është publikuar, mendoj se është maja e ajsbergut, përmbledhje e një fashikulli të tërë dosjesh voluminoze hetimesh, të cilën unë vetë nuk kam patur kohë të konsultohem. Por në këtë fazë, faza e parë së paku këtu në Itali, është ajo për t’ju drejtuar Gjykatës së Lirisë, për të pasur në qoftë se së paku një prej pozicioneve, nga ky moment, mund të lëshohet dhe t’i rikthehet liria së paku ndonjërit”, u shpreh avokati i Moisi Habilaj.
I vetmi nga të arrestuarit që nuk ka kërkuar rishikimin e arrestimit ishte italiani Antonino Riela, i cili sipas dosjes së hetimit rezulton të jetë një nga kontaktet më të besuara në Catania të Moisi Habilajt.
Trupi gjykues i përbërë nga 3 anëtarë brenda 48 orësh duhet të marrë vendimin e pranimit apo hedhjes poshtë të kërkesave të avokatëve mbrojtës. Pra, më datë 2 nëntor 2017 pritet dalja e vendimit të marrë nga Gjykata e Katanias.
Grupit pritet t’i bashkohet edhe Nezar Seiti, i cili u arrestua në Shqipëri. Prokuroria e Katanias e cila kreu hetimet, ka sjellë në Tiranë një grup oficerësh të Guardia di Financa, për t’i dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme fashikujt hetimor për katër persona të grupit, të cilët nuk u arrestuan, pasi nuk gjendeshin në territorin italian.
Në veçanti oficerët italianë kanë sjellë fakte dhe të dhëna mbi Nezar Seitin, i arrestuar në Vlorë në datën 20 tetor, për të cilin Prokuroria italiane kërkon ekstradimin e tij. 40-vjeçari, sipas hetuesve italianë, ka qenë një ndër personat më të rëndësishëm të grupit përgjegjës për zbarkimet e drogës në Itali.
Prokuroria shqiptare po heton paralelisht për grupin e Habilajve dhe ka përfshirë në hetime edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Hetimet e Antimafias
Grupi i organizatës së Habilajve u arrestua më datë 14 tetor 2017 me urdhër të Gjykatës së Katanias në operacionin e Policisë italiane të koduar “Rosa dei Venti”. Organizata kriminale e drejtuar nga Moisi Habilaj vetëm në një ngarkesë me 3.500 kg marijuanë që kishte transportuar në Itali nga bregdeti shqiptar kishte përfituar 20 milionë euro. Në momentin e arrestimit bandës iu sekuestruan rreth 20.000 euro cash. Sipas Prokurorisë së Katanias, në veçanti, organizata kriminale, ku disponueshmëria e armëve dhe municioneve është konfirmuar me ekzekutimin e konfiskimit të armëve të tipit Kallashnikov dhe qindra municione, kishte fituar kontrollin mbi importin e sasive të mëdha të marijuanës nga Shqipëria, të cilët më pas përdoreshin për të furnizuar sheshet në Katania dhe në krahinat e Raguzës dhe Sirakuzës.
Operacioni, i koduar me emrin “Rosa dei Venti” është kryer nga financierët e Gico dhe Guardia di Finanza e Katanias, duke kryer funksione komplekse teknike për gjurmimin e telefonatave dhe përgjime mjedisore, për të cilat është e nevojshme prova për të përdorur të dyja, si në tokë dhe në det, të vendosjes së njëkohshme të pajisjeve të artikuluara për të luftuar trafikun e paligjshëm.
Gjatë hetimeve, në fakt është bërë e mundur marrja në dëm të komponentëve të organizatës kriminale me profil ndërkombëtar, konfiskimi në mënyrë të përsëritur e lëndëve narkotike, ku janë arrestuar më shumë se 20 korrierë, edhe me ndihmën e njësisë të “antiterrorizmit dhe impenjimit të shpejtë” e qentë e grupit të Guardia di Finanza të Katanias.
Kushëriri i Tahirit, Habilaj me pranga në duar në Itali
Moisi Habilaj, kushëriri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri u paraqit mëngjesin e djeshëm në ambientet e Gjykatës së Rivlerësimit të Katanias për ankimim. Mediat italiane transmetuan pamjet e kushëririt të Tahirit me pranga në duar, ndërsa ecte në korridoret e Gjykatës, i shoqëruar nga karabinierët. Pavarësisht përgjimeve që italianët kanë kryer për tonelatat me drogë dhe armëve të sekuestruara 6 të arrestuarit e “Grupit Habilaj” nuk i pranuan akuzat.
Prokuroria e Katanias njoftoi arrestimin në Shqipëri të Nezar Seitit. Bie në sy, që italianët i dërguan materialet direkt në Prokurorinë e Përgjithshme shqiptare për arrestimin e Nezar Seitit, duke treguar edhe njëherë mosbesimin tek Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit. Në bazë të këtyre informacioneve u kap një sasi prej 4 tonësh hashash në Babicë.