Habilajt rrahën dhe morën peng punonjësin e SHISH

Në një postim në Facebook, ish-Kryeministri Sali Berisha ka denoncuar një ngjarje të ndodhur më 20 korrik 2015 në një prej fshatrave të Vlorës, ku ishte kultivuar kanabis sativa. Sipas Berishës, dy agjentë të SHISH që mblidhnin informacione në terren për kultivimin e drogës, u zbuluan nga rojet e një parcele kanabisi. Ish-Kryeministri shkruan se, ata u morën peng dhe u dhunuan nga njerëzit e vëllezërve Habilaj. Në lidhje me këtë ngjarje ka qenë në dijeni dhe Kryeministri Edi Rama, por nuk ka reaguar. “Dua të denoncoj një rast të ndodhur në 20.07.2015 në një nga fshatrat e Vlorës ku unë isha punëtor në parcelat e hashashit, të cilët ishin mbjellur nga vet Habilajt. Një ditë kapën dy persona nga rojet e armatosura, të cilët kishin hyrë në parcelat e hashashit dhe po filmonin, pas kapjes së personave që në fillim u mendua se ishin gazetarë, por në të vërtetë, ata ishin agjentë të SHISH. Pasi u kapën u goditën me grushte dhe shkelma që të tregonin përse kishin ardhur, më pas njëri nga pjesëtarët e bandës i njohur si Flori Dibrës, telefonon Policinë e Vlorës dhe i tregon ngjarjen, dhe policia i kërkon që t’i bëhen foto personave të kapur dhe të lihen të lirë dhe nëse këta agjentë do të hapnin gojën, atëherë do merej policia me ta, duke nënkuptuar se do ekzekutohen nga policia, sepse parcelat e Habilajve mbroheshin nga vet Saimir Tahiri. Për këtë rast ne informuam vet Ramën, por ai nuk reagoi?!” thuhet në denoncimin e publikuar nga ish-Kryeministri Berisha.

Exit mobile version