“Habit” Manastirliu, 7 muaj nga përfundimi i provimeve të Maturës Shtetërore 2024, “kujtohet” për rezultatet

Nga Mirela Karabina

Ministrja e Arsimit ka dalë sot në një aktivitet duke paraqitur raportin e Maturës Shtetërore 2024, ndë rkohë që provimet e radhës janë afër.
Propagandë dhe paradoks bashkë!

Gjendur në kushtet e një arsimi të rrënuar (PISA 2022, UNESCO 2024) dhe para zgjedhjeve të 11 majit, Manastirliu sot përmes propagandës u përpoq të na thotë se sa mirë kanë shkuar provimet e maturës së kaluar dhe listoi “sukseset” e ministrisë së arsimit.

Në vend të heqë vetullat nxori sytë ministrja, sepse për propagandën e radhës kishte zgjedhur një proces të dështuar, siç është Matura Shtetërore.

Prej vitesh ka qenë nevojë urgjente që Matura Shtetërore të ndryshonte. Dështimi në administrimin i Provimeve të Shtetit ka prodhuar fiktivitet në vlerësim. duke i kushtuar të ardhmen maturantëve. Kopjimi masiv në provime dhe teste të hartuara me gabime shkencore e pikëzim të gabuar jo vetëm i ka dhënë maturantëve modelin e deformuar të Provimeve të Shtetit, por dhe të mashtrimit përmes fiktivitetit në notë duke shkallmuar meritokracinë.

Provimet e Maturë s Shtetërore ka qenë përcaktuese për pranimin në universitete me Reformën e 2006-ës dhe procesi ka vazhduar rrokapjekthi me problematika çdo vit edhe pse në shkelje të Ligjit të Ardimit të Lartë 80/2015, që të drejtën ia jepte universitetit.

E pra, ndoshta dikush duhet t’ja kishte thënë ministres mos bëhej qesharake, aq më tepër kur paraqiti si sukses rritjen e notës mesatare në lëndën e Matematikës në provimet e 2024-ës.

Po si doli ky rezulat dhe pse pikërisht në matematikë, çfarë ndryshoi në shkolla programi, tekstet, mësuesit apo metodologjia?!

Dhe pse kaq vonë e nxori këtë raport?

Asgjë nuk tha nga këto, përveçse vazhdoi me propagandë dhe gënjeshtra.

Rënia drastike e numrit të nxënësve në shkolla (me 40% në zonat rurale dhe 20% në zonat urbane) dhe mbyllja e 295 shkollave (INSTAT) dëshmojnë largimin masiv të nxënësve për shkak të cilësisë së dobët të arsimit dhe keqmenaxhimit (PISA 2022, UNESCO 2024) por ministrja as nuk merr përgjegjësi e as flet e jep zgjidhje për të siguruar arsimim cilësor dhe të barabartë për të gjithë fëmijët.

Përmes mediave njihemi shpesh me shkolla të harruara dhe me kushte mesjetare larg vëmendjes e zona me shkolla të munguara, por me nxënës që kanë dëshirë të mësojnë. Po me mësuesit ndihmës ku jemi, a e kanë mundësi të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara ta marrin këtë shërbim pasi nga pandemia janë dy vite pas në arsimim (Banka Botërore 2020)?

Arsimi ka probleme madhore duke filluar nga ajri,uji, hapsira e pastaj më lart, në të menduarin krijues.

Propaganda e kryeministrit dhe ministres është e dalë boje tashmë, e kanë zhveshur si profesionitët e fushës, ashtu dhe vlerësimet dhe raportet ndëkombëtare (PISA, UNESCO, Banka Botërore).

Ndaj përpëlitet kot me Maturën e dështuar ministrja, arsimi është në emergjencë kombëtare.

Dhe një gjë, nuk ka proces mësimnxënie por të mësuarit dhe të nxënit.

Exit mobile version