Një tjetër mesazh i fortë nga ndërkombëtarët pas deklaratës së ambasadorit Donald Lu për arrestimin e ‘peshqve të mëdhenj’ në fillim të 20018-ës.
Ishte Komisioneri për Zgjerim, Johanes Hahn, i cili në një konferencë me kryeministrin Rama theksoi me tone më të buta se procesi i vettingut duhet të japë rezultatet e para në fillim të vitit.
Vlerësimi ynë varet nga evidencat, provat, vlerësimet dhe vetëm këto kanë rëndësi. Është e rëndësishme të arrijmë tek qytetarët dhe të flasim për arritjen që ka bërë Shqipëria;
Në veçanti, kemi një histori të re për të treguar në lidhje me progresin për shembull për sa i përket luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës apo për uljen në mënyrë të konsiderueshme të numrit të azilkërkuesve;
Është e rëndësishme që të ndryshohen disa deficite në reputacion, pasi ato ekzistojnë dhe nuk ka kuptim që t’i përfillim, por është e rëndësishme që të përballemi me to;
Një nga rezultatet e para që presim të marrim është rezultati i procesit të vettingut, që sapo ka filluar dhe unë pres që rezultatet e para t’i shikojmë në fillim të vitit. Kemi të bëjmë edhe në ato që njihen si pesë prioritetet kyçe.
Të gjitha këto janë në rrugën e duhur dhe do të thosha që është një gjë që dua ta theksoj: Shqipëria është në rrugëtimin e duhur. Aspirata evropiane duhet të jetë objektiv kombëtar që mbështetet nga të gjitha forcat, elementet, media, shoqëria civile.
Të gjithë partitë politike në vend e duan këtë gjë [integrimin e Shqipërisë], por kjo duhet treguar me një veprim të përbashkët kombëtar.
Sapo të kemi tregues se si një raport pozitiv i tillë nga ana jonë do të merret në konsideratë nga vendet anëtare, atëherë jam shumë i gatshëm ta lançoj një raport të tillë. Megjithatë, mendoj se isha tejet i qartë që ka progres pozitiv. Por si çdo gjë në jetë, puna vjen në momentin e duhur.
Duke u bazuar në fjalimin e Presidentit Juncker në lidhje me të ardhmen e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ne do të nxjerrim një strategji për BP në muajin shkurt dhe do të kemi raportet përkatëse për secilin shtet.
Kjo tregon qartë angazhimin e BE në lidhje me anëtarësimin e ardhshëm dhe të ardhmen evropiane të BP.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu në prezantimin e rezultateve të operacionit “Forca e Ligjit” në Ministrinë e Brendshme bëri një apel tjetër të fortë dhe kërkoi rezultate në luftën ndaj krimit. Ai tha se, ka ardhur koha që të kapen sa më parë peshqit e mëdhenj dhe se rezultatet duhet të shihen që në fillim të 2018-ës. “Të ndiqen penalisht peshq të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm. Populli shqiptar e kërkon dhe e meriton këtë. Së fundmi, ju keni një shprehje në gjuhën shqipe: “Dielli duket që në mëngjes”. Deri tani organet e drejtësisë penale kanë dështuar ndaj grupeve penale. Shqipëria ka një problem me lidhjen mes grupeve kriminale dhe politikanëve. Ky problem ka pllakosur politikën shqiptare që nga rënia e komunizmit. Asnjë nuk është mbi ligjin. Ju thoni “peshku i madh e ha të voglin”, për një herë të vetme në Shqipëri, le të hamë peshkun e madh”, tha Lu.
Hahn: Liria e mediave, kusht i BE
Liria e medias është kusht i panegociueshëm për çdo vend që synon të bëhet pjesë e BE-së. Mesazhin e tij për pushtetin e katërt, Johanes Hahn e përcolli në Ditën Ndërkombëtare të Medias, kur foli për njëanshmëri politike apo “fake news”, lajmet e rreme.
“Raportimi i pavarur dhe i lirë është një faktor kyç për të ndërtuar dhe forcuar demokracinë, mirëqeverisjen dhe për komunikimin e duhur të reformave. Ne po monitorojmë sfidat me të cilat përballen gazetarët në Ballkanin Perëndimor. Është vënë re keqpërdorim i informacionit dhe njëanshmëri politike. Raportimi kritik është shumë i rëndësishëm në një demokraci. Të shmangen sulmet personale dhe nevojitet besueshmëri. Mediat duhet të kontribuojnë për të ndërtuar ura dhe jo për të thelluar ndasitë. Gazetaria profesionale po përballet me një konkurrencë nga ata që prodhojnë lajme të rreme”, deklaroi Hahn.
Kritik, siç ka qenë përgjatë javëve të fundit ndaj medias, edhe këtë herë kryeministri nuk ngurroi të flasë sërish me të njëjtën gjuhë ndaj medias shqiptare.