Hajdutët, 870 milionë lekë të tjera Carapulit

Një shtesë kontrate prej 870 milionë lekësh është dhurata e fundit që Rama në një dorë të vetme i ka dhënë mikut të tij të ngushtë, Pandeli Carapulit, duke e paguar në fakt për të njëjtën punë e ka paguar vitin që kaloi teksa i dha tenderin për restaurimin e zyrave të OSHEE. Partia Demokratike denoncoi dje aferën e radhës, duke e cilësuar si dëshminë se si vidhen paratë e qytetarëve shqiptarëve. “Një vit më parë, Partia Demokratike denoncoi aferën e rregullimit të zyrave të OSHEE, ku Carapuli, ndërtuesi personal i Edi Ramës, kapi këtë tender si fitues i paracaktuar, edhe pse operatori i dytë në garë u paraqit me 740 milionë lekë më pak. Mori Carapuli tërë fondin limit, 4.5 miliardë lekë, për rregullime zyrash, që do të mjaftonin për të bërë dy godina të reja nga fillimi. Pas një viti, Edi Rama i bën dhe një dhuratë tjetër ndërtuesit të tij personal, i jep shtesë kontrate edhe 870 milionë lekë të tjera, nga paratë e shqiptarëve, nga paratë e gjakut të shqiptarëve. 870 milionë lekë të tjera për të njëjtën punë, në të njëjtën aferë të pisët korrupsioni. 870 milionë lekë janë 580 pensione në qytet, 1055 pensione në fshat, janë 1270 pagesa papunësie. Por janë para që ndahen, plaçkiten prej Edi Ramës dhe oligarkëve të tij, ndërsa popullit i mbetet burgu, varfëria, emigracioni”, u shpreh zëdhënësja e PD, Ina Zhupa. “E gjithë shuma për Carapulin, për të rregulluar zyrat e bandës së OSHEE që lë në errësirë, fut në burg, dhe merr dhe jetën e të pamundurve, shkon në 5 miliardë e 400 milionë lekë. 5 miliardë e 400 milionë lekë merr me një të rënë të lapsit, ndërtuesi personal i Edi Ramës, për të rregulluar godinën e një prej hajdutëve më të mëdhenj të Edi Ramës, Çelës së OSHEE. Ky është sundimi i korrupsionit, i hajdutëve, i zhvatësve të parave të shqiptarëve. Eshtë koha për t’u bashkuar, është koha që qytetarët ta ndalin këtë maskaradë. Shqipëria nuk meriton të trajtohet si plaçkë. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, tha Zhupa. Brenda vetëm pak muajve miku i Ramës, Pandeli Carapuli rezulton të jetë një nga ndërtuesit më të favorizuar nga qeveria. Brenda një periudhe të shkurtër kohore, Carapuli ka fituar plot 14.8 milionë dollarë fonde nga Rama. Të gjitha fondet janë dhënë me tendera, ku Carapuli ka pasur edhe ofertën më të lartë. Dhjetëra kompani të tjera që kishin shpresuar se do të ishin pjesë e garës në tender janë skualifikuar të gjitha pa i dhënë asnjë shpjegim. Fituesi në të gjitha rastet ka qenë i paracaktuar dhe ai ka qenë miku i Ramës, Carapuli dhe kompania e tij “EUROCOL”. Shpërdorimet dhe shkelja e ligjit janë të dokumentuara edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por deri tani askush nuk heton këtë skandal korruptiv të Ramës. Për Prokurorinë dhe gjykatat, Rama është i paprekshëm. Atij i lejohet të vjedhë qytetarët në shkelje të hapur të ligjeve me ortakët e tij si në rastin e Carapulit.
Në të gjitha tenderat, Carapuli nuk futet me ofertën më të lartë, sepse garancia e tij është ortaku në krye të qeverisë, Rama.

Skandali 7 milionë dollarësh me Parkun Olimpik

Kryeministri Rama i ka dhënë në mënyrë antiligjore një fond prej 7 milionë dollarësh ortakut të tij në ndërtim, Pandeli Carapuli, duke shpallur kompaninë e tij fituesen e një tenderi multimiliona parash. Çështja lidhet me tenderin për ndërtimin e Tirana Olimpik Park, i njohur ndryshe si ish-Kompleksi “Dinamo”, të cilin Rama e prezantoi me bujë, si një nga projektet e “Rilindjes”, por që pas të cilit fshihet një megaaferë e pastër korruptive prej plot 7 milionë dollarësh apo 780 milionë lekëve (të reja).
Fituesi, kompania “EUROCOL” ka qenë e paracaktuar dhe ka fituar tenderin edhe pse ka paraqitur çmimin më të lartë të ofertës, ndërsa janë skualifikuar kompanitë që kanë ofruar çmimin më të ulët. Tenderi korruptiv është denoncuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pak kohë më parë, i cili pas shkeljeve të rënda ligjore, si dhe favorizimit të jashtëligjshëm të kompanisë së mikut të Ramës ka kallëzuar penalisht rastin në Prokurorinë e Përgjithshme.

Si u manipulua tenderi

Siç rezulton nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit për projektin e dytë të rikonstruktimit të ish-Kompleksit Sportiv “Dinamo”, ASHS-ja dhe ADA nuk kanë nënshkruar asnjë shtesë në kontratën e tyre fillestare të studimit dhe projektimit të ambienteve të kompleksit. Për rrjedhojë, projekti i dytë i ADA-s nuk duhej marrë në konsideratë, nuk duhej miratuar dhe për më tepër të inicioheshin procedurat e mëtejshme të prokurimit mbi këtë projekt, për aq kohë sa ai nuk figuron të ishte hartuar dhe dorëzuar mbi bazën e një kontrate apo shtese të saj, çka e klasifikon atë si një projekt jo të ligjshëm. Dyshimet e arsyeshme mbi pranimin nga ADA të kryerjes falas të një pune kaq voluminoze rreth 4-mujore dhe në vlerën rreth 13,000,000 lekë mund të sqarohen vetëm nga fakti që realisht puna e dytë e riprojektimit nuk është kryer nga ADA, por nga shoqëria DEA Studio. Konkretisht, në të gjitha faqet e projekt-preventivit të dorëzuar nga shoqëria ADA me shkresën nr. 425, datë 10.07.2014, figuron vula e shoqërisë DEA Studio (shoqëri, e cila figuron të jetë bashkëpunëtore e shoqërisë fituese në tenderin e zhvilluar për ndërtimin e këtij objekti).

E njëjta kompani fitoi 2.4 miliardë për kullën e Korçës

E njëjta kompani që ka fituar tenderin e Parkut Olimpik të Tiranës ka fituar edhe tenderin prej 2.4 miliardë lekësh që shpalli Bashkia e Korçës për ndërtimin e kullës në këtë qytet. Projekt për të cilin qeveria mashtroi qytetarët se kushtoi vetëm 20 milionë lekë, ndërkohë që kostoja zyrtare e saj sipas Bashkisë Korçë ishte plot 2.4 miliardë lekë.  Askush nuk i pyeti qytetarët korçarë për këtë vepër betoni në qendër të qytetit. Ajo u vendos në mënyrë të dhunshme dhe qëllimi ishte edhe vjedhja e ca parave nga Rama me mikun e tij, Carapuli. Qytetarët korçarë shpërthyen në revoltë kundër Ramës në lidhje me kullën e ndërtuar në qendër të Korçës, duke e cilësuar atë si një vepër të shëmtuar dhe shpenzim të kotë në një kohë, kur populli po vuan nga papunësia dhe varfëria. Ngritja e kësaj kulle si një “pykë” në mes të qytetit, si dhe krahasimi i saj nga Rama si “Eiffeli” i Korçës nxiti zemërimin e qytetarëve korçarë.

Artikulli paraprakTenderi 128 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve
Artikulli tjetërSocialistët djegin teserat në Dibër