Marrëveshja e armëpushimit në Gaza ka hyrë në fuqi 3 orë me vonesë. Lajmi vjen pasi Hamasi zbuloi tre pengjet e para që planifikon të lirojë ditën e sotme.
Dorëzimi i emrave ishte kusht nga Izraeli për vendosjen në zbatim të marrëveshjes së armëpushimit. Hamasi ka zbuluar tre pengjet që do të lirohen në ditën e parë të zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza.
Njëra prej tyre është një shtetase britaniko-izraelite e quajtur Emily Damari. Dy emrat e tjerë janë Romi Gonen dhe Doron Steinbrecher.
Kjo listë me emra ka qenë pengesa kryesore pse Benjamin Netanyahu vonoi fillimin e armëpushimit këtë mëngjes, i cili do të fillonte në orën lokale 08:30.
Një pjesë e marrëveshjes nënkupton se lista duhej të jepej të paktën 24 orë përpara. Më herët, Hamasi deklaroi se arsyeja e vonesës ishte për shkak të një çështjeje “teknike”.
LISTA E PLOTË
Izraelitët që do të lirohen nga Hamasi si pjesë e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit përfshijnë pengjet më të rinj dhe më të vjetër që u rrëmbyen më 7 tetor 2023, sipas një liste të publikuar nga Izraeli.
Llogaria zyrtare e Izraelit X, postoi një imazh me emrat e 33 pengjeve të parë që pritet të lirohen.
Kfir Bibas ishte nëntë muajsh kur u mor peng dhe tani ka kaluar dy ditëlindje në robëri.
Shlomo Mantzur, 86 vjeç, është pengu më i vjetër që është rrëmbyer dhe pritet të jetë në valën e parë të pengjeve që do të lirohen.
Dorëheqja e Ministri izraelit të Sigurisë Kombëtare
Armëpushimi i shumëkërkuar për Gazën u miratua nga kabineti izraelit të premten mbrëma, pasi një përparim në negociatat e ndërmjetësuara nga SHBA, Katari dhe Egjipti u njoftua të mërkurën.
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir ka dhënë dorëheqjen në kundërshtim me marrëveshjen e armëpushimit.
Ministri ka kritikuar më parë marrëveshjen si dorëzim ndaj Hamasit dhe kërcënoi se do të jepte dorëheqjen nëse miratohej.
Dy ministra të tjerë nga partia e Otzma Yehudit e Ben-Gvir kanë dhënë gjithashtu dorëheqjen lidhur me marrëveshjen.
Partia Otzma Yehudit nuk është më pjesë e koalicionit qeverisës, por ka thënë se nuk do të përpiqet të rrëzojë qeverinë e Netanyahut.