Hamburgu mori një fitore mbijetese ndaj Werder Bremenit, pasi mundi 2-1 në shtëpi rivalët direkt për qëndrimin në Bundesliga, duke u shkëputur 6 pikë nga ekipi i Skripnik në renditje, që aktualisht mban vendin e 16-të, atë që të çon në play-off. Formacioni i Labadias që kishte fituar dhe ndeshjen e fazës së parë, gjeti shpëtimtarin te Lassoga. Hamburg e nisi mjaft mirë takimin, duke kaluar në epërsi që në minutën e 5-të, me sulmuesin që shfrytëzoi një pasim të Muller për të shtyrë topin në rrjetë. Lassoga gjeti momentin e duhur dhe në minutën e 35-të, kur devijoi saktë me kokë një harkim të Ostrzolek për golin e 2-0.
Werder Bremen doli pa pikë nga Hamburgu dhe për shkak të një 11-metërshi të humbur të Pizarros në minutën e 57-të, që goditi shumë keq nga pika e bardhë. Goli i Ujah në minutën e 65-të rihapi takimin për miqtë, por shifrat megjithatë deri në fund nuk ndryshuan me formacionin e Labbadias që fitoi 2-1, duke marrë 3 pikë të rëndësishme për shpëtimin.