Hamburgu i Mërgim Mavrajt nuk arrin të triumfojë ndaj Mainzit në përplasjen direkte për shmangien e zonës së ftohtë në Bundesligë. Në “Volksparkstadion” të Hamburgut gjithçka u mbyll në barazim pa gola, me të dyja skuadrat që ruajnë statuskuonë me nga 34 pikë, në vendet 15 dhe 16, por Mainzi ka avantazhin e ndeshjeve direkte dhe të golaverazhit të përgjithshëm. Mainzi iu afrua golit që në minutën e 11 me Yoshinori Muto, ndaj goditjes së të cilit ndërhyri portieri Mathenia. Nga të vetmet raste për Hamburgun në këtë ndeshje spikat ai i minutës së 77-të, kur goditja e Kostic gjen në pozicion portierin e Mainzit Huth. I pafat Jean-Philippe Gbamin në ekzekutimin e një goditjeje të lirë që përfundon ngjitur me shtyllën.
Niederlechner rezultoi vendimar në fitoren 2-0 të Frieburgut ndaj Schalke 04. Sulmuesi 26-vjeçar shënoi një dygolësh që në pjesën e parë për t’i dhënë suksesin skuadrës së tij, që me këtë trepikësh i merr vendin e tretë Herthes së Berlinit. Në minutën e 22, Niederlechner gjeti hapësira në zonën kundërshtare, duke mos i dhënë asnjë shans portierit Fahrmann. Sapo kaloi gjysmë ore lojë i njëjti autor realizoi të dytin personal dhe të fundit të sfidës me 11-metërsh, me rezultatin që nuk ndryshoi më as në pjesën e dytë.