Hani i Elbasanit është Monument Kulture, Kategoria I dhe një nga hanet më të rëndësishëm historikë të qytetit të Korçës.
I njohur gjerësisht si Hani i Pazarit, ndërtesa është qindravjeçare. Ajo u ndërtua rreth vitit 1800 nga tregtarë elbasanas dhe ndodhet në krahun e djathtë të rrugës kryesore që të çon tek Pazari i Vjetër i Korçës. Me arkitekturë të pasur dhe detaje dekorative unike, ky han ruan vlerat e së kaluarës duke ofruar mikpritje për vizitorët si një hotel ku gërshetohet tradicionalja me modernen.
Ky monument kulture është i llojit “Arkitekturë”, miratuar në qershor të vitit 1973, i tipologjisë “han”. Hani është një ndërtesë dykatëshe, me lartësi rreth 7 metra. Në të ndodhet një oborr nga ku shpaloset ballkonada e hanit. Në katin e sipërm janë odat e fjetjes. Gjithë ballkoni i katit të dytë përbëhet nga shumë kolona dhe parmakë druri. Në katin e sipërm odat e fjetjes nxjerrin dyert në galerinë e hapur që i paraprin, ndërsa disa nxjerrin edhe dritaret e tyre. Lartësia e objektit është rreth 7m.
HISTORIA
Teksa hyn në Pazarin e Vjetër të Korçës, nuk ka se si të mos bjerë në sy një nga ndërtesat me të bukura. Askush nuk i reziston dot tundimit që të ofron “Hani i Pazarit”, ndërtesa 350- vjeçare. Ky han është restauruar tërësisht për herë të parë pas periudhës së diktaturës. Por përsëri elementet tradicionale në stil dhe arkitekturë janë ruajtur me besnikëri. Me një hapësirë prej 730 metra katrorë. Deri vonë kjo ndërtesë ka mbajtur emrin “Hani i Elbasanit” pasi në të vinin shumë tregtarë nga ky qytet. Hani i Elbasanit është ndërtuar në krahun e djathtë të rrugës kryesore që të çon tek pazari i Korçës. Ai është me dy kate dhe ka një oborr të brendshëm, i cili është i rrethuar nga të gjitha anët me ndërtime. Në oborrin e kalldrëmuar ndodhet një pus i zakonshëm. Ky han ka një ndërtim tipik të haneve.
Kati përdhe është i mbyllur, ai ka shërbyer për mbajtjen e kuajve. Në katin e sipërm ndodhen dhomat e fjetjes ose odat. Pjesa ballore e katit përdhe e ka pamjen nga rruga kryesore, në të cilën ndodhen dyqanet. Në të dallohen dy faza ndërtimi që janë të ndryshme për nga materialet e përdorura, teknika e ndërtimit dhe trajtimit arkitektonik. Në katin përdhe ka një radhë të ndarash, të theksuara nga pilastra guri që përfundojnë me kapitele, mbi të cilat ngrihet korniza ndërmjet kateve. Secila ndarje ka hyrje më vete dhe dritare me pamje në oborr, të mbuluara me qemerë cilindrikë. Dyert e dritaret kanë korniza guri të gdhendura e në hapësirën midis tyre ka zgara hekuri dhe kanate metalike. Mbi të ngrihet kati i sipërm, me galeri të hapur e oda. Kati përdhe i ndërtimit të fazës së dytë ka tipare të tjera, kurse kati i sipërm ka të njëjtin kompozim me pjesën tjetër të katit përdhe. Duke e krahasuar me hanet e tjera, nga ana e ndërtimit dhe dekorimit ky han është më i pasur, gjë të cilën e bën të dukshme edhe oborri i tij. Çdo kush që do ta vizitojë këtë han, do ta ketë të vështirë ta harrojë dhe të pamundur mos të kthehet më./