Fjalimi i Hans-Joachim Falenski, këshilltar i Gunther Krichbaum, zëdhënësit të CDU-së në Bundestag për çështjet europiane, në aktivitetin elektoral të Koalicionit Euroatlantik.
Së pari, dua t’ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta nga zëdhënësi ynë për çështjet evropiane në grupin parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, Günther Krichbaum. Ne sapo kemi përfunduar me sukses negociatat për koalicionin qeverisës dhe ai ka qenë i përfshirë ngushtë në to. Për këtë arsye nuk mundi të jetë këtu! Ai ju uron shumë suksese në zgjedhje!
Günther Krichbaum e ka parë programin tuaj elektoral. Ai ju përcjell këtë mesazh: Koalicioni EuroAtlantik është e vetmja forcë politike në këtë vend që ofron një politikë bindëse, realiste, të realizueshme dhe, mbi të gjitha, të mirë për njerëzit e këtij vendi!
Që nga viti 2010, kjo është hera e 18-të që vizitoj vendin tuaj të bukur.
Jam bashkuar me Koalicionin EuroAtlantik sepse dua të angazhohem për t’i sjellë Shqipërisë një politikë moderne dhe të ndershme – një politikë ku në qendër qëndron mirëqenia e njerëzve dhe jo pasurimi personal.
Kam ardhur këtu sepse jam i bindur se vetëm nën drejtimin e Koalicionit EuroAtlantik me Lulzim Bashën në krye, problemet e mëdha të Shqipërisë në ekonomi, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, shëndetësi dhe arsim mund të zgjidhen në mënyrën më të mirë dhe më të suksesshme.
Pse duam ne, CDU/CSU, që Shqipëria të ecë më shpejt në rrugën e saj drejt BE-së?
Sepse ky është një vend i bukur me njerëz shumë miqësorë! Këta njerëz meritojnë një politikë më të mirë për një jetë më të mirë, sesa ajo që kanë marrë në 12 vitet e fundit.
Por kjo është vetëm një nga arsyet.
Ka edhe një arsye edhe më të rëndësishme – dhe kjo është interesi vetjak i Bashkimit Evropian:
Në këtë rajon nuk bëhet fjalë vetëm për sigurinë dhe mirëqenien ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Këtu, në këtë rajon, bëhet gjithashtu fjalë për sigurinë dhe mirëqenien ekonomike të vetë BE-së në tërësi, dhe të Gjermanisë në veçanti.
Ne gjermanëve ende na dhembin përvojat e luftërave në Bosnje dhe në Kosovë. Dicka të tillë nuk duam ta përjetojmë më kurrë!
Rusia dhe Kina nuk janë miq të këtij rajoni! Kur shfaqen këtu, ata kanë vetëm një qëllim: t’i bëjnë dëm Perëndimit. Prandaj duhet të bëjmë gjithçka që të parandalojmë që këto vende të fitojnë më shumë ndikim në këtë rajon.
Por këtë do ta arrijmë vetëm nëse angazhohemi së bashku, me të gjitha forcat, që Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të ecin më shpejt në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Bashkimi Evropian më në fund është zgjuar dhe e ka kthyer zgjerimin në një përparësi të politikës së vet. Por këtu në Shqiperi duket se shumë politikanë – dhe jo vetëm në qeveri – ende nuk e kanë dëgjuar këtë zgjim.
Dhe ky zgjim thotë: Mjaft më me korrupsionin! Mjaft më me pasurimin personal! Mjaft më me nepotizmin! Mjaft më me kaosin ekonomik!
Ajo që i duhet Shqipërisë sot më shumë se kurrë, janë forca politike moderne, që mendojnë dhe veprojnë në mënyrë moderne.
Dhe unë i gjej këto forca këtu në këtë sallë – ju, luftëtarët e Koalicionit Euroatlantik. Luftëtarë për demokracinë dhe shtetin e së drejtës me mjetet e ligjit dhe demokracisë.
Shqipëria nuk është në vendin ku mund të kishte qenë tashmë në rrugën e saj drejt BE-së, sepse qeveria shqiptare nuk ka vullnetin politik ose aftësinë për të zgjidhur detyrat e caktuara.
Shqipëria nuk është aty ku mund të kishte qenë tashmë, sepse forcat që dëshirojnë dhe mund të çojnë vendin përpara në drejtim të BE-së, janë penguar!
Për ta thënë qartë: ne, qeveria e udhëhequr nga CDU/CSU, duam që Shqipëria të jetë sa më shpejt në BE!
Shqipëria kohët e fundit ka nisur negociatat për anëtarësim për grupin e parë të klastereve. Këtu bëhet fjalë për pyetje themelore – pra, kryesisht për çështjet e sundimit të ligjit.
Ky ishte një vendim politik i ndikuar qartë nga disa ceshtje si:
• Lufta ruse në Ukrainë,
• Përpjekjet e Kinës për të fituar ndikim më të madh në rajonin e Ballkanit Perëndimor,
• Përpjekjea e BE-së për të shtuar dinamizmin e procesit të zgjerimit,
• Dhe, jo për t’u harruar, si shpërblim për një politikë të jashtme dhe sigurisë në përputhje me BE-në dhe një periudhë të suksesshme dyvjeçare në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Por për të vlerësuar situatën duhet gjithashtu një analizë realiste e fakteve të vërteta.
Nga 15 kërkesat që sipas vendimit të BE-së në mars 2020 duhet të plotësohen për të nisur negociatat, të paktën 4 nuk janë plotësuar, përfshirë disa pika themelore.
1. Reforma e ligjit të zgjedhjeve: Këtu – siç thuhet në raportin më të fundit të përparimit – ende nuk janë zbatuar rekomandimet e rëndësishme të OSBE-së dhe Komisionit të Venecias, më shumë se 5 vjet pas formulimit të tyre.
2. Korrigjimi i ligjit të mediave sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias nuk është realizuar, megjithëse kjo – nëse do të kishte vullnet politik – do të ishte e lehtë për t’u realizuar.
3. Procedurat penale ndaj individëve, të cilët akuzohen për blerje votash në zgjedhjet e vitit 2015/2016: Deri tani, asgjë nuk ka ndodhur në lidhje me këtë çështje.
4. Lufta kundër korrupsionit: Po, ka pasur përparime në këtë fushë. Por kjo është arritur vetëm përmes punës së mirë të Struktures se Posacme Antikorrupsion SPAK – përkundër kundërshtimit nga qeveria dhe parlamenti! Për shembull, përmes ligjit të amnistisë ka pasur një kthim mbrapa të rëndësishëm, duke çliruar 40 persona të dënuar per korrupsion dhe duke ulur dënimin për 65 të tjerë. Dhe përpjekjet nga qeveria dhe parlamenti për të penguar punën e suksesshme të SPAK-ut po shtohen. Ne nuk do ta lejojmë këtë! Kjo do të hasë në kundërshtimin tonë më të ashpër!
Raport progresi për vitin 2024 gjithashtu tregon se Shqipëria ka bërë vetëm progres të paket krahasuar me vitin 2023 dhe ka dështuar të zbatojë shumë kërkesa të BE-së.
Pse ndodh kjo?
Qeveria shqiptare ka një shumicë të madhe në Parlament dhe mund ta realizojë ndryshimin e nevojshëm. Çfarë është shkaku që kjo nuk po ndodh?
Arsyeja e vetme është: mungesa e vullnetit politik!
Nëse marr vetëm këtë pasqyrë të thjeshtuar, duhet të konstatoj:
Qëllimi i qeverisë shqiptare për t’u bërë anëtare e plotë e BE-së deri në vitin 2030 dhe për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 – pra brenda tre vjetësh – është plotësisht jorealist.
1. Vetëm negociatat për gjithë kontratën e anëtarësimit kanë zgjatur për vendet që ishin shumë më mirë të përgatitura, jo më pak se katër deri pesë vjet.
2. Kush nuk ka pasur vullnetin për të përmbushur 15 kërkesat që nga marsi i vitit 2020, nuk mund ta arrijë përmbushjen e mijëra faqeve të kontratës së anëtarësimit me kushte shumë më të vështira se ato 15 kërkesa, brenda tre vjetësh – absolutisht jo.
3. Në raportin e fundit të përparimit, gjykimi i Komisionit për të gjithë fushën e sundimit të ligjit është: “Përgatitje e kufizuar”.
Çfarë do të thotë kjo konkretisht?
Shikoni, pra, një dokument pozicionimi që u punua bashkërisht në mes të tetorit të vitit të kaluar nga Bashkimi Evropian dhe qeveria shqiptare. Atje thuhet për sundimin e ligjit, citoj:
„Korrupsioni është i përhapur në shumicën e fushave të jetës publike dhe biznesit, përfshirë të gjitha degët e qeverisë dhe institucioneve qendrore dhe lokale, dhe vazhdon të ketë shqetësime serioze.“
Ky është një formulim diplomatik. Megjithatë, janë tre goditje të forta për qeverinë!
Sepse çfarë do të thotë kjo në gjuhën e zakonshme, konkretisht?
1. „Korrupsioni në shumicën e fushave… i përhapur“ do të thotë në gjuhën e zakonshme: Korrupsioni është pothuajse kudo – nuk mund të jetosh pa paguar njerëz të caktuar.
2. „Korrupsioni në të gjitha degët e qeverisë qendrore dhe lokale dhe institucioneve“ do të thotë në gjuhën e zakonshme: kudo dhe kurdo që të kesh të bësh me qeverinë dhe autoritetet e saj, përballesh me korrupsion. Një tumor!
3. Dhe, kjo e gjitha jep „ende shqetësime serioze“. „Ende“ do të thotë: O njerëz të qeverisë Rama! Po bëni ende shumë pak për luftën kundër korrupsionit!
Dhe më pas vjen dhe më keq: „Shqetësim serioz“, shkruan BE-ja në dokumentin e pozicionimit. Kjo është një gjuhë shumë speciale e BE-së. Në gjuhën e zakonshme, do të thotë: O njerëz të qeverisë Rama, shtëpia juaj po digjet! Dhe i vetmi shërbim zjarrfikës që mund ta shuajë zjarrin është SPAK-u, dhe ju po përpiqeni ta pengoni edhe atë në punën e tij! Kjo nuk mund të pranohet!
Do të turpërohesha si qeveri, po të nënshkruaja një dokument të tillë pas 12 vitesh në pushtet dhe katër vjet e gjysmë pas vendimit të BE-së për fillimin e negociatave të anëtarësimit në mars të vitit 2020!
Kjo nuk është gjë tjetër veçse një pohim i dështimit!
Dhe a mund të rregullohet e gjithë kjo brenda pak më shumë se tre vjetësh, deri në fund të vitit 2027?
Për këtë nevojitet një ndryshim politik i plotë dhe forca të tjera politike.
Për këtë na duhet një ndryshim thelbësor i politikës këtu, në këtë vend!
Dhe madje edhe atëherë, nuk do të ishte e mundur të shpëtohej ky tumor i korrupsionit brenda tre vjetësh sa duhet për të përfunduar negociatat e anëtarësimit.
Për të arritur në këtë drejtim, është e rëndësishme që sa më shpejt të ndodhë një ndryshim politik me forca të tjera politike!
Dhe një ndryshim të tillë politik e shoh vetëm nën udhëheqjen e Koalicionit EuroAtlantik me Lulzim Bashën në krye!
I dashur Lulzim! Në Gjermani po ndiqet me shumë vëmendje sa i fortë dhe guximtar je për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar që SPAK të mund të kryejë punën e tij pa pengesa. Për këtë të jemi shumë mirënjohës!
Dhe gjithashtu po shihet qartë kush nuk po angazhohet për këtë, megjithëse është i detyruar nga pozita e tij qeveritare.
Por ju, miqtë e Koalicionit EuroAtlantik, tregoni me fjalë dhe vepra se jeni të vendosur ta luftoni korrupsionin! Faleminderit! Vazhdoni kështu në këtë rrugë!
Kush shikon programin tuaj, merr përgjigje bindëse dhe konkrete për mënyrën se si do të luftohet korrupsioni.
Sepse ju filloni nga lart: për çdo politikan duhet të ketë një proces verifikimi si për gjykatësit dhe prokurorët. Dhe me heqjen e imunitetit të deputetëve, SPAK do të ketë mundësinë të veprojë kundër korrupsionit atje ku ai është prezent.
Kjo është guximshme!
Kjo është e drejtë!
Dhe kjo është – fatkeqësisht – e nevojshme, kur shikohet se sa shumë persona udhëheqës politikë janë akuzuar për korrupsion, janë dënuar dhe janë në burg!
Nëse bëni këtë, dhe implementoni të gjitha masat e tjera për luftimin e korrupsionit që janë në programin tuaj, do të rindërtoni besimin e njerëzve këtu tek shteti, institucionet e tij dhe punonjësit e tij.
Dhe do të krijoni gjithashtu besimin e nevojshëm te ata që duan të investojnë këtu jashtë vendit.
Sepse pa këtë, nuk do të ketë zhvillimin ekonomik të nevojshëm për të shtyrë përpara vendin.
Ky vend ka shumë potencial për një të ardhme më të mirë. Duhet vetëm të çlirohet nga zinxhirët e vetëpasurimit, nepotizmit, korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sepse pa sundimin e ligjit dhe zhvillim ekonomik, rinia do të vazhdojë të largohet.
Pa një ndryshim të tillë radikal kursi, do t’ju vazhdojnë të largohen profesionistët e kualifikuar – jo vetëm mjekët, infermierët, kujdestarët dhe të tjerët. Rreth 800,000 janë larguar deri tani nga qeveria Rama. Ky vend do të vdesë, nëse tani nuk bëhet një ndryshim i qartë dhe guximtar.
Se si duhet të duket një ndryshim i tillë guximtar, kete e bëni të qartë në programin tuaj ekonomik për një të ardhme më të mirë të vendit dhe për një të ardhme më të mirë të të gjithë qytetarëve të tij. Programi juaj përqendrohet në sfidat për të ardhmen e Shqipërisë. Dhe këto sfida janë, fatkeqësisht, shumë pas 12 vjetësh qeverisje Rama!
Programi juaj ekonomik i qaset në mënyrë realiste masave të nevojshme që Shqipëria ka nevojë për te siguruar një të ardhme më të mirë. Është një program që nuk shpreh ëndrra dëshirash apo premtime bosh. Ai flet vetëm për atë që shqiptarët mund ta arrijnë vetë me energji dhe vullnet. Dhe ai flet vetëm për atë që Shqipëria mund të arrijë me mbështetje nga partnerët e saj të BE-së. Sepse ata po presin që forca moderne, që mendojnë dhe veprojnë evropianisht, si Koalicioni EuroAtlantik, të marrin timonin në duar, të ndalojnë rënien dhe të vendosin bazat për një rimëkëmbje ekonomike!
Për këtë, ky program është baza e duhur: është realist. Ka planin më të mirë për ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit!
Lulzim Basha dhe ju, vendosni prioritetet e duhura për një integrim më të shpejtë në BE!
Pa një luftë të suksesshme kundër korrupsionit, nuk do të ketë ekonomi konkurruese! Pa një ekonomi konkurruese, nuk do të ketë fund të negociatave të anëtarësimit! Dhe pa të dyja, nuk do të mund të ketë anëtarësim në BE!
Përmes programit tuaj zgjedhor, qytetarët dinë:
Kush voton Koalicionin EuroAtlantik, voton për një të ardhme më të mirë për veten dhe vendin e tij dhe, kështu, për një anëtarësim më të shpejtë të Shqipërisë në BE!
Kush nuk ju voton, duhet ta dijë se po shkatërron mundësitë e tij për të ardhmen!
Faleminderit shumë dhe shumë suksese! I meritoni ato!