Nga 64 kuti, 62 dolën me probleme në procesin e numërimit. Vetëm dy kuti kanë pasur numër të saktë e votat e deklaruara më parë. Rinumërimi i 64 kutive të Qarkut të Tiranës konfirmoi dje manipulimin e rezultatit zgjedhor në kryeqytet dhe jo vetëm. Dje, Komisoni Qendror i Zgjedhjeve hapi 64 kuti votimi të kontestuara nga Partia Socialiaste dhe PDIU, kjo e fundit humbi mandatin e deputetit përmes një rezultati shumë të ngushtë votash, ndërsa akuzoi komisionerët e PS për manipulimin e fletëve të votimit gjatë procesit të numërimit. Në të gjitha kutitë e hapura është konstatuar lëvizje votash dhe mospërputhje të numrit të tyre me votat e PDIU. Mandati i Shpëtim Idrizit u vodh nga komisionerët e PS, të cilët përmes një kalkulimi dinak në secilën prej kutive të votimit votat e PDIU i kanë kaluar PS. Por kjo ka ndodhur masivisht në kutitë, të cilat nuk kaluan në rinumërim. Pavarësisht se në 64 kutitë e hapura, Shpëtim Idrizi i PDIU, i cili kërkonte të merrte mandatin e deputetit që e konsideronte si të vjedhur nga PS, ndonëse nuk shënoi rritjen e duhur të votave në favor të PDIU për marrjen e mandatit konfirmoi mospërputhjen e numërimit të votave krahasuar me rezultatin e nxjerrë në 25 qershor. Idrizi në mënyrë të vazhdueshme ka denoncuar vjedhjen e votave në dëm të partisë së tij, veçanërisht në tavolinat e numërimit në të cilat PDIU nuk kishte përfaqësues. Shpëtim Idrizi, kreu i PDIU-së e ka humbur mandatin për 38 vota, ndërkohë që PDIU pretendon se asaj i mungojnë të paktën 66 vota në disa kuti votimi në Qarkun e Tiranës. Shpëthim Idrizi nuk ka mundur të marrë mandatin edhe pas hapjes së 64 kutive për Qarkun e Tiranës dhe rinumërimin e votave. Procesi i rinumërimit të votave nisi qysh prej orës 10:30 të paradites në ambientet e KQZ dhe përfundoi rreth orës 20:30, ku PDIU arriti që të siguronte 5 vota më shumë nga rezultati i 25 qershorit. Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitetit i duheshin 38 vota për të kaluar pragun elektoral, në mënyrë që të mund të merrte mandatin e vetëm në Tiranë. Me këtë rezultat, vijon ti mbetet Partisë Sociliaste mandati i 18 në Tiranë. Ndërkohë mësohet se PDIU ka bërë një kërkesë në KQZ për hapjen e të gjitha kutive në Tiranë dhe rinumërimin e tyre. Po ashtu, procesi i rinumërimit do të realizohet edhe për ankesën e paraqitur nga PD për dy QV në Berat. Disa pamje të regjistruara në kohë reale teksa numëroheshin votat për Qarkun e Tiranës dëshmuan se si votat e 25 qershorit, jo vetëm janë blerë, por edhe janë vjedhur masivisht. Në video shfaqen pastër dy numërues votash të Partisë Socialiste, të cilët kalojnë votat e subjekteve të tjera në favor të PS. Në rastin konkret bëhet fjalë për PDIU. Numëruesit, pasi nxjerrin votat nga kutia dhe i vendosin ato para monitorit të ekranit, heqin veçmas votat e subjektit PDIU dhe gjatë vijimit të numërimit, duke shtuar votat në favor të PS, marrin dhe votat e vendosura veçmas, duke i shtuar po tek votat e grumbulluara nga PS. Një truk hileqar në fakt, ku për shkak të vendosjes së votave mënjanë, vjedhja që bëhet në pamje të parë nuk kuptohet. Rasti në fjalë, nuk është një rast i izoluar, por dëshmi se si është vepruar në çdo kuti numërimi në të gjithë qendrat e numërimit të votave në të gjitha qarqet e vendit. Vetëm nga vjedhja e votave të PDIU në Tiranë, PS arriti që t’i rrëmbente këtij subjekti politik një mandat deputeti. Fenomeni i vjedhjes së mandateve është përhapur masivisht po aq sa edhe blerja masive e votave. Megjithatë, edhe pse KQZ përmbylli procesin e rinumërimit për 64 kuti votimi, PDIU nuk dorëzohet nga kërkesa e saj për të marrë mandatin duke kërkuar hapjen e të gjitha kutive të votimit në Tiranë.