Hapje e PD, beteja me një pakicë të inkriminuar

Kryetari i PD, Basha deklaroi dje fillimin e një procesi të ri bashkëbisedimi për hapjen e PD dhe forcimin e demokracisë së brendshme. Basha tha se Partia Demokratike do të kthehet në lumin e shpresës e mundësive për çdo shqiptar që dëshiron të jetojë e të ndërtojë jetën e tij këtu. Kryetari i opozitës tha se nga kjo vendimmarrje priten rezultate pozitive në javët në vazhdim, që do t’i paraprijnë aksionit politik të opozitës.
“Kemi diskutuar për fillimin e një procesi bashkëbisedimi për hapjen e Partisë Demokratike dhe për forcimin e demokracisë së brendshme. Dua të ndaj me ju se këto ditë kam marrë me qindra mesazhe nga qytetarët shqiptarë, të cilët dua t’i falënderoj, mesazhe të shumta inkurajimi dhe shprese, por nuk ka qenë të pakta mesazhet e dyshimit dhe të pasigurisë. Unë e kuptoj dyshimin e një shoqërie të zhgënjyer thellësisht me politikën, e kuptoj sepse në të shkuarën, edhe kur ka lindur një dritë shprese është shuar, edhe kur ka patur një mundësi reale për të ndryshuar, është zbehur. Por dua t’i siguroj ata, se ndryshimi i Partisë Demokratike, hapja e saj do të jenë të vërteta, të besueshme dhe të pakthyeshme. Makijazhet apo gjërat e lëna përgjysmë do të minonin jo vetëm besueshmërinë e Partisë Demokratike, por do të minonin shanset për një ndryshim pozitiv në Shqipëri. Ndaj, i siguroj se do të ndërtojmë së bashku me ta një proces, i cili të japë garanci të plotë se ndryshimi do të jetë i vërtetë, një ndryshim tek i cili mund të besojnë dhe të mbështeten për të përmirësuar jetën e çdokujt në Shqipëri. Procesi do të jetë i vështirë, udhëtimi ynë do të jetë i vështirë. Do të jetë i sulmuar dhe i anatemuar, nga elitat që kontrollojnë, politikën, ekonominë, median. Por jam i bindur se bashkë me shqiptarët do t’ia dalim që Partia Demokratike të kthehet në lumin e shpresës e mundësive për çdo shqiptar që dëshiron të jetojë e të ndërtojë jetën e tij këtu, sepse në thelb ajo që do të ndërtojmë së bashku është një Shqipëri që nuk ofron mundësi vetëm për një grusht njerëzish, të cilët duan me çdo kusht të ruajnë gjendjen aktuale, të ruajnë status quo-në, por një Shqipëri që ofron shanse për të gjithë. Ky është një proces në të cilin do të përfshihen të gjithë demokratët, grupi parlamentar, Kryesia, Këshilli Kombëtar, degët e Partisë Demokratike, është një proces, i cili ka për qëllim hapjen e Partisë Demokratike për këdo që është gati dhe dëshiron të japë kontributin e tij dhe të saj për një udhëtim, i cili ka për pikëmbërritje jo thjesht dhe vetëm një rrotacion politik, por një politikë në shërbim të njerëzve e jo në shërbim të elitës dhe një grushti njerëzish. Do ta nisim brenda Partisë Demokratike, do ta nisim duke e bërë Partinë Demokratike plotësisht një parti të shqiptarëve, një parti të Shqipërisë e jo parti drejtuesish që kanë për qëllim ardhjen e tyre në pushtet dhe me rregullat, normat, parimet që do të zbatojmë, do të japim garancinë tonë me vepra, jo me fjalë, që po kështu, nesër do të ndryshojmë Shqipërinë. Kjo është një temë që ka konsumuar një diskutim në këto muaj, është diskutuar sot gjerësisht në grupin parlamentar dhe nga e cila presim zhvillime pozitive në javët në vazhdim për t’i paraprirë vendimmarrjes sonë dhe aksionit tonë politik”, tha Basha.

– Zoti Basha, a e morët në analizë sot humbjen në Kolonjë?
Për Kolonjën mund t’ju them vetëm se, kushdo që kërkonte një provë tjetër, jo se ishte e nevojshme, ja ku e ka. Në një zonë ku historikisht e majta ka qenë e avantazhuar, nuk iu përmbajtën dot nevojës për të shkatërruar procesin zgjedhor përmes shitblerjes së votës dhe presioneve siç mediat e kanë dokumentuar shumë mirë.

– Zoti Basha, flisni për një proces të vështirë, por në fakt ndoshta i referoheni të gjitha humbjeve që PD i ka patur në përballje elektorale që prej 2013-ës, në çdo sfidë, ku ju keni rezultuar humbës. Kjo është arsyeja që ju e konsideroni proces të vështirë të bashkimit, të gjithë elitave dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë?
Jo në fakt. Ajo që po mundohem të transmetoj përmes jush është diçka tjetër, që interesat e këtyre që prishin zgjedhjet, që blejnë votat, që kanë kthyer Shqipërinë në hambar droge, janë interesa miliarda euroshe dhe me këto miliarda euro që në fakt i takojnë taksapaguesve shqiptarë, në vend që të bëhen investime, në vend që të hapen vende pune, në vend që t’u vihet në ndihmë të sëmurëve, fëmijëve nëpër shkolla, përfiton një grusht njerëzish. Beteja është me këtë pakicë, me këtë elitë të inkriminuar dhe të korruptuar, e cila ka interes pasurimin e saj dhe për pasurimin e saj nuk ndalet, as para kapjes dhe prishjes së zgjedhjeve, as para blerjes, kapjes dhe vënies në kontroll të medias, as para shkeljes flagrante të ligjit, as para paktit me krimin, por mund dhe do të ndalet me një aleancë të madhe qytetare, e cila duhet të besojë në një ndryshim të vërtetë, ndaj procesi do të jetë i vështirë, sepse kur ky grusht njerëzish kontrollon pasuritë e shqiptarëve, kontrollon buxhetin e shqiptarëve, do ta kuptojë se përballë nuk ka thjesht një parti politike që kërkon të vijë në pushtet, por ka një vullnet të madh politik të Partisë Demokratike dhe të qytetarëve për një ndryshim rrënjësor të sistemit politik në qendër të të cilit të jetë shporrja e këtij modeli, ky grusht njerëzish që kontrollojnë pasurinë sigurisht do të bëjë rezistencë të plotë me të gjitha format dhe mënyrat, siç po bëjnë edhe sot jo për hir të parimit, por për hir të milionave që fusin në xhep ditë për ditë në kurriz të shqiptarëve të papunë, të varfëruar dhe të sjellë deri në kafshatën e bukës për fëmijët dhe gjendjen më katastrofike të shërbimeve që duhet ta ofrojë shteti.

– Zoti Basha, konkretisht çfarë do të thotë hapje e PD?
Ju dhe të gjithë kolegët tuaj do të keni mundësinë në mënyrë të zgjeruar dhe të plotë të bëni pyetje, të merrni informacione nga unë dhe nga të gjithë përfaqësuesit e PD. Ajo që desha të njoftoj sot është që ky proces është futur në një fazë finale që bashkëbisedimi për hapjen dhe për demokracinë e brendshme në PD do të çojë në një produkt politik, në një vendimmarrje politike dhe qëllimi është të sjellim një ndryshim tek i cili njerëzit besojnë, tek një rreze drite që nuk shuhet dhe nuk do të shuhet me ardhjen e PD në pushtet, por do të ndryshojë demokracinë duke i fuqizuar qytetarët, duke i bërë ata zotërit e vërtetë të Shqipërisë, resurseve të saj, buxhetit të saj dhe të ardhmes së fëmijëve të tyre.

– Ndonjë gjë konkrete?
Po mundohem të shmang arrogancën dhe cinizmin, që janë pronë e kundërshtarit politik. Mesazhi ka qenë i qartë. Ju realitetin politik e njihni. Konkretisht, kjo do të thotë që PD bëhet gati për një hapje të vërtetë, jo makijazh. Konkretisht kjo do të thotë që së bashku me demokratët do t’u ofrojmë shqiptarëve një parti politike për interesat e tyre, jo për interesat e mia apo drejtuesve të kësaj partie. Dhe ky është një proces i vështirë, por ne e dimë rrugën përmes të cilës ecet, sepse është një rrugë që shoqëritë normale e kanë bërë dhe prandaj janë shoqëri normale, drejt të cilave duan të emigrojnë sot 70% e popullsisë së Shqipërisë.

– Po ndërkohë përsa i përket demokracisë së brendshme…
Padyshim është një proces dhe nuk mund të përmblidhet në një intervistë duke qëndruar këtu në këmbë, por mund të përmblidhet në një sërë vendimesh që do t’i japin rrugë hapjes së PD, për të thithur në gjirin e saj të gjithë ata që duan të kontribuojnë që të mos ketë gardh as fizik dhe as mendor, për të dhënë kontributin e tyre në një demokraci pjesëmarrëse për qytetarët. Mekanizmat, mënyrat sesi do ta bëjmë këtë të mundur, që të mos jetë makijazh as përfaqësim i zgjedhur me dorë, por të jetë me të vërtetë produkt i besueshmërisë së re të PD në raport me dëshirën e çdo shqiptari për ndryshim, këto ne do t’i shohim e do t’i dëshmojmë së bashku.

– Kur do t’i prezantoni drejtuesit e zgjedhur nëpër qarqet e vendit sepse jeni shumë vonë duke marrë në konsideratë se pala tjetër e ka bërë këtë gjë prej kohësh?
Pala tjetër është hedhur në sulm për të ruajtur status quo-në, për të ruajtur privilegjet e tenderave, të prokurimeve që vjedhin, për të zhvatur, për të vazhduar paktin e tyre me krimin. Pra, nuk është thjesht çështje caktimi, është çështje e një përqasje të re, në thelb të së cilës do të jetë hapja, do të jetë demokracia e brendshme, kufizimi i pushtetit, dhënia e vendimmarrjes anëtarësisë së PD, garantimi i qytetarëve se ndryshimi që ne do të sjellim dhe do ta sjellim, do të jetë një ndryshim i vërtetë dhe jo makijazh. Do të jetë ndryshimi tek i cili ata mund të besojnë dhe që do të ndryshojë jetët e tyre dhe jo thjesht jetën apo fatin e drejtuesve të një partie politike.

– A do të afroni ata, të cilët janë larguar për shkak të Sali Berishës? Dhe ka plot demokratë të tillë…
Pyetja juaj është e paragjykuar se nuk mund të thuash që janë larguar prej këtij apo atij. Një gjë ju them, bashkimi i çdo demokrati në respekt të diversitetit të mendimit të çdokujt, është deviza që unë kam shpallur prej ditës së parë si kryetar i kësaj partie dhe do të jetë patjetër një nga parimet kryesore të bashkimit dhe të hapjes si procesi që do t’i japë rrugë një shprese të re për Shqipërinë dhe një politike në thelb të së cilës do të qëndrojë ndryshimi i vërtetë dhe jo thjesht rrotacioni politik.

– Ju flisni për hapje partie, por strukturat janë ende në zgjedhje dhe ende nuk e keni mbyllur. A e dëmton kjo PD?
Njëra nuk e përjashton tjetrën. Procesi i zgjedhjeve është drejt përmbylljes, është një proces që tregon dinamizmin e PD, kërkimin gjithmonë të më të mirit, të më të zotit përmes votës së anëtarëve dhe jo tekave të kryetarit, dhe është një nga themelet e punës që do të çojnë më tutje dhe do ta kulminojmë me këtë hapje të re dhe me një zgjerim të demokracisë së brendshme në PD.

– Zoti Basha, ju flisni për demokracinë e brendshme, por zoti Selami pak kohë më parë kërkoi mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe nuk u realizua, nuk ja dhatë këtë mundësi, ai nuk i mbledh dot firmat.
Këshilli Kombëtar është mbledhur dhe mblidhet për të marrë vendime të rëndësishme të PD. Dhe padyshim si të gjitha forumet, si grupi parlamentar, si kryesia e PD, si Këshilli Kombëtar do të kenë rolin e tyre në vendimmarrjen që na pret. Por kësaj vendimmarrje do t’i prihet nga një bashkëbisedim i sinqertë ku çdokujt i kam kërkuar, deputetëve, kryetarëve të degëve, anëtarëve të Këshillit Kombëtar, anëtarëve të PD të kontribuojnë, edhe të tjerëve, simpatizantëve, mbështetësve, pse jo edhe kritikëve tanë, të kontribuojnë pra, për një proces të vërtetë dhe jo për një makijazh. Për një proces të vërtetë nga i cili PD do të dalë si një parti moderne, përfaqësuese e vërtetë e shumicës së shqiptarëve që kërkojnë një ndryshim tek i cili mund të besojnë, jo thjesht rrotacion.

– Po ju e nisët një hapje të tillë para dy vitesh…
Hapja ka nisur para tre vitesh dhe jo para dy vitesh. Hapja ka vazhduar çdo ditë. Por sot produkti i kësaj hapje do të reflektojë aleancën tonë me qytetarët për të cilën kemi folur gjithë këto vite para betejës së madhe, për t’ia dhënë qytetarëve në dorë pushtetin që iu takon.

Artikulli paraprakUrdhri për asgjësimin e dosjeve
Artikulli tjetërAmbasadori i Austrisë: Ndaloni ndërtimin e HEC-eve në parqet kombëtare