Hapja e thesit përpara zgjedhjeve

Nga Ervis Iljazaj

Vetëm katër muaj përpara zgjedhjeve ka disa vendime të qeverisë që vetëm po të jesh naiv nuk e kupton që janë marrë në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit. Qeveria shqiptare këtë vit ka vendosur rritje rrogash, bonuse pensionesh apo ulje të çmimit të energjisë. E gjitha kjo sigurisht ka si synim joshjen e qytetarëve për të fituar konsensus elektoral. Kjo është një traditë e qeverive shqiptare, që sa herë që afrohen zgjedhjet hapin thesin e buxhetit të shteti në favor të qytetarëve. Mirëpo askush nuk bënë debate se çfarë ndikimi kanë këto vendime për buxhetin, a janë ato të përballueshme nga ai dhe a mund të kenë kosto në një periudhë afatmesme apo afatgjatë.

Problemi qëndron që natyra e këtyre vendimeve është e gjitha në  kuadër të ndërhyrjes së qeverisë dhe të asistencës së saj, ndaj qytetarëve me natyrë populiste. Qeveria rrit rroga, qeveria ul çmimin, qeveria jep bonuse e vendime të tilla si këto. Një qasje shtetërore e zgjidhjeve të problemeve që janë larg logjikës së tregut dhe ekonomisë së lirë. Me këto ndërhyrje shtetërore në disa sektorë, qeveria po bëhet në mënyrë absurde faktori kryesor i ekonomisë shqiptare duke cënuar shpesh herë logjikën e tregut të lirë.

Nga ana tjetër edhe opozita me premtimet e saj është po në këtë drejtim. Nëse qeveria ul 1 lek çmimin, opozita propozon uljen e tij me 7 lekë. Nëse qeveria propozon arsim falas, opozita propozon edhe studimet master falas. Nuk kuptohet se kush paguan në këtë shoqëri, e kujt është kostoja dhe kush përfiton. Një linjë politike, pra, ajo e ndërhyrjes në mënyrë brutale të shtetit në tregun e lirë, e cila padyshim që është një nga arsyet kryesore të inflacionit.

Injektimi i parave në ekonomi nga ana e shtetit, jashtë logjikës së tregut, nga shumë ekspertë të ekonomisë mendohet se është shkaktari kryesor i  inflacionit dhe rritjes së kostos së jetesës.  E gjitha kjo, pra politika e premtimeve dhe parajsës së donacioneve të shtetit ndaj qytetarëve bëhet në kuadër të politikave absurde dhe populiste që qeveritë ndjekin sidomos në prag të zgjedhjeve.

Të gjitha partitë politike duket sikur janë në garë se kush ofron më shumë. Premtojnë rritje të rrogave mesatare, dyfishim të pensioneve apo premtime të tjera, që në thelb kanë si protagonist kryesor dorën e shtrirë të shtetit ndaj qytetarëve si dhe zgjidhjen e problemeve kryesore të ekonomisë nga ana e tij. Ndërkohë që, i vetmi mekanizëm që zgjidh problemet e ekonomike, siguron zhvillim dhe mban inflacionin nën kontroll është tregu i lirë.

Problemi është se askush nuk bënë diskutime se çfarë ndikimi kanë këto masa dhe politika sociale  për të ardhmen e ekonomisë. Mjafton që në sytë e qytetarëve shqiptare shteti apo qeveri të caktuara të duken si shkopi magjik që zgjidhin gjithçka. E vërteta është se kjo është një gënjeshtër e madhe që bëhet vetëm sa për ti hedhur hi syve për momentin qytetarëve shqiptarë.

Në fakt, ashtu sikurse thoshte Noberto Bobio, demokracia ka nevojë për konsesus kostant. Dhe qeveritë për të patur konsensus marrin vendime që kanë efekte vetëm për momentin, pa marrë parasysh se çfarë ndodh në një periudhë më të gjatë. Madje Bobio, këtë gjë e konsideronte si një nga defektet e demokracisë. Dhe duke parë sjelljen që bëjnë  qeveritë shpesh herë , mund të thuhet se paska patur të drejtë, edhe pse e ka shkruar këtë gjë shumë dekada më parë./liberale.al

Artikulli paraprakLogu: Demokratët Euroatlantikë të vetëm në zgjedhje, 13-15 mandate!
Artikulli tjetërLulzim Basha i bashkohet lutjeve për Kryepeshkopin Anastas Janullatos