Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj zgjodhi Tiranën për vizitën e tij të parë jashtë vendit në cilësinë e Kryeministrit. Ai u prit në një vizitë zyrtare nga autoritetet më të larta të vendit bashkë me një delegacion ministrash, deputetësh e personalitete të tjera të rëndësishme që e shoqëronin. Forcimi i bashkëpunimit midis dy vendeve, ecja e përbashkët në rrugëtimin europian dhe afrimi gjithnjë e më shumë i dy popujve e shteteve ishte kryefjala e Haradinajt në takimet me zyrtarët shqiptarë.
Në takimin me kryeministrin shqiptar Rama, Haradinaj vuri në dukje rëndësinë e angazhimit të Shqipërisë në mbështetje të Kosovës në sfidat që e presin përpara, siç janë integrimi në strukturat dhe institucionet shqiptare. Ai vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e angazhimit për të forcuar më tej bashkëpunimin e gjithanshëm midis dy vendeve.
Në një takim të veçantë, në selinë e PD, Haradinaj mori nga Kryetari Lulzim Basha mbështetjen e gjithanshme të Partisë Demokratike ndaj Kosovës. Basha dhe Haradinaj biseduan mbi politikat e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë në të gjitha planet, krahas atij politik edhe ekonomik, social etj.
Basha i uroi suksese Haradinaj në detyrën e re dhe me shumë përgjegjësi në drejtimin e qeverisë së Kosovës. Kryetari i Opozitës e siguroi Haradinaj për mbështetjen e plotë e të gjithanshme të Partisë Demokratike në rrugën e integrimit europian dhe euroatlantik të Kosovës, dhe në përballimin e sfidave të tjera.
Integrimi europian dhe euroatlantik i Kosovës, është në interes të sigurisë dhe stabilitetit jo vetëm të Kosovës, por të mbarë rajonit, u shpreh Lulzim Basha. Kryetari i PD, më tej theksoi se Partia Demokratike, ashtu siç ka qenë që në ditët e para të themelimit të saj, një mbështetje e fuqishme dhe konstante e aspiratave të popullit të Kosovës, do të vazhdojë të jetë gjithmonë një zë aktiv në familjen e partive simotra të PPE, dhe më gjerë, për të përkrahur me forcë interesat e Kosovës.
Gjithashtu, nuk do të mungojë asnjëherë edhe mbështetja konkrete për njohjen nga shtete të tjera, përmes kontakteve dhe raporteve që Partia Demokratike ka me forca të rëndësishme politike në Europë dhe vende të tjera. Nga ana tjetër, të dy personalitetet theksuan rolin që Partia Demokratike me autoritetin e padiskutueshëm që gëzon në Kosovë, mund të luajë në drejtim të zhvillimeve pozitive edhe të vetë politikës aty, në bashkëpunim me të gjithë spektrin politik kosovar.