Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka dhënë një intervistë mbrëmjen e sotme në emisionin ‘FAKT’ në SYRI.net, ku ndër të tjera ka folur lidhur me takimin mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në Pejë.
I pyetur nga gazetari Çim Peka, lidhur me qëndrimin e kryeministrit Edi Rama në Pejë dhe mosreagimi nga Haradinaj, ai tha:
“Në asnjë mënyrë, në asnjë variant e kurrë nuk kisha bërë diçka për të prishur një takim të dy qeverive shqiptare. Interesin nacional nuk e prishi kurrë për një situatë të caktuar. Kur bëhet fjalë për kufijtë duhet gjithsesi të them fjalën time, pasi ndryshe nuk më falet. Në të kundërt asnjëherë nuk ndodh që të prish interesin kombëtar”.
I pyetur për komentin e kryeministrit Rama se çdokush që thotë se HashimThaçi është gomar, Haradinaj tha:
“Asnjëherë nuk kam koment për këtë, nuk meriton koment kjo”.
Haradinaj ka treguar përballë gazetarit Çim Peka, se Ditmir Bushati ka qenë kundër debatit për kufijtë dhe këtë e ka thënë gjithmonë.
‘Tirana zyrtare duhet të ruhet në marrëdhëniet me Serbinë. Në çdo tryeze ose çdo forum ndërkombëtar qëndrimi i Ditmir Bushatit ka qenë kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës ka qenë i qartë.
Ende nuk e kam dëgjuar këtë gjë nga Edi Rama dhe pres ta dëgjoj diçka të tillë.
Edi Rama duhet të niset nga pozicioni bazë, që të ruhet Kosova ekzistuese. Çdo kush duhet të ketë këtë bindje’, është shprehur Ramush Haradinaj në emisionin ‘FAKT’ në SYRI.net.
Haradinaj tregon sherrin me Hashim Thaçin
Duke folur përballë gazetarit Çim Peka, Haradinaj ka treguar se nuk ka frikë nga zgjedhjet. ‘Zgjedhjet janë të shëndetshme dhe aleati im mund të ndërmarrë veprime për të ikur nga qeveria. Nuk kam frikë nga zgjedhjet edhe sikur ato mund të ndodhin shumë shpejt’ është shprehur Haradinaj për SYRI.net.
Duke folur përballë gazetarit Çim Peka, Haradinaj nuk e ka përjashtuar faktin se brenda javës qeveria që ai drejton mund të bjerë, për shkak se mund të tërhiqet PDK-ja e Hashim Thaçit, që sot drejtohet nga Kadri Veseli.
Haradinaj ka treguar se e kujt ishte ideja e taksës 100% ndaj Serbisë.
‘Kemi biseduar edhe më herët për të dhe një nga anëtarët e qeverisë e ka propozuar. Ideja e taksës është e qeverisë së Kosovës. Vendimi për taksën është një vendim sovran, në bazë të kushtetutës.
Nuk kemi thyer asnjë ligj, as kombëtar e as ndërkombëtar, ndaj një vendi armik që na rrezikon vendin tonë’, u shpreh Ramush Haradinaj përballë gazetarit Çim Peka.