Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, synon një pjesë të veriut të Kosovës, në shkëmbim të njohjes së pavarësisë së vendit.
Ai ka thënë në T7, se serbët po provojnë të marrin pjesët e veriut të Kosovës, me pasuri natyrore.
Ramush Haradinaj ka thënë se skenari për ndarjen e Kosovës është përgatitur nga Beogradi dhe presidenti Vuçiç dhe u është paraqitur ndërkombëtarëve duke u thënë se Serbia do të njihte Kosovën por duhet të merrte diçka për t’u justifikuar para serbëve.
Kryeministri ka thënë se, e di shumë mirë se prekja e kufijve të vendit është skenar i Beogradit.
Ai ka thënë se serbët e kanë ftuar edhe atë që të bëhet pjesë e këtij skenari për ndarjen e Kosovës.
Haradinaj njihet si kundërshtar i madh i idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilën presidenti Thaçi thotë se nuk nënkupton në asnjë formë ndarje të Kosovës.
Për më tepër ai ishte i qartë në deklaratën e tij se, “ai që firmos një marrëveshje që cënon territorin e Kosovës do të vuloste fundin e vet”.
“Ata dëshirojnë të marrin rrugën që shkon prej Zveçanit deri në Jarinje dhe disa vendbanime Kushtovë, por janë rezervat më të madhe të xehjes dhe në atë pjesë e synon më së shumti Presidenti Serb, Vuçiç. Por unë nuk besoj se do të ndodhë këtë, kushdo që e bën këtë do të bën shkelje ligjore dhe duhet të ndjeket me ligj”, ka thënë Haradinaj.