Haradinaj: Njëfarë precedenti po krijohet! Ftesa nga Haga më erdhi kur kërkohej…

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj është shfaqur nervoz me ndërkombëtarët, pas ftesës që mori nga Gjykata Speciale.

Haradinaj ka thënë se ftesa nga Haga i ka ardhur në kohën kur atij i kërkohej heqja e taksës, si favor ndaj Serbisë.

“Kushdo që ka qenë në dijeni, ose që e ka dërguar këtë ftesë, e ka ditur që unë do të jap dorëheqje”, është shprehur ai.

“Është shumë e habitshme për çdokënd një ftesë për mua. Një ftesë për intervistim si i dyshuar”, ka deklaruar Haradinaj në RTV Dukagjini.

“Çdo materie potenciale për mua është trajtuar”, ka theksuar Haradinaj, duke iu referuar gjykimeve të kaluara në Hagë.

Ai e ka lidhur ftesën nga Haga me qëndrimin e tij për taksën ndaj Serbisë.

“Kam një qëndrim politik, qëndrimi është bukur i saktë dhe i qartë. Ia kam treguar qytetarëve të vendit, por edhe miqve ndërkombëtarë”, ka thënë Haradinaj.

“Më së pari, që dialogu i devijuar për territore duhet të kthehet në dialog për njohje. Nuk e blejmë njohjen me territor, ose me Dodik republikë”, ka theksuar ai.

“Mund ta marrim njohjen edhe me ndërrim të marrëveshjes për tregti të lirë, që nënkupton heqjen e taksës”, ka thënë Haradinaj.

“Më është bërë presion i vazhduar për heqjen e taksës, për mënyrë tjetër të arritjes së marrëveshjes me Serbinë”, ka shtuar ai.

“S’e besoj që Kosova e përballon. Kemi hyrë në zonën e rrezikshme të presionit. Dorëheqja ime është një lloj reflektimi i mosdurimit të presionit”, ka deklaruar shefi në largim i ekzekutivit të vendit.

“Është lejuar të ftohet kryeministri i Qeverisë, i asaj qeverie që po i kërkon të jetë në dialog”, ka thënë ai.

“Imagjinoni: ti je kryetar i Qeverisë, t’i do të bësh dialog, po hajde tash të marrim në pyetje si i dyshuar”, është shprehur Haradinaj.

“Njëfarë precedenti po krijohet. Ky është një precedent për të zbutur, për ta hequr taksën. Nuk është kjo në rregull t’i bëhet Kosovës”, ka deklaruar ai.

“S’është se Kosova po lazdrohet, por Kosova s’mund të ndahet”, ka theksuar Haradinaj. /Express/

Exit mobile version