Haradinaj: Nuk u tremba nga tanket e Millosheviçit

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj vazhdon të mbahet në paraburgim në qytetin Colmar në Francën Lindore, pasi një gjykatë në atë qytet vendosi që ai të qëndrojë në paraburgim derisa Serbia të bëjë kërkesën zyrtare për ekstradim.
Ai u paraqit të enjten para gjykatës, një ditë pasi u ndalua nga policia franceze në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga autoritetet serbe, të cilat e akuzojnë zotin Haradinaj për krime lufte.
Partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shpërndau një postim të zotit Haradinaj në Facebook në të cilin thuhet se, “është për keqardhje se si disa shtete, ende respektojnë vendimet e ish-regjimit të Millosheviçit, ndërsa plot shtete të tjera siç janë Gjermania, Austria e të tjerë, tashmë janë ndarë përfundimisht prej atij regjimi dhe nuk i zbatojnë ‘poternicat’ (shprehje serbisht për urdhërarrestimet) e tyre”.
Në postimin e tij thuhet se “ne si popull e si individë, nuk jemi trembur nga tanket e Millosheviçit e lere më nga fletarrestet e tij. Kam një porosi për miqtë e Serbisë, brenda dhe jashtë Kosovës, ‘rrugën e shtetit të Kosovës, nuk do të mund ta ndalë askush’. Nuk i kemi rënë në qafë askujt dhe nuk do të lejojmë të na bjerë në qafë askush! Do të takohemi shpejt në Kosovë”, thuhet në postimin e zotit Haradinaj.
Ai u ndalua të mërkurën nga policia franceze në aeroportin Basel-Mulhouse, në rajonin kufitar ndërmjet Francës, Zvicrës e Gjermanisë.
Autoritetet në Kosovë krahas kërkesave zyrtare për lirimin e zotit Haradinaj, janë duke shqyrtuar edhe rrugët të tjera të zgjidhjes së situatës së krijuar rreth tij. Vendimi i gjykatës për mbajtjen në paraburgim lë të hapur edhe mundësinë e lirimit të tij me kusht nën garancitë shtetërore të Kosovës deri në përfundimin e procedurave sipas të cilave autoritete serbe kanë një fat deri në 40 ditë për të kompletuar dokumentacionin me kërkesën për dorëzimin e zotit Haradinaj”.
Autoritetet në Serbi thanë se do të kërkojnë dorëzimin e zotit Haradinaj, të cilin e akuzojnë për krime lufte në kohën kur ai ishte komandant i njërës nga zonat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që luftonte forcat serbe.
Ndalimi i tij nxiti reagimin e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, të cilat bënë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të premten në mbledhjen e qeverisë shprehu shqetësimin për ndalimin dhe procedurat që po zhvillohen ndaj udhëheqësit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai tha se zoti Haradinaj është ndaluar nga autoritetet franceze në bazë të një fletarresti të motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi.
“Aktet e ndalimit të Haradinajt, por dhe personaliteteve të tjera në Kosovë i konsiderojmë se janë akte të palejueshme, duke pasur parasysh edhe faktin se Haradinaj e ka dëshmuar para drejtësisë ndërkombëtare në dy raste pafajësinë e tij dhe po ashtu është përballur edhe me ndalesa të tjera të përkohshme, të cilat e kanë konfirmuar se fletarrestet serbe nuk kanë asnjë bazë”, ka thënë kryeministri Mustafa duke nënvizuar se pret që zoti Haradinaj të kthehet shumë shpejt në Kosovë dhe po ashtu që edhe qeveria franceze të ketë parasysh se këto fletarreste janë krejtësisht politike dhe nuk kanë asnjë bazë juridike dhe bazë ligjore.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partitë opozitare ndërkaq janë duke zhvilluar një parakalim nëpër Prishtinë në shenjë proteste ndaj ndalimit të zotit Haradinaj.
Kjo nuk është hera e parë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhërarresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.
Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste nëpër aeroporte të drejtuesve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.
Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.
Ramush Haradinaj, dy herë është shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.

Artikulli paraprakPrishtina nuk lejon vizitën e Presidentit serb
Artikulli tjetërBankat hezitojnë t’i japin borxhin e ri qeverisë