Duke reaguar për formimin e qeverisë së re të Kosovës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i ftuar në studion e Zërit të Amerikës, tha se ky është lajm i mirë për Kosovën. Ai tha se qeverinë e presin plot sfida dhe kryesorja është “të ruajë parametrat që ka vendosur qeveria përpara saj në temat e interesit kombëtar”. Në intervistën me kolegun Ilir Ikonomi, zoti Haradinaj foli për çështjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe tha se taksa nuk duhet të hiqet por të ndërlidhet me njohjen, jo me reciprocitetin. Zoti Haradinaj ndodhet në SHBA për të marrë pjesë në dy forume për çështjet e sigurisë si dhe për një takim në Departamentin e Shtetit.
Zëri i Amerikës: Sapo dëgjuam reagimet (e analistëve), zoti Haradinaj. Pati kritika të tërthorta ndaj jush. Në fakt çfarë prisni, cilat janë pritshmëritë tuaja nga qeveria e re?
Ramush Haradinaj: Është pak servilizëm i ditur kur fillon një qeveri. Shumica e tyre fillojnë joshjen ose ofertimin për atë qeveri. Dhe mu dukën disa prej diskutimeve të tilla pra. Mirëpo demokracia jonë meriton vërtet respektin e madh. Kemi bërë zgjedhjet më të mira të mundshme në rajon dhe në Kosovë se ndonjëherë më parë. Dje u implementua edhe rezultati i zgjedhjeve. Pra, kemi qeverinë e re. Është lajm i mirë për Kosovën. E presin plot sfida qeverinë e re. Sfida kryesore është të ruajë parametrat që ka vendosur një qeveri përpara saj në temat e interesit kombëtar – qeveria që kam patur nderin të udhëheq.
Zëri i Amerikës: Ndër punët më të vështira që e presin qeverinë e re, natyrisht është procesi i bisedimeve me Serbinë që u pezullua për shkak të tarifave që u vendosën nga ju në nëntor të 2018-tës. Ambasadori Grenell tha sot se qeveria e re duhet të heqë menjëherë tarifat dhe se në takimet që ka patur me drejtuesit e partive, ata të gjithë pa përjashtim, kanë rënë dakort për heqjen e tarifave. Kryeministri Kurti tha dje në parlament se do të vendosë masat e reciprocitetit të plotë me Serbinë, siç i quajti ai. A do të thotë kjo zëvendësim të tarifave me këto masa reciprociteti?
Ramush Haradinaj: E para, nuk është ndërprerë dialogu për shkak të tarifës, ose taksave ndaj Serbisë. Serbia ka mbajtur një qasje të dyfishtë dhe është ulur në tavolinë me idenë që të na joshë deri në ndarjen e Kosovës. Ndërsa në të njëjtën kohë, ka vazhduar intensivisht ta dobësojë Kosovën në planin ndërkombëtar, pra ta sulmojë. Njëkohësisht edhe të na rrezikojë në planin e brendshëm. Tarifa ka qenë si masë mbrojtëse ndaj veprimeve agresive të Serbisë që kanë rrezikuar deri edhe tërësinë territoriale, sovranitetin e Kosovës. Për fat të mirë, Kosova është shumë më e fortë sot.
Ka ushtrinë e vet. Ka sistemin e sigurisë të konsoliduar dhe ka rend dhe ligj në të gjithë vendin. Është gabim ofertimi i zotit Kurti dhe i zonjës Osmani për të hequr taksën, për shkak se Serbia është grykëse. Nuk do të ngihet me këtë. Pra kur heqim atë taksë, nuk është se Serbia ka për ta kthyer me një gjest të mirë. Do të vazhdojë të kërkojë. Dhe kur të vijmë tek momenti kulmor që shpresojnë shumë edhe Presidenti Trump edhe ambasadori Grenell se do të na ndihmojë që gjatë këtij viti të kemi një marrëveshje për njohje reciproke obligative ligjore Kosovë-Serbi, Serbia do të kërkojë diçka tjetër. I kisha lutur mos ta bëjnë këtë gabim. Mos ta heqin taksën, por ta ndërlidhin taksën me njohjen, jo me reciprocitetin. Është gabim logjika e tyre e reciprocitetit.
Zëri i Amerikës: Sipas jush është një shkallë më e ulët?
Ramush Haradinaj: Jo. Është gabim. Këta po shkojnë me formulë të gabuar. Kanë bërë ofertë të gabuar. Është më mirë të tërhiqen nga ajo ofertë që u kanë dhënë palëve të huaja. E panevojshme ka qenë realisht.
Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, siç dihet, muaji i kaluar shënoi një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara në favor të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, me marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë – Beograd dhe hapjen e diskutimeve për linjën hekurudhore. Sipas jush, sa rëndësi kanë këto hapa?
Ramush Haradinaj: Janë të dobishme. Janë të duhura. Ne kemi një qarkullim shumë të madh përmes Serbisë, sepse të gjithë qytetarët e Kosovës kur shkojnë në Evropë nuk kanë shumë rrugë alternative. Pra, nëse vijnë nga Shqipëria, nuk ka rrugë tokësore. Por, duhet të hipin në traget etj.
Zëri i Amerikës: Dakord, por për procesin e normalizimit e kam fjalën…
Ramush Haradinaj: Pra, për ne kanë interes të madh. Janë tema me interes. Ndihmojnë. Nuk është se do ta ndryshojnë vendimin politik. Pra, mund ta afrojnë një vendim të caktuar politik. Ajo për të cilën doja t’i bëja thirrje ambasadorit Grenell, në këtë rast, është që atë energji që ka, për këto tema ekonomike, t’ja shtojë edhe aspektit politik. Pra, nuk e është e pamundur të përgatitet një kontratë-marrëveshje për njohje Kosovë-Serbi. Amerika e ka njohur Kosovën. Nuk na ka vënë kushte në njohje. Ne nuk kemi arsye përse të pranojmë kusht për njohje nga cilido shtet tjetër. Pra, nëse Amerika na ka njohur kështu siç jemi, ne presim nga Serbia të bëjë një gjë të tillë. Edhe për Amerikën është shumë më e lehtë t’ja kërkojë njohjen Serbisë për Kosovën, sepse Amerika na ka njohur.
Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, rezistenca juaj për të pezulluar, ose për të hequr tarifat nxiti një lloj shqetësimi, shkaktoi mjaft shqetësime për marrëdhëniet e Kosovës me aleatët perëndimorë. Gjithnjë e kemi diskutuar këtë temë. A mendoni se janë prekur realisht këto marrëdhënie?
Ramush Haradinaj: Kurrë nuk i ka patur Kosova më të mira marrëdhëniet, p.sh. me Amerikën. Ne p.sh. punojmë në rrugë dypalëshe në planin e sigurisë. Edhe sot u përmend që e vetmja është Kosova që nuk ka investime kineze, ruse, pra që nuk rrezikohet; që nuk janë pranuar ofertat e Huaweit. Jemi prej vendeve unikë në botë. Pra, marrëdhënia Kosovë-Amerikë është e veçantë. Është rritur. Është intensifikuar shumë bashkëpunimi në planin e sigurisë. Ka bashkëpunim në planin ekonomik. Ka bashkëpunim edhe në plane të tjera. Nuk ka qenë kurrë më e mirë.
Zëri i Amerikës: Zgjedhjet në Kosovë pasuan dorëheqjen tuaj pas thirrjes suaj në Hagë, siç dihet. Por, për disa vëzhgues ishte pikërisht këmbëngulja juaj për mos heqjen e tarifave që përkeqësoi marrëdhëniet me partnerët e qeverisë dhe çoi deri në dorëheqjen tuaj? A jeni dakort me këtë version të ngjarjeve?
Ramush Haradinaj: Është me shumë rëndësi që Kosova e ka penguar diskutimin ose debatin për ndarjen e vetvetes. Është shpallje lufte. Është agresion. Kushdo që flet për ndarjen e vendit tim, në rastin konkret, kushdo që ma përmend ndarjen, ai po i shpall luftë vendit tim. Kjo temë ka kaluar. I kemi kaluar edhe disa tema të tjera. A jemi të nënshtrueshëm, a jemi të shantazhueshëm? A mundet dikush t’i marrë Kosovës me zor? Është e pamundur t’i merret Kosovës me zor.
Mundesh ta respektosh Kosovën, mundesh ta ftosh si palë; mundet të kthehet në palë të respektuar nga të gjithë. Por, një tendencë që ka ekzistuar nga Brukseli, për të na trajtuar si të pabarabartë në rajon, mendoj që ka kaluar. Uashingtoni zyrtar asnjëherë nuk e ka patur këtë tendencë. Uashingtoni zyrtar e ka trajtuar Kosovën me respektin më të madh duke e njohur. Por, në BE për shkak të mosnjohjes së pesëshes, ka qenë një qasje nënshtruese dhe diskriminuese Kosovë-Serbi.