Haradinaj: Rama na ka bërë bllokadë, më dhimbsen shqiptarët e Shqipërisë!

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistës të dhënë për gazetën ‘Epoka e re’, ndër të tjera ka folur edhe për përplasjet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Ai ka thënë se i vjen keq prej shqiptarëve që kryeministrat e këtyre dy vendeve po polemizojnë në distancë. I pari i qeverisë ka sqaruar se kur pozicionohet për çështje nacionale nuk e bën këtë për inat apo për hatër të dikujt tjetër.

“Krejt shqiptarët, pavarësisht feve, krahinave, partive politike, jemi vëllezër e motra. Ne jemi një. Por, për interesa nacionale nuk mundem të mos pozicionohem. Dhe kur pozicionohem nuk e bëj për inat të njërit apo për hatër të njërit, sepse për interes nacional janë vrarë Shkëlzeni, Luani dhe familja ime i ka kaluar ato që i ka përjetuar.

Kur kam dalë kundër ndarjes dhe kundër asaj se ‘Trepça’ t’i mbetet Serbisë nuk mërzitem se kush hidhërohet. Aty është burimi i ndasive që kemi. U kërkojmë falje të gjithë shqiptarëve që i mërzisim tani me këtë gjuhë që përdoret”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri në detyrë i Kosovës ka kritikuar Qeverinë e Shqipërisë që i ka sjellë pengesa dy ekonomive në momentin që Kosova ka vendosur taksën prej 100 përqindësh për produktet serbe.

Ai ka vlerësuar se Shqipëria duhet të marrë tregun e Kosovës dhe jo të vendosë taksë.

“Më dhimbsen shqiptarët e Shqipërisë, vëllezërit e motrat e jugut, sepse ne kur i kemi vendosur taksë Serbisë është dashur që Shqipëria ta fitojë tregun në Kosovë.

Kur Kosova iu heq si treg Serbisë, në vend se Shqipëria ta marrë këtë treg, shqiptarët mes vete kanë vendosur taksë në rrugë, e cila është 42 euro për kamion e 5 euro për makinë. Pra, ne kemi vendosur bllokadë që mos me u lidh këto ekonomi”, ka thënë Haradinaj.

Rritja ekonomike në Kosovë

Edi Rama në përpjekje për të justifikuar rolin e tij të dyshimtë në të ashtuquajturin projekt të ‘Minishengenit Ballkanik’, sulmoi ashpër lidershipin politik dhe të qeverisës së Kosovës duke i quajtur ‘qorra dhe të paditur’.

Këto fyerje dhe akuza të tjera si, ‘patriotë me pizhama’, i bëri duke tentuar që të argumentojë pa fakte që vijnë nga specialistët apo grupet e interesit, se nga kjo nismë Kosova është ajo që përfiton më së shumti.

Ai madje ai sulmoi edhe taksën 100%, e cila nga bilanci i deri tanishëm duket se ka dëmtuar më shumë ekonominë e Serbisë se sa atë të Kosovës, e cila ishte kthyer në një konsumuese të mallrave stok të vendit, që udhëhiqet nga miku i tij Vuçiç.

Por përtej retorikës së Edi Ramës, ky vit po mbyllet me një realitet të ndryshëm ekonomik për dy shtetet shqiptare.

Diferenca e rritjes së ekonomive mes shtetit që udhëhiqet nga qeveria e ‘largpamësit’ Edi Rama dhe ajo e Kosovës që drejtohet ende nga ‘I padituri’ Ramush Haradinaj është mbresëlënëse.

Kështu guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në daljen e fundit për këtë vit deklaroi ka konfirmuar parashikimet e Bankës Botërore dhe të FMN për ekonominë e vendit.

Sipas Mehmetit në vitin 2019 rritja ekonomike e Kosovës ka qenë 4.2% dhe ka ardhur për shkak të rritjes së investimeve dhe eksportit neto. Në konferencën përmbyllëse për vitin 2019 u shpalosën të dhëna të detajuara mbi ecurinë e ekonomisë dhe sektorit bankar në vend.

‘Sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore të Kosovës rritja ekonomike në vend për vitin 2019 vlerësohet të jetë 4.2 për qind, e mbështetur kryesisht nga investimet dhe rritja e eksporteve neto. Rritje e ngjashme ekonomike planifikohet të jetë edhe për vitin e ardhshëm’, tha Mehmeti.

Nga ana tjetër edhe pse Banka e Shqipërisë ende nuk ka dalë zyrtarisht për të deklaruar bilancin e ekonomisë për vitin që po lëmë pas, kanë qenë Banka Botëror dhe FMN të cilat kanë deklaruar nëpërmjet raporteve të tyre të fundit, se për vitin 2019 Shqipëria ka kapur minimumin historik të rritjes ekonomike e cila shkon 2.8-2.9%. Madje sipas të dhënave të këtyre institucioneve ndërkombëtare, Shqipëria e  Edi Ramës është e fundit në rajon.

Exit mobile version