Hasan Tahsini, i pari astronom në gjithë Perandorinë Osmane! Cili ishte shkencëtari dhe veprimtari i çështjes kombëtare

Hoxhë Hasan Tahsini njihet si një nga personalitetet më të shquara të botës shqiptare. Ai ndihmoi në përhapjen e diturisë, në mbrojtjen e atdheut dhe çështjes kombëtare.

 

Nuk ishte vetëm fetar apo teolog, por ishte edhe psikolog, sociolog, pedagog dhe ishte më i pari astronom në tërë Perandorinë Osmane. Nuk ishte vetëm atdhetar, por ishte edhe dijetar, mendimtar, përkthyes, poet, shkrimtar, letrar… Ishte një iluminist enciklopedist. Hasan Tahsini (1811-1881), filozof, astronom, matematicien e psikolog, një ndër personalitetet më të shquara të Rilindjes Kombëtare lindi më 7 prill të vitit 181. Tahsini ka qenë rektori i parë i Universitetit të Stambollit dhe njëri nga themeluesit e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare. Tahsini mbahet si njëri nga mendimtarët më të mëdhenj të Perandorisë Osmane në shekullin e 19-të.

Lindi në fshatin Ninat të Konispolit, ku mori mësimet e para. Vijoi shkollimin në një nga medresetë më të njohura të Stambollit. U caktua rektori i parë i Universitetit të porsahapur të Stambollit (1870). Veprimtaria e Hasan Tahsinit për përhapjen e diturive shkencore, që ishin në kundërshtim me qëndrimin e autoriteteve shtetërore e fetare të kohës, ra në sy; ai u shkarkua nga detyra e rektorit dhe u përzu nga Universiteti. Hasan Tahsini qe një ndër veprimtarët më aktiv të Rilindjes Kombëtare. Qysh në vitin ’60, në bashkëpunim dhe me atdhetarë të tjerë, si Kostandin Kristoforidhi, filloi të mendojë dhe të veprojë për krijimin e shoqërive që do të punonin për përhapjen e diturisë midis shqiptarëve dhe për hartimin e një alfabeti të ri të gjuhës shqipe. Hasan Tahsini u përndoq e u burgos për veprimtarinë e tij atdhetare nga fanatikët e njerëzit mendje mbyllur, por ai nuk u largua nga bindjet shkencore dhe nga rruga e tij për zhvillimin e kulturës dhe për afirmimin e kërkesave kombëtare të shqiptarëve.

KONTRIBUTI

Më 1870 u emërua rektori i parë i të porsathemeluarit Universitet të Stambollit ku dha leksione fizike, astronomie dhe psikologjie. Qeveria e emëroi aty duke besuar se Tahsini do të baraspeshonte metodat dhe idetë e Evropës Perëndimore me botëkuptimin islam. Por në atë kohë, kërkimi shkencor, qëndrimet liberale dhe marrëdhëniet e pandehura të Tahsinit me masonerinë provokuan sulme të rretheve konservatore të ulemave ndaj tij. Sulmet kundër Tahsinit nisën kur ai filloi të bënte eksperimente për t’u ilustruar nxënësve nocionin e vakumit. Gjë për të cilën u shpall heretik me një fetva, i pushuar nga universiteti dhe iu pamundësua që të jepte mësim. Universiteti mbylli për një periudhë sepse Xhemal al-Din Afgani, një tjetër profesor, mbështeste idetë e Tahsinit. Pas largimit nga puna, për shkak të titullit shkencor që kishte, shteti i caktoi një pension. Më vonë u vendos në një medrese të vogël të braktisur përballë Portës së Lartë dhe e përdori si vend banimi dhe mësimi, duke zhvilluar kurse private. Ndërkaq, vazhdoi të thellohej në studimin dhe leximin e veprave dhe të librave shkencorë të shumtë që kish mbledhur. Nuk u martua dhe nuk u mor në jetë me tjetër gjë përveç shkencës. Ndërroi jetë në moshën 70 vjeçare nga sëmundja e mushkërive, u varros në varrezat e Erenkojit.

ENCIKLOPEDISTI

Në nekrologjinë e shkruar nga Sami Frashëri në vitin 1881 për Hoxhë Hasan Tahsinin thuhet se, ai kishte filluar të mësonte që në moshën e fëmijërisë dhe deri sa mbylli sytë. Për këtë arsye, intelektuali dhe enciklopedisti më i njohur i Perandorisë Osmane e krahasonte atë me filozofin e njohur të qytetërimit arab, Ibën Sina-in (Avicinën). Me këmbëngulje të rrallë për gjysëm shekulli Hoxhë Hasan Tahsini kishte grumbulluar një “det diturish” nga shkenca të ndryshme si: fizika, matematika, astronomia, biologjia, kimia, psikologjia, gjuhësia dhe letërsia. Hoxhë Hasan Tahsini ishte intelektual aktiv. Ai ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll, i cili duke nisur nga viti 1867 përpiqej për shkrimin e gjuhës shqipe dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Më 24 prill 1874, zëvendëskonsulli britanik në Janinë i raportonte ambasadës në Stamboll se ai bridhte fshat më fshat të Shqipërisë dhe nën pretekstin se po mblidhte lëndë për një fjalor dhe gramatikë i predikonte bashkatdhetarëve të vet lirinë kombëtare. Kjo, sipas Hoxhë Hasan Tahsinit mund të realizohej vetëm me anë të arsimit dhe gjuhës shqipe. Për këtë qëllim ai do të bëhet promotor i hartimit të alfabetit. Në qershor të vitit 1879, konsulli francez në Janinë i shkruante Ministrisë së Jashtme në Paris se dy nga përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes kulturore në Shqipëri ishin Hoxhë Hasan Tahsini dhe Kostandin Kristoforidhi “të cilët po përpiqeshin të përpunonin gjuhën shqipe deri në nivelin e një gjuhe të shkruar dhe të përhapnin gjithashtu arsimin në gjuhën amtare duke i ngritur një barrierë helenizmit”. Në librin e tij “Psikologjia”, Hoxhë Hasan Tahsini i kushton një vend të posaçëm raportit mes gjuhës dhe mendimit, duke hyrë në disiplina të veçanta e të panjohura mirë në ato vite si psikolinguistika.

TRASHËGIMIA

Tahsini shkroi të parin traktat psikologjie në osmanisht të titulluar Psikologjia ose Shkenca e Shpirtit, një vepër e frymëzuar nga modernizmi dhe i pari libër që përmbante fjalën psikologji. Shkroi, gjithashtu, të parin libër për astronominë moderne, duke qenë edhe libri i parë i shkencës popullore në osmanisht. Tjetër vepër e Tahsinit në gjuhën osmane është përkthimi i librit “Loi Naturelle” (shq. Ligji Natyror) i François de Chassebœuf. Së bashku me Sami Frashërin, ai hartoi një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe. Sipas Tahsinit, alfabeti ishte hartuar me qëllimin që secila germë të shkruhej me sa më pak lëvizje të dorës. Ka lënë disa përkthime të veprave shkencore për fizikën dhe shkencat filozofike, dhe disa poezi, “por askush nuk është kujdesuar për mbledhjen dhe botimin e tyre” shkruan Samiu. Përveç themelimit dhe emërimit në krye të Universitetit të Stambollit, themeloi edhe “Xhemijet-i Ilmijje-i Arnavudijjê” (Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar), institucion që u përdor edhe si “Dâr-ul Funùn” (politeknik). Tahsini punoi për alfabetin shqip duke shpikur një alfabet të vetin, dhe punoi në Komitetin qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare./

Artikulli paraprakAnaliza/ Vuçiç dhe Dodik ‘kërcënojnë’ me një aleancë ushtarake me Hungarinë
Artikulli tjetërErvis Iljazaj: A do t’ia dalë SPAK të hetojë vërtetë krimet zgjedhore?