Pa i hequr meritat askujt, është padyshim “Buba” Hasani njeriu i ndeshjes, fantastik në pasimin filtrues të golit të parë, ashtu edhe në finalizimin e të dytit. Kapiteni i Shkëndijës ka përjetuar padyshim një mbrëmje të madhe, kjo skuadër nga ndeshja në ndeshje nuk po njeh kufij në Europë, duke besuar gjithmonë e më tepër. “Gjithmonë e kam thënë se kjo skuadër duhet të besojë, kemi lojtarë të rinj, por edhe shumë kualitet dhe këtë kemi treguar në Europë. Jam i lumtur sepse kemi një skuadër të mirë dhe djem të rinj që po bëjnë shumë mirë”, u shpreh Hasani.
Shkëndija është skuadra që po bën krenarë gjithë shqiptarët, nga Tetova, Shkupi, Tirana e Prishtina dhe ky është një motivim ekstra për kuqezinjtë. “Normalisht Shkëndija gjithmonë i ka bashkuar shqiptarët. Ne jemi shumë të lumtur kur i shohim të vijnë nga të gjitha anët dhe padyshim jemi krenarë e kujdesemi që të japim më të mirën për t’i kënaqur me lojën tonë. Padyshim e ndiejmë mbështetjen e tyre dhe këtu e dimë sa sakrifikojmë duke luajtur futboll në Maqedoni”, tha ai.
Megjithatë do të luhet edhe një ndeshje tjetër, 2-0 është një avantazh i mirë, por kurrsesi garanci absolute me kapitenin që predikon kujdes. “Ende nuk ka përfunduar asgjë, kemi edhe 90 minuta për të luajtur, e mundet edhe 120, duhet të përgatitemi dhe të japim maksimumin pasi ndeshja e dytë do të jetë edhe më e vështirë”, tha ai.
Ishte një fitore kjo që injekton edhe më tepër besim në këtë rrugëtim të mrekullueshëm të Shkëndijës në Europë siç dëshmojnë dhe fjalët e mesfushorit Armend Alimi. “Ishte një ndeshje e vështirë për ne, nuk jemi rastësisht këtu pasi kemi treguar cilësitë tona gjatë gjithë kohës”, përfundoi Hasani.