Deri tani, janë kthyer rreth 106 mijë zarfe nga votat e diasporës, nga 240 mijë të dërguara.
Lidhur me procesin e votimit të emigrantëve, avokati nga Anglia, Naim Hasani, për edicionin e lajmeve në MCN TV, theksoi se ka ende kohë për të votuar dhe për t’i kthyer zarfet në Shqipëri përpara datës 11 maj, për të siguruar që vota e tyre të numërohet dhe të jetë e vlefshme.
Ka kohë dhe disa ditë kohë që qytetarët kudo që jetojnë, në çdo vend të botës, të hedhin votën e tyre, ta hedhin në zarfin që ka dërguar KQZ dhe ta kthejnë në Shqipëri në mënyrë që vota e tyre të numërohet, vota e tyre të ketë vlerë, dhe të bëj ndryshimin më votimin që dëshirojnë.
Sa më shumë që afrohet dita e zgjedhjeve, aq më shumë shtihet ai ankthi i çdo votuese që ti jepet mundësia të hedh votën aty ku duhet.
Hasani gjithashtu paralajmëroi emigrantët që të mos lënë shënime apo shkrime në fletët e votimit, pasi ato do të bëhen të pavlefshme.
Procesi i votimit për diasporën ka qenë i saktë dhe i qartë. Pasi hapni zarfin, merrni fletën e votimit, votoni dhe vendosni fletën përsëri në zarfin përkatës. Fletët e votimit që kanë shënime të paligjshme do të konsiderohen të pavlefshme.
U bëj thirrje gjithashtu bashkatdhetarëve, veçanërisht atyre që jetojnë në Britaninë e Madhe, që të shfrytëzojnë mundësinë e votimit dhe të shprehin vullnetin e tyre për ndryshim, duke kontribuar në një proces historik për diasporën.