Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha në një intervistë për Radion “Evropa e Lirë” se ka marrë konfirmimin nga koalicioni fitues i zgjedhjeve (koalicioni PAN) dhe mandatari për kryeministër (Ramush Haradinaj) se Qeveria e ardhshme e Kosovës do të formohet pa vonesa.
Ai deklaroi se “çështja e mandatit nuk është çështje e preferencës, por e respektimit të legjitimitetit qytetar”.
“Kosova e ka koalicionin fitues që ka dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit. Unë do të respektoj Kushtetutën, ligjet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, prandaj kam konfirmimin edhe nga mandatari i koalicionit fitues se ka siguruar numrat e mjaftueshëm të deputetëve për themelimin e Qeverisë së re”, tha Thaçi.
Ai tha se është duke pritur përmbylljen e procesit të çertifikimit të rezultatit zgjedhor dhe më pastaj të ulet me spektrin politik dhe bashkërisht të caktohet data e konstituimit të Kuvendit dhe themelimit të Qeverisë së re.
Sa i përket mundësisë që mandatari i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj të dështojë të sigurojë votat për formimin e Qeverisë dhe mundësisë që Thaçi më pas t’ia jap mandatin kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Presidenti Thaçi tha se nuk mund t’i parashikojë as paragjykojë zhvillimet e ardhshme.
“Nuk dëshiroj të prejudikoj. Nga mandatari (Ramush Haradinaj) e kam konfirmimin se i ka siguruar votat. Në çdo rrethanë mendoj se duhet të ndodhë një dialog mes spektrit politik si të veprohet tutje. Unë do të ndërmarr vetëm veprime ligjore, kushtetuese pa ndikime politike”, tha Thaçi.
Ai shprehu besimin se nuk do të ketë mandatar të dytë dhe Qeveria do të formohet që në përpjekjen e parë.
Sa i përket rolit të pakicave rreth formimit të Qeverisë, Presidenti i Kosovës tha se përfshirja e komuniteteve pakicë nuk duhet të shihet si pengesë, por si vlerë. Sipas tij, të gjitha partitë politike duhet të angazhohen për dialog të brendshëm, duke mos hezituar që kontaktet t’i vënë edhe me Listën Serbe, e cila kryesisht mbështetet nga Beogradi zyrtar.
Faza e re e dialogut me Serbinë finalizohet me marrëveshje
Duke folur për dialogun me Serbinë, Presidenti Thaçi tha se pas pesë vjetësh të dialogut teknik dhe arritjes së disa marrëveshjeve të rëndësishme dhe zbatimit të disa prej tyre, ka ardhur koha që ky proces të shkojë drejt përmbylljes.
Ai tha se, faza e re e dialogut nënkupton përmbylljen e këtij procesi me një marrëveshje të gjerë politike.
“Ne kemi menduar, në konsultim me Bashkimin Evropian dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, që ky proces të avancohet në një nivel më të lartë politik, që çon drejt një normaliteti të marrëdhënieve tona, por edhe të pajtimit të shteteve dhe popujve tanë”, tha Presidenti.
“Kjo fazë e re nënkupton përmbylljen e këtij procesi me një marrëveshje të gjerë politike, një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe një marrëveshje që do të hapë sigurt perspektivën euro-atlantike të Kosovës, që të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së”, thotë Thaçi.
I pyetur se, nëse ai do të udhëheq dialogun me Serbinë, Presidenti Thaçi tha se “natyrisht, në bazë të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, Presidenti i vendit udhëheq dhe koordinon politikën e jashtme”. Thaçi shtoi po ashtu se pas formimit të Qeverisë së re të Kosovës, do të formohet një ekip i gjerë, ku do të përfshihen edhe bartës të institucioneve, njerëz nga shoqëria civile dhe mediat, të cilët do të përbëjnë një ekip, që do të udhëheq këtë fazë të dialogut.
Ndonëse thotë se, faza e re e dialogut do të jetë përmbyllës, Thaçi thotë se nuk dëshiron të paragjykojë, që kjo fazë do të mbyllet me njohje reciproke.
“Unë nuk dëshiroj të prejudikoj, por jam i sigurt se Kosova do të afirmohet në një stad të ri ndërkombëtar”, thotë Thaçi.
Duke iu përgjigjur kritikave nga disa subjekte politike për marrjen e primatit në dialogun me Serbinë, Thaçi tha se ka përgjegjësi kushtetuese që të udhëheqë politikën e jashtme të Kosovës. Përkundrazi, sipas tij, do të ishte papërgjegjësi, nëse ai nuk do ta luante këtë rol.
“Në këtë fazë të re të dialogut do të ketë hapësirë për të gjithë, për të gjithë bartësit e institucioneve, Qeverinë, Kuvendin, partitë politike opozitare, shoqëria civile, mediat, opinionistët e ndryshëm dhe të gjithë ata që duan ta japin kontributin e tyre”, tha Thaçi. Sipas tij, kjo fazë do të jetë më e shkurtër sesa që mendohet.
“Nuk mendoj se duhet të kalojnë vite duke negociuar”, tha Presidenti.