Hashimi ndjehet humbës dhe nuk do zgjedhje të reja, por s’ka votat për pasuesin e Haradinajt

Mundësia e presidentit pas dorëheqjes së Haradinajt. Ramush Haradinaj ka thënë pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit se mandatin ia kthen popullit. Sipas tij, sovrani duhet të vendosë për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike.

Ai i ka bërë thirrje presidentit të shtetit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme. Por, sipas Kushtetutës, zgjedhjet e parakohshme nuk imponohen nga dorëheqja e kreut të Qeverisë. Është paragrafi i pestë i nenit 95 të aktit më të lartë të shtetit që saktëson veprimet të cilat duhen ndërmarrë, me të mbetur Qeveria pa shefin e saj.

“Nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”, thuhet në Kushtetutë.

Mbështetur në dokumentacionin e deponuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësues i koalicionit PDK-AAK-Nisma është kryeparlamentari Kadri Veseli. Pikërisht nga ai presidenti Thaçi do të mundë ta kërkojë emrin e mandatarit për ta formuar Qeverinë e re.

Por, edhe sikur AAK-ja e Haradinajt të mos ishte për zgjedhje të reja, koalicioni nuk do të mundë ta bënte Qeverinë e re. Kjo për shkak se Kushtetuta kërkon që kandidati për kryeministër, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit, dhe se Qeveria konsiderohet e zgjedhur vetëm në rast se merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Qeveria Haradinaj kishte marrë besimin pikërisht nga minimumi kushtetues i votave të deputetëve. Pro saj ishin vetëm 61 nga 120 ligjvënës, sa ka Kuvendi. Vetëm pak muaj kishte ruajtur këto vota dhe prej më shumë se një viti e gjysmë Qeveria funksionon pa e pasur shumicën e deputetëve.

Në këtë rrethanë, koalicioni e ka të pamundur zgjedhjen e Qeverisë së re. Haradinaj ka publikuar vendimin për dorëheqje, por ka thënë se tek të hënën nëpërmjet shkresave zyrtarisht do t’i informojë përfaqësuesit institucionalë dhe partnerët e koalicionit. Po kështu, edhe që t’i kërkojë kreut të shtetit që t’i shpallë zgjedhjet e reja.

Presidenti Thaçi e ka bërë vetëm një deklarim të shkruar, të cilin e ka publikuar në rrjete sociale. Aty nuk i ka përmendur zgjedhjet. “Nga mediat tani u informova edhe për vendimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e tij. Unë e respektoj vendimin e tij”, ka shkruar Thaçi. “Si President i Republikës së Kosovës ju siguroj se do të veproj bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë”.

Kompetenca kushtetuese e presidentit është vetëm të kërkojë propozimin për mandatarin e ri. Kryeparlamentari Veseli, që është përfaqësues i koalicionit PDK-AAK-Nisma, tek të shtunën do të kthehet nga një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara. Ai nuk ka saktësuar se si do të veprojë për mandatarin.

“Me keqardhje mësova nga mediat për thirrjen që u është bërë nga Gjykata Speciale bashkëluftëtarëve të mi, si dhe për dorëheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj”, ka deklaruar Veseli. “Koalicioni qeveritar u ndërtua për të marrë vendime të mëdha për Kosovën dhe për t’i mbrojtur vlerat e UÇK-së. Të gjitha veprimet dhe vendimet tona do të jenë vetëm në shërbim të interesave më të mira të Kosovës dhe qytetarëve tanë, si dhe në përputhje të plotë me ligjet tona”.

Exit mobile version