Hashimi ose Hasha! Hasha në shqip do të thotë rrenë!

Enver Bytyçi

Gjithë jetën e tij Hashim Thaçi ka rrëshqit në politikë përmes rrenës e mashtrimit. Kurrë nuk tha një fjalë të vërtetë, kurrë nuk dëshmoi dinjitet e integritet moral e politik e megjithatë ende është në gjendje të vazhdojë në rrugën e gënjeshtrës e të mashtrimit! Gënjeu për njohjet, sepse premtoi 100 njohje në tre muaj! Gënjeu kur tha se “nuk do të ketë bisedime politike me Serbinë”! Gënjeu njëmijë herë për vizat! Gënjeu kur tha se “nënshkrova marrëveshje me presidentin e Malit të Zi për ta rishikuar demarkacionin pas ratifikimit në parlament”! Gënjeu për Asosacionin, kur tha se “nuk do të ketë kurrë kompetenca ekzekutive”!
Më së fundi, prej më shumë se një viti, po gënjen në ditën për diell gjatë fushatës së tij antikombëtare për ndarjen e Kosovës! Cilat janë gënjeshtrat e tij në këtë periudhë?
Përmes këshilltarit të tij, Bekim Çollaku, në shkurt 2018 njoftoi se “Marrëveshja me Serbinë do të jetë e dhimbshme për Kosovën”! Shqiptarët donin të dinin kuptimin e kësaj dhimbjeje dhe pas shumë debatesh, po këshilltari i tij tha se “Kosova do të detyrohet të lëshojë territore në këmbim të njohjes nga Beogradi”! Kur opinioni publik reagoi me ashpërsi për këtë projekt, atëherë deri në korrik të vitit të kaluar Hashim Thaçi u mor me delegacionet nga Presheva dhe u betua se “do ta bashkojë Luginën e Preshevës me Kosovën”, pa thënë asnjë fjalë se çfarë do të japë në këmbim të saj! Dhe disa akrobatë politikë të Preshevës e besuan. I doli në krah dhe akademiku preshevar, Nexhat Daci.
Së paku nja dy muaj vazhdoi me këtë retorikë, derisa në fillim të gushtit 2018 presidenti i Kosovës shpalli projektin e tij “për korrigjimin e kufijve”! Pardje u betua në Mbledhjen e diasporistëve në Tiranë se “Duhet të kalohet mbi trupin tim që të preket një mm territor i Kosovës”! Dje tha se “Korrigjimi i kufijve do të ndodhë” dhe se është i angazhuar për këtë.

Në 24 orë dy qëndrime: Në njërin rast “I gatshëm të japë jetën për të mbrojtur një mm territor të Kosovës”, pas 24 orësh i gatshëm për korrigjim të kufirit, që do të thotë për t’ia dhënë Serbisë direkt ose indirekt 10 përqind të territorit?! Akrobaci si kjo nuk do të ketë ndodh ndonjëherë në ndonjë vend të botës!
E quan normale që të korrigjohen kufijtë midis Serbisë dhe Kosovës dhe për këtë thirr në ndihmë të gjitha argumentet serbe e ruse. Thotë se “edhe me Maqedoninë dhe Malin e Zi i kemi demarkuar kufijtë”. Por nuk thotë se demarkimi i kufijve me Shkupin e Podgoricën është bërë pasi këto dy kryeqytete e kanë njohur Kosovën. Me Serbinë dëshiron t’I korrigjojë para njohjes!
Thotë se ka edhe raste tjera të korrigjimit të kufijve e përmend Belgjikën. Por nuk thotë se Belgjika nuk ka dhënë asnjë viktimë për territorin që ka, ndërkohë që Kosova ka dhënë mijëra të tillë. Nuk thotë se ajo pjesë e vogël territori I Belgjikës nuk është jetike për atë vend, siç është veriu për Kosovën! Thotë se korrigjimi i kufijve është vullnet i dy palëve! Dhe vullnetin e tij, të Vuçiqit e të Edi Ramës shkon në Uashington dhe e shet si vullnet të Kosovës?! Nuk thotë se në idenë e tij të ndarjes së Kosovës është i vetëm! Prej verës së vitit të kaluar e deri më sot e kemi parë të vrapojë drejt Francës, të takojë Putinin e Medvejevin, si dhe të lobojë me lobistët prorusë e proserbë kudo në botë për ta përligj dhënien e territoreve të Kosovës – Serbisë, por nuk shkoi asnjëherë në Berlin, Londër e qendra të tjera të vendosjes, të cilat janë kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan!
E kemi dëgjuar Hashim Thaçin të flasë për “miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” e të thotë se ka mbështetjen e saj për projektin serb të ndryshimit të kufijve. Por nuk kemi dëgjuar asnjë prej shtetasve amerikanë, përjashtuar Bolton, se mund të akceptojë një zgjidhje të tillë!

Hashim Thacci gënjeu pardje kur tha se është gati të bëhet kurban i mosndryshimit të kufijve, sepse projekti i tij për “korrigjim kufijsh” është ndryshim i kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Ai ka gënjyer shqiptarët kur thoshte se “Nuk ka kurrëfarë projekt-marrëveshjeje” për këtë, sepse në takimet sekrete me Aleksandër Vuçiq ai nuk ka vallëzuar tango, por ka diskutuar detajet e një marrëveshjeje të tillë. Dhe detajet e saj u dekonspiruan me projektin prej 22 pikash! Gjithçka në atë projekt është në dobi të Serbisë dhe në dëm të Kosovës. Gjithçka që merr Serbia, përfshirë dhe fitimin e realizuar nga Trepça, është pasuri e Kosovës. Projektin e dekonsopiroi dhe zëdhënsja e Mogherinit, kur tha se “Trepça është pjesë e diskutimeve në dialogun Prishtinë-Beograd”! Hashim Thaçi në vend që t’i kërkojë Beogradit dëmshpërblimin për shkatërrimet, vrasjet e përdhunimet e luftës së fundit, dëshiron t’i japë territore e pasuri asaj!
Kjo gënjeshtër dhe ky mashtrim i madh i Hashim Thaçit duhet ndëshkuar një orë e më parë. Kur gënjen dhe mashtron presidenti i Republikës ndëshkimi minimal është shkarkimi i tij, sepse ai nuk votëbesohet nga sovrani që të testohet prej tij! Në Vetëvendosje thonë se po presin të detajohet marrëveshja, por kam frikë se do të jetë vonë për ta ndëshkuar siç e meriton presidentin filoserb të Kosovës!
Hashim Thaçi duhet ndëshkuar sot, nesër do të jetë vonë! Vetë emri i tij, i thirrur shkurt e me përkëdheli “HASHA”, shpreh thelbin e karakterit të Hashimit si mashtrues, gënjeshtar, rrenacak!

Exit mobile version